Syefaqësia – sëmundja e dytë e zemrës

Syefaqësia (të kryesh një vepër për t’u parë)

Ai që kryen një vepër me syefaqësi (rija) shfaq para të tjerëve të kundërtën e asaj që fsheh në zemër. Çdo vepër që kryhet me qëllimin për të të parë të tjerët kjo është rija. Disa kanë thënë se ajo është kur ke qëllim jetën e kësaj bote me kryerjen e veprës, apo për t’u kthyer fytyrat e njerëzve kah ti.

Kanë ardhur paralajmërime të shumta në Kuran e sunet për rijanë. Allahu tregon në Kuran se ajo është cilësi e jobesimtarëve, “Mos u bëni si ata (jobesimtarët e Mekës) që dolën nga shtëpitë e tyre me mendjemadhësi e për sy e faqe të botës, duke dashur t’i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut.” Enfal 47, gjithashtu ajo është cilësi e hipokritëve, “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” Nisa 142. Gjithashtu nëse rijaja zë vend në zemër e asgjëson veprën, “Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit.” Bekare 264. Dhe hadithi: “A doni t’ju tregoj një gjë të cilës i frikësohem për ju më shumë sesa sprovës së Dexhalit? Shirku i fshehtë. Kur të ngritët njeriu të falet dhe e zbukuron (zgjatë) namazin e tij ngaqë të tjerët janë duke e parë.”

Rijaja është prej sëmundjeve më të rrezikshme me të cilën goditet zemra e besimtarit, kjo për disa arsye:

-ajo nuk shihet me sy, nuk preket, nuk dëgjohet me vesh, është e fshehur në zemrën e njeriut, madje as vetë personi nuk mund ta vërejë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gjëja për të cilën më së shumti frikësohem për ju është shirku i vogël.” E kanë pyetur se çfarë është dhe ka thënë: “Syefaqësia.” Dhe ka thënë: “O ju njerëz keni kujdes prej shirkut të fshehtë!” E kanë pyetur se çfarë është dhe ka thënë: “Kjo është kur njeriu ngritët të falë namaz dhe e zbukuron atë ngaqë e di se janë duke e shikuar.” Gjithashtu: “O ju njerëz keni frikë prej këtij shirku (të vogël- rijasë) ngase ai është më i fshehtë sesa ecja e milingonës.”

-ajo shton humbjen, shtynë drejt të keqes.

-atë që bën syfaqësi e urren Allahu. Ai i do të sinqertit, dhe nga kjo kuptohet se i urren ata që i kryejnë adhurimet me syefaqësi.

-atë do ta demaskojë Allahu në Ditën e Gjykimit para krijesave (nëse ka vdekur pa u penduar prej saj) dhe do ta poshtërojë. Disa dijetarë thonë se kjo edhe në këtë botë.

-ai do të dënohet në ahiret nëse vdes pa u penduar prej syefaqësisë.

Rijaja është më e fshehtë sesa ecja e milingonës, madje edhe për vetë neve, andaj duhet të kemi kujdes nga ajo. Ajo është shirk i vogël kur është e paktë, ndërsa kur është e shumtë mund të kalojë në shirk të madh. Kriteri i dallimit të tyre është: nijeti i veprës. Nëse ke për qëllim/nijet Allahun dhe botën tjetër kur shtyhesh të bësh një vepër, pastër prej syefaqësisë dhe sipas sunetit, kjo është vepra e mirë dhe e pranuar tek Ai. Nëse ajo që të shtynë e të nxitë është qëllimi për dikë tjetër përveç Allahut, ky është shirk i madh. Nëse qëllimi (në esencë) pse e bën veprën është për Allahun dhe shpërblimi i botës tjetër, mirëpo gjatë saj hyn syefaqësia (zbukurimi, përmirësimi se të tjerët po të shohin dhe dëshiron të dëgjojnë për ty), kjo është rijaja e cila është shirk i vogël (shirku në vepër, jo në besim) dhe e pakëson veprën për aq sa është sasia e tij; nganjëherë e përfshin shumicën e veprës e nganjëherë tërë veprën (e asgjëson).

Ilaçi për syefaqësinë është ikhlasi (sinqeriteti). Kur njeriu dëshiron shërimin e vetes prej rijasë duhet të veprojë këtë hapa:

-Të dijë se Allahu është Ai i Cili e ka krijuar, Ai e di të brendshmen dhe të jashtmen e tij. Allahu e ka krijuar për ta adhuruar vetëm Atë dhe e ka urdhëruar që adhurimin ta bëjë pastër dhe sinqerisht vetëm ndaj Tij. Ai na ka paralajmëruar prej shirkut dhe syefaqësisë.

-T’ia kujtojë vetes shpërblimin dhe kënaqësitë e shumta të përgatitura në botën tjetër për ata që janë të sinqertë në adhurimet dhe veprat e tyre.

-T’ia kujtojë vetes ndëshkimet e mëdha e të dhimbshme për ata që kanë syefaqësi e hipokrizi në veprat e tyre.

-Të dijë se Allahu e sheh dhe e dëgjon në çdo vepër që vepron.

-T’ia kujtojë vetes vdekjen, ringjalljen, llogaridhënien etj.

-Të kërkojë mbrojtje tek Allahu nga syefaqësia, të bëjë lutje tek Ai.

-Të dijë se njerëzit nuk të bëjnë dobi tek Allahu, por Ai do të shpërblejë për veprat dhe do të ndihmojë në botën tjetër. Andaj, të mos i përziejë veprat me syefaqësi (për sytë e njerëzve, për lëvdatat e tyre).

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit