Injoranca – Sëmundja e katërt e zemrës

Injoranca, padija

Mosdija është një sëmundje shumë e rrezikshme e cila godet zemrat, ajo i sëmurë aq shumë saqë ka mundësi edhe t’i vdesë. Për këtë Allahu ka paralajmëruar të Dërguarit e Tij dhe robër e Tij prej saj dhe të kemi kujdes nga padija rreth fesë së Allahut, “Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”. Hud 46, “Sikur Allahu të donte, do t’i kishte mbledhur ata në rrugë të mbarë, prandaj mos u bëj nga ata që nuk e dinë këtë!” Enam 35. Pse Allahu na paralajmëron aq shumë prej injorancës në fe? Kjo për disa arsye:

Injoranti do të jetë objekt/preh e shejtanit. Të gjitha dyert përmes të cilave depërton shejtani te njeriu e kanë pikënisjen te mosdija. Tek ajo bazohet shejtani për ta sulmuar njeriun e t’i bëjë vesvese dhe prej ku forcohet kundër tij. Injoranti nuk di se cilat janë rrugët apo mënyrat përmes të cilave depërton shejtani tek ai dhe nuk di rreth kurtheve e intrigave të tij (që të ikë prej tyre). Ai nuk e njeh të mirën prej të keqes, sunetin prej bidatit, ai ka mundësi të bie në të keqe duke menduar se bën mirë, të bie në bidat duke menduar se vepron një sunet. Në këtë mënyrë bëhet prej të humburve. Shembuj të atyre që janë goditur me këtë sëmundje: havarixhtë (sekt i humbur, kanë arrogancë, ashpërsi e injorancë të madhe, ajetet e zbritura për jobesimtarët i zbatojnë mbi muslimanët, andaj e kanë lejuar vrasjen e tyre), shijat (besojnë se kush e do Aliun dhe familjen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem do të hyjë në xhenet pa dhënë llogari e pa u ndëshkuar, nuk e pranojnë khalifatin e Ebu Bekrit), sufitë/dervishët (thonë se unë jam Allahu dhe Allahu është unë, afrohen tek Ai përmes muzikës, kërcimeve) etj.

Injoranca bëhet shkak që personi të bie në pozitën më të ulët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur përshkruan kategoritë e njerëzve në raport me dunjanë thotë: “Atij që i ka dhënë Allahu pasuri të madhe, por nuk i ka dhënë dije, ai vepron me të pa dije, dhe nuk e ka frikë Allahun në shpenzimin e saj, nuk e përdor atë për të mbajtur lidhjet farefisnore, nuk e di se Allahu ka të drejtë në pasurinë e tij (se duhet të shpenzohet në rrugën e Tij). Ky ka nivelin më të keq të njerëzve në raport me dunjan. Më keq se ky është ai që nuk ka as pasuri as dije, ai thotë (duke lakmuar shpenzimin e saj në gjynahe): “Të kisha pasuri të veproja sikur ai!” Ai do të shpërblehet sipas nijetit të tij (edhe ky ka mëkat për lakminë ndaj tjetrin i cili e shpenzon pasurinë në gjynahe). Mëkati i tyre është i barabartë.”

Injoranti bie në shirk dhe në mëkate të mëdha duke menduar se bën punë të mirë. Shembull: historia e popullit të Musait të cilët i kërkuan t’ua bënte një idhull: “Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait: “Na bëna edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota”. Araf 138. Gjithashtu dhe shembulli i jobesimtarëve të Mekës të cilët kanë kërkuar prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem që një ditë ai të adhurojë idhujt e tyre e një ditë ata të adhurojnë Allahun. Sa shumë prej myslimanëve ka që thonë shehadetin por për shkak të injorancës bien në shirk (lusin të vdekurit, bëjnë tavaf rreth varreve, therin kurban e betohen në dikë tjetër përveç Allahut etj.). Shembull tjetër: Vepra e popullit të Lutit, zhveshja e grave, imoraliteti (shkakun e kanë tek injoranca) etj.

Injoranti shtyhet për fanatizëm ndaj grupit, partisë, fisit, etnisë të tij etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çfarë është puna e këtyre thirrjeve të xhahiljetit?! Lërini se ato janë thirrje të qelbura.”

Nuk ka shërim për këtë zemër të sëmurë me sëmundjen e injorancës veçse duke e mësuar dijen fetare, duke u ulur me njerëzit e dijes. Kjo për dy shkaqe: zemra është vendi i nijeteve dhe nijetet nuk përmirësohen veçse me dije fetare, dhe zemra goditet me sëmundjen e epsheve dhe dyshimeve për të cilat nuk ka shërim veçse përmes dijes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Përse nuk pyetën kur nuk ditën? Shërimi i mosdijes është pyetja.” Kjo dije merret nga feja Islame, e cila është fe e dijes, e argumentit. Nuk mund të jesh besimtar i mirë nëse nuk mëson për fenë tënde. Nga gjërat që tregojnë se Islami është fe e dijes janë:

-Urdhri i parë i zbritur ka qenë: “Lexo!” Leximi është prej rrugëve të mësimit të dijes, fesë.

-Dija vjen para thënies dhe veprës, “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!” Muhamed 19.

-Allahu nuk e ka urdhëruar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem t’i lutet Atij që t’i shtojë diçka përveçse për dijen, “O Zoti im, shtoma dijeninë!” Ta he 114.

-Islami urdhëron pjesëtarët e tij që një grup i tyre të përcaktohen për kërkimin e dijes, “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut” Teube 122.

Ndërsa, sa i përket rezultateve të dobishme të dijes fetare ato janë të shumta, prej tyre përmendim: Dija mbjell në zemër frikën ndaj Allahut, në vetmi dhe në publik, dhe pastaj personi nxiton në vepra të mira, dija ngjall zemrën dhe ndriçon rrugën drejtë Allahut, dija të ngritë në këtë botë dhe tjetrën, dija të shpëton gjatë fitneve (trazirave, sprovave) etj.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit