Këshilla për haxhilerët

Këshilla për haxhilerët

  • Kryerja e haxhit është nga pesë obligimet mbi të cilat është ngritur Islami, është një nga shtyllat e Islamit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij (shehadeti), falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i muajit Ramazan.”
  • Haxhi është vizita e vendeve të shenjta, pra Qabesë në Meke dhe vendeve të shenjta përreth, në një kohë të caktuar që është para dhe gjatë Kurban Bajramit (muaji Dhul Hixhe) dhe me vepra (ritual) të caktuara të cilat i kërkon Allahu.
  • Vizita e Qabesë (haxhi) është obligim një herë në jetë dhe është udhëtimi i jetës. Allahu thotë në Kuran: “…dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën.” Ali Imran 97. Mundësi materiale dhe fizike.
  • Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në disa raste kur është pyetur se cila është vepra më e mira, (ndër to) ka përmendur: “Haxhi i pranuar.” Përderisa një vepër është kaq e dashur tek Allahu, pa dyshim edhe shpërblimi për të është shumë i madh. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka shpërblim për haxhin e pranuar veçse xhenetit.” Nga kjo kuptojmë se ka dhe falje të mëkateve, mirëpo edhe tekstualisht kemi hadith që thotë: “Kush kryen haxhin duke iu larguar veprave të shëmtuara dhe mëkateve, kthehet në shtëpi sikur ditën që e ka lindur nëna (pa mëkate).”

 

  • Porosi për haxhilerët

-Ta bëjë haxhin me sinqeritet për Allahun. Haxhiu të përpiqet në luftimin e syefaqësisë dhe qëllimeve të tjera të dunjasë. Nuk kryhet haxhi që njerëzit ta lavdërojnë, apo ta quajnë “haxhi”. Haxhi bëhet për Allahun. Pra, njeriu duhet të përmirësojë nijetin.

-Para se të marrë rrugë duhet të mësojë dhe njohë dispozitat e haxhit, të mësojë formën e haxhit sipas sunetit dhe ashtu siç Allahu është i kënaqur.

-Të pendohet prej mëkateve, sidomos prej mëkateve të mëdha.

– Gjatë udhëtimit ta përmendë Allahun.

– Të mos kalojë kohën me fjalë të padobishme, me shaka, me përgojime, me gënjeshtra etj.

 

Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit