Bashkëpjesëmarrje e drejtë – 1 – Hyrje

Detyrim themelor

Martesa është një lidhje e cila mbahet bashkë nga të drejta të ndërsjella dhe përgjegjësi për secilin bashkëshort. Është bashkëpjesëmarrje mes tyre, dhe të dy janë të obliguar të luajnë rol aktiv në këtë bashkëpjesëmarrje.

Burri është i caktuar si udhëheqës i familjes, dhe gruaja si ndihmëse e përkrahëse, ekspertiza e së cilës në shume fusha nuk mund të arrihet nga burri. Disa gra që janë infektuar nga idetë perëndimore duan të jenë udhëheqëse të familjes. Mirëpo, vetëm kaosi do të jetë rezultat në atë familje ku pozicionet korrekte dhe natyrale të bashkëshortëve ndërrohen.

Të dy, si burri dhe gruaja kanë të drejtat dhe detyrat e tyre. Martesë e lumtur dhe e suksesshme arrihet nëse që të dy i përmbushin detyrat e tyre dhe i respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit. Shkelja e këtyre të drejtave është rrugë e sigurt drejt mizërisë dhe dështimit.

Obligimet e përbashkëta dhe shpërblimet e përbashkëta

Disa përgjegjësi dhe obligime vlejnë njëjtë për burrin dhe gruan. Për shembull, obligimi i të besuarit në Allahun (subhanehu ue teala) dhe në pasimin e urdhrave të Tij është e njëjtë për të dy. Njashtu, të dy janë përgjegjës dhe llogariten për veprat e tyre. Të dy njëjtë janë të obliguar ta mësojnë fenë e drejtë, ta adhurojnë Allahun, dhe të thërrasin në rrugën e Tij. Standardet e moralit janë të njëjta për burrin dhe gruan, ashtu siç janë shumë rregulla të sjelljes ndaj të tjerëve. Burri dhe gruaja marrin shpërblime të njëjta për bindje ndaj Allahut (subhanehu ue teala) dhe dënim të njëjtë për mosbindje ose mëkatim. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. [En-Nahl 16:97]

Dhe Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim)”. [Al ‘Imran 3:195]

Në mes të barazisë dhe drejtësisë

Në krahasimin mes burrit dhe gruas, duhet ta vërejmë se Islami nuk barazon mes atyre që janë të ndryshëm në bazë. Ka çështje në të cilat burrave u është dhënë përparësi ndaj grave, dhe e kundërta. Këto përparësi rrjedhin nga dallimet në aftësitë e tyre për të bërë punë të caktuara. Andaj, në vend që të barazohen ata që kurrë nuk mund të jenë të barabartë, brenga jonë i drejtohet drejtësisë në sjelljet ndaj tyre. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. [En-Nisa 4:32]

Dallimet natyrale

Nga këto që thamë më sipër, arrijmë më përfundim se rregullat Islamike për sa i përket qenieve njerëzore vlejnë njëjtë për burrat dhe gratë. Por kjo nuk do të thotë se burrat dhe gratë janë të njëjtë në çdo gjë. Ka disa rregulla të cilat në mënyrë të rreptë vlejnë për gratë për shkak të natyrës së tyre femërore, dhe disa tjera të cilat rreptë vlejnë për burrat për shkak të natyrës së tyre mashkullore.

Prej udhëzimeve më të rëndësishme të lidhura me gjininë, ishte një nga fjalimet e fundit të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Amër Bin el-Ehuas elXhushami, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në Haxhin Lamtumirës (në Arafat) duke e lavdëruar dhe lartësuar Allahun, duke u përkujtuar dhe tërhequr vërejtjen njerëzve, dhe pastaj duke thënë:

Vini re! Kujdesuni mirë për gratë, sepse ato pa dyshim janë robër nën përkujdesjen tuaj, dhe ju nuk posedoni nga ato asgjë më shumë se ky (nënshtrim), përveç kur ato bëjnë ndonjë mëkat që duket qartë. Nëse e bëjnë këtë, braktisni në shtrat dhe rrihni lehtë ato. Nëse ju binden, mos përdorni dënim tjetër mbi to. Vini re! Ju keni të drejtë mbi gratë e juaja, dhe ato kanë të drejtë mbi ju. E drejta e juaj mbi to është që ato nuk duhet të ulin në shtretërit tuaj ose të lejojnë të hyjë në shtëpi dikë që ju nuk e pëlqeni. Vini re! Dhe e drejta e tyre mbi ju është që ju t’i trajtoni ato mirë për sa i përket ushqimit dhe veshjes”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i mirë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7880 dhe Iruaul Galil nr. 2030).

Kjo tregon qartë se ka disa të drejta specifike për gratë mbi burrat e tyre, dhe disa të drejta tjera për burrat mbi gratë e tyre. Duke pasur këtë në mendje, theksojmë se tema e këtij kapitulli është diskutimi i të drejtave dhe obligimeve të përbashkëta, duke lënë të drejtat gjinore dhe obligimet për kapitujt pas këtij.

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit