Bashkëpjesëmarrje e drejtë – 2 – Përgjegjësia dhe dhënia e llogarisë

Duke qenë udhëzues të familjes, të dy, burri dhe gruaja mbajnë përgjegjësinë e madhe të themelimit dhe edukimit të njësisë familjare. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdonjëri nga fëmijët e Ademit është udhëheqës. Burri është udhëheqës i familjes së tij, dhe gruaja është udhëheqëse e shtëpisë së saj”. Transmetuar nga Ibën us-Suni dhe Ebu Bek’r il-Mukri. U verifikua si i mirë nga Albani (Sahihah nr. 2041 dhe Sahihul Xhami nr. 4565).

Duke qenë udhëheqës dhe mbajtës të përgjegjësisë, të dy, burri dhe gruaja do të japin llogari para Allahut (subhanehu ue teala) për këtë përgjegjësi. Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdonjërit nga ju i është besuar një përgjegjësi, dhe çdonjëri nga ju do të japë llogari për të. Udhëheqësi është përgjegjës (për njerëzit e tij), dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Burri është përgjegjës për familjen e tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e saj. Shërbëtori është përgjegjës për pronën e kujdestarit të tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Dhe burri është përgjegjës për pasurinë e babait të tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Andaj, çdonjëri nga ju ka përgjegjësi, dhe çdonjëri nga ju do të japë llogari për këtë përgjegjësi”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Është shumë me rëndësi që burrat dhe gratë ta kuptojnë dhe ta kenë të qartë përgjegjësinë e madhe që bie mbi krahët e tyre. Kjo do t’i bënte ata që të punojnë shumë dhe të bashkëpunojnë mirë për të përmbushur misionin e tyre dhe të përgatisin përgjigjet e tyre për Ditën kur do të japin llogari për mënyrën me të cilën kanë bartur përgjegjësitë e tyre.

Kjo temë është shkëputur nga libri:

“Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

Përkthyer nga gjuha angleze

Kontrolloi: Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit