Bashkëpjesëmarrje e drejtë mes bashkëshortëve

Bashkëpjesëmarrje e drejtë mes bashkëshortëve

Detyrimi themelor

Martesa është një lidhje e cila mbahet së bashku nga të drejta të ndërsjella dhe përgjegjësi për secilin bashkëshort. Është bashkëpjesëmarrje mes tyre, të dy janë të obliguar të luajnë rol aktiv në këtë bashkëpjesëmarrje. Burri është caktuar si udhëheqës i familjes dhe gruaja si ndihmëse e përkrahëse, ekspertiza e së cilës, në shumë fusha nuk mund të arrihet nga burri. Disa gra që janë infektuar nga idetë perëndimore, duan të jenë udhëheqëse të familjes. Mirëpo, vetëm kaosi do të jetë rezultat në atë familje, ku ndërrohen pozicionet korrekte dhe natyrale të bashkëshortëve.

Të dy, si burri dhe gruaja, kanë të drejtat dhe detyrat e tyre. Martesë e lumtur dhe e suksesshme arrihet nëse të dy i përmbushin detyrat e tyre dhe i respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit. Shkelja e këtyre të drejtave është rrugë e sigurt drejt mizërisë dhe dështimit.

Obligimet dhe shpërblimet e përbashkëta

Disa përgjegjësi dhe obligime vlejnë njëjtë si për burrin ashtu dhe për gruan, shembull: obligimi i të besuarit në Allahun subhanehu ue teala dhe në pasimin e urdhrave të Tij, janë përgjegjës dhe llogariten për veprat e tyre, janë të obliguar ta mësojnë fenë e drejtë, ta adhurojnë Allahun dhe të thërrasin në rrugën e Tij. Standardet e moralit janë të njëjta si për burrin ashtu dhe për gruan, ashtu siç janë shumë rregulla të sjelljes ndaj të tjerëve.

Burri dhe gruaja marrin shpërblime të njëjta për bindje ndaj Allahut subhanehu ue teala dhe dënim të njëjtë për mosbindje ose mëkatim. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.”[1]

Dhe thotë Allahu subhanehu ue teala:

“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim).”[2]

Në mes barazisë dhe drejtësisë

Rreth krahasimit mes burrit dhe gruas, duhet të vërejmë se Islami nuk barazon mes atyre që janë të ndryshëm në bazë. Ka çështje në të cilat burrave u është dhënë përparësi ndaj grave dhe e kundërta. Këto përparësi rrjedhin nga dallimet në aftësitë e tyre për të bërë punë të caktuara. Brenga jonë i drejtohet drejtësisë në sjelljet mes tyre. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.”[3]

Dallimet natyrale

Nga këto që thamë më sipër, arrijmë në përfundim se rregullat islame, sa i përket qenieve njerëzore, vlejnë njëjtë si për burrat ashtu dhe për gratë. Por, kjo nuk do të thotë se burrat dhe gratë janë të njëjtë në çdo gjë. Ka disa rregulla të cilat fuqishëm vlejnë për gratë, për shkak të natyrës së tyre femërore dhe ka disa rregulla tjera të cilat fuqishëm vlejnë për burrat, për shkak të natyrës së tyre mashkullore.

Prej udhëzimeve më të rëndësishme rreth gjinisë femërore, ishte një nga fjalimet e fundit të të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Amër Bin el-Ehuas el Xhushami radijAllahu anhu ka treguar se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në Haxhin Lamtumirës (në Arafat), duke e lavdëruar dhe lartësuar Allahun, duke i përkujtuar dhe tërhequr vërejtjen njerëzve, pastaj ka thënë:

“Vini re! Kujdesuni mirë për gratë, sepse ato pa dyshim janë robër nën përkujdesjen tuaj dhe ju nuk posedoni nga ato asgjë më shumë se kaq (më shumë se ky nënshtrim ndaj jush), përveç kur ato bëjnë ndonjë mëkat që duket qartë. Nëse e bëjnë këtë, braktisni në shtrat dhe pastaj (nëse nuk përmirësohen), rrihni lehtë ato. Nëse ju binden, mos përdorni dënim tjetër mbi to. Vini re! Ju keni të drejtë mbi gratë e juaja dhe ato kanë të drejtë mbi ju. E drejta e juaj mbi to, është që ato nuk duhet të fusin në shtretërit tuaj ndokënd ose ta lejojnë të hyjë në shtëpi dikë që ju nuk e pëlqeni. Vini re! Dhe e drejta e tyre mbi ju, është që ju t’i trajtoni ato mirë sa i përket ushqimit dhe veshjes.”[4]

Kjo tregon qartë se ka disa të drejta specifike për burrat mbi gratë e tyre dhe disa të drejta tjera për gratë mbi burrat e tyre. Duke pasur këtë në mendje, theksojmë se tema e këtij kapitulli është diskutimi i të drejtave dhe obligimeve të përbashkëta, duke lënë të drejtat gjinore dhe obligimet në kapitujt pas këtij.

Përgjegjësia dhe dhënia e llogarisë

Duke qenë udhëzues të familjes, që të dy, burri dhe gruaja, mbajnë përgjegjësinë e madhe të themelimit dhe edukimit të njësisë familjare. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Çdonjëri nga bijtë e Ademit (njerëzit) është udhëheqës. Burri është udhëheqës i familjes së tij dhe gruaja është udhëheqëse e shtëpisë së saj.”[5]

Andaj, duke qenë udhëheqës dhe mbajtës të përgjegjësisë, burri dhe gruaja, do të japin llogari para Allahut subhanehu ue teala për këtë përgjegjësi. Ibën Umeri radijAllahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

 
“Çdonjërit nga ju i është besuar një përgjegjësi dhe do të japë llogari për të. Udhëheqësi është përgjegjës (për njerëzit e tij) dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Burri është përgjegjës për familjen e tij dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e saj. Shërbëtori është përgjegjës për pronën e kujdestarit të tij dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Dhe i biri është përgjegjës për pasurinë e babait të tij dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Andaj, çdonjëri nga ju ka përgjegjësi dhe do të japë llogari për këtë përgjegjësi.”[6] 

Është shumë me rëndësi që burrat dhe gratë ta kuptojnë dhe ta kenë të qartë përgjegjësinë e madhe që bie mbi krahët e tyre. Kjo do t’i bënte ata që të punojnë shumë dhe të bashkëpunojnë mirë për të përmbushur misionin e tyre dhe të përgatisin përgjigjet e tyre për Ditën kur do të japin llogari, për mënyrën me të cilën i kanë bartur përgjegjësitë e tyre.

[1] Surja En-Nahl, ajeti 97.

[2] Surja Ali Imarn, ajeti 195.

[3] Surja En Nisa, ajeti 32.

[4] Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i mirë nga shejh Albani në “Sahihul Xhami” nr. 7880 dhe “Iruaul Galil” nr. 2030.

[5] Ibën us-Suni dhe Ebu Bek’r il-Mukri. “Sahihah” nr. 2041 dhe “Sahihul Xhami” nr. 4565.

[6] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.


Titulli në origjinal: Rights and obligations between the spouses in Islam

Titulli: Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam

Autori: Muhammed Mustafa el Xhibali

Përktheu nga anglishtja: Umu Abdurrahman Retkoceri

Recensoi: Lulzim Perçuku

Redaktoi: Albiona Olluri

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit