Bamirësia ndaj njerëzve

Bamirësia ndaj njerëzve

Prej shkaqeve që largojnë pikëllimin, shqetësimin e ankthin- e për këto njeriu mund të mos ketë jetë të lumtur- është bamirësia ndaj njerëzve. Autori thotë: “Bamirësia ndaj njerëzve, qoftë me fjalë a vepër, është prej veprave të mira, përmes së cilës Allahu largon pikëllimin, shqetësimin dhe ankthin, qoftë te njeriu i mirë apo i keq, varësisht se sa ka qenë bamirës.” Kështu sepse Allahu thotë në Kuran: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” Surja Rrahman 60. Kjo gjë është një shkak i madh që njeriu të arrijë të ketë një jetë të lumtur.

Sa i përket bamirësisë ndaj njerëzve me fjalë, te muslimanët kryeson dhënia e selamit. Pastaj është lutja tek Allahu për muslimanët. Më tej është fjala e mirë, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, me fjalët më të mira.

Ndërsa, sa i përket bamirësisë ndaj njerëzve me vepër, muslimani duhet të jetë vepërmirë si në aspektin e veprave të jashtme ashtu dhe të brendshme. Madje, pa i pasur në rregull veprat e zemrës nuk mund të jetë bamirës me vepra të jashtme. Ai që nuk e ka zemrën e pastër ndaj muslimanëve, që ka urrejtje e mendim të keq për ta, që dyshon e hamendëson për ta, e ka të vështirë të jetë bamirës me vepra ndaj tyre. Fillimisht vjen pastrimi i zemrës. Njeriu duhet të edukohet në këtë aspekt, e kështu do të arrijë fitore të madhe dhe do të realizojë një shkak të madh i cili sjell lumturi.

Në këtë gjë (pastrimin e zemrës), më së shumti ndihmon ajo që thuhet në këtë hadith të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Askush prej jush nuk e ka arritur sa duhet besimin, derisa t’ia dëshirojë vëllait të vet atë që ia dëshiron vetes.”  Nëse nuk ia dëshirojmë edhe muslimanit tjetër atë që dëshirojmë për vete, nuk do të arrijmë sa duhet të jemi bamirës ndërmjet vete. Dijetarët kanë thënë se nëse njerëzit do të vepronin me këtë hadith, do të realizohej çdo drejtësi e do të eliminohej çdo padrejtësi apo e keqe (imoralitet, vjedhje, sharje, ofendim etj.).

Në një hadith tjetër ka thënë: “Kush ia largon një vështirësi një besimtari në këtë jetë, atij Allahu ia largon një vështirësi nga vështirësitë e Ditës së Gjykimit. Kush ia bën një lehtësim një besimtari, atij Allahu ia lehtëson këtë jetë dhe tjetrën. Kush ia mbulon një të metë (gabim) një besimtari, atij Allahu ia mbulon të metat në këtë botë dhe tjetrën. Allahu është në ndihmesë ndaj robit të tij përderisa ai është në ndihmesë ndaj vëllait të vet.” Këtu shohim se çdo mirësi e bërë ndaj muslimanëve dhe të tjerëve, sjellë mirësitë e Allahut. Kjo tregon se bamirësia ndaj njerëzve ka rezultat një jetë të lumtur. Veprat e përmendura, si: largimi i vështirësive ndaj të tjerëve, lehtësimi i gjërave të tyre, mbulimi i të metave të tyre dhe ndihma e Allahut ndaj njeriut, përbëjnë një jetë të lumtur. Tërë kjo realizohet përderisa këto vepra i vepron ndaj robërve të Allahut.

 

Hoxhë Jeton Bozhlani – Shkaqet e lumturisë – Trankriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit