Të drejtat e gruas 4

Shoqërimi dhe intimiteti

Bashkëshortja ka të drejtë mbi burrin e saj për përmbushje të kënaqësisë emocionale dhe fizike. Siç u njohëm, në ajetin e mësipërm (En Nisa 129), nuk i lejohet burrit ta neglizhojë gruan, duke shkaktuar gjendje të mënjanuar të saj, e të mos kënaqet me dashurinë dhe dhembshurinë e tij. Abdullah Bin Amër el Asi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka thënë atij:

“O Abdullah, a nuk më kanë njoftuar se ti agjëron ditëve dhe falesh netëve (në namaz)? Mos e bëj këtë, sepse do të të lodhen sytë dhe do të të dobësohet trupi. Andaj, agjëro (disa ditë) dhe prishe agjërimin (në ditë tjera) dhe ngrihu (për namazin e natës) dhe fli, sepse me të vërtetë, trupi yt ka të drejtë mbi ty, sytë tu kanë të drejtë mbi ty dhe gruaja jote ka të drejtë mbi ty. Vërtetë, do të të mjaftonte ty të agjërosh tre ditë në muaj, sepse për çdo vepër të mirë ti merr sa vlera e saj e dhjetëfishuar. Andaj, kjo do të llogaritej sikur të agjëroje gjithë kohën.” Abdullahi tha: “Por në veten time gjej fuqi të bëj më shumë.” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: “Atëherë agjëro në mënyrën në të cilën ka agjëruar Pejgamberi i Allahut, Davudi alejhis selam, dhe mos shto më shumë: gjysmën e kohës (një ditë agjërim e një ditë jo).” [1]

 

Shërbimi dhe ndihma

Siç do ta vërejmë në kapitullin e radhës, është më shumë përgjegjësi e gruas sesa e burrit, veprimi i disa detyrave të ndryshme brenda shtëpisë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që burri të jetë tërësisht jo i gatshëm t’ia shtrijë dorën e ndihmës gruas të tij. Përkundrazi, ndihmesa ndaj saj është shprehje e dashurisë dhe dhembshurisë së tij. Arsyetimi i zakonshëm: “Nuk kam kohë për këtë” është zakonisht i pavërtetë. I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më i zënë. Ai e ka bartur shpalljen, i ka udhëhequr ushtritë, i ka udhëhequr myslimanët dhe është kujdesur për të gjitha gratë e tij. Për më shumë, kur ai ishte në shtëpi, ka qenë në shërbim të familjes së tij. El Esuedi ka treguar se e ka pyetur Aishen radijAllahu anha: “Çfarë bënte në shtëpi i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem?” Ajo tha: “Ai ka qenë në shërbim të familjes së tij. Kur hynte koha e namazit, shkonte për t’u falur (në xhami).” [2]

Aishah radijAllahu anha gjithashtu është pyetur: “Çfarë bënte i Dërguari i Allahut në shtëpi?” Ajo u përgjigj: “Ai ishte si të tjerët: i pastronte rrobat e tij, e milte delen e tij dhe i shërbente vetës.” [3]

 

Disiplina

Udhëheqësi patjetër duhet të ballafaqohet me punën e ‘vështirë’ të disiplinës. Disiplina është një proces i rëndësishëm që duhet të zbatohet siç duhet; ajo i ka parimet dhe rregullat e veta. Mosrespektimi i këtyre rregullave, do ta minonte ose zhvlerësonte gjithë procesin dhe mund të rezultojë në më shumë dëm sesa dobi.

Burri, duke qenë udhëheqës i familjes, e ka për detyrë zbatimin e “ligjit të familjes” për mirëqenien e familjes. Rregullat e disiplinës në mes burrit dhe gruas së tij, janë caktuar nga Allahu subhanehu ue teala, në Librin e Tij dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Në vijim, Allahu subhanehu ue teala i përmend katër hapa kryesorë për sjelljen ndaj gruas së pabindur (e cila insiston në thyerjen e urdhrave të Allahut):

“…Sa i përket grave që ju i druheni mosbindjes dhe sjelljes së keqe nga ana e tyre, këshillojini, (e, nëse kjo s’bën dobi) mos i pranoni në shtrat dhe (në fund) i rrihni ato (lehtas). Por, nëse ato ju binden, atëherë mos ndëshkoni më. Allahu, me të vërtetë, është i Lartësuar dhe i Madhëruar! Nëse i druheni ndarjes midis burrit dhe gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë paqësim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Mirëinformuar.[4]

Ebu Bekër Ibnul Arabi radijAllahu anhu ka thënë:

“Nga më e mira që kam dëgjuar në shpjegimin e këtij ajeti, është thënia e Seid Ibën Xhubejrit, e cila është: Burri duhet ta këshillojë atë. Nëse ajo bindet, ai duhet të ndalet me aq, në të kundërtën, ai e braktisë atë. Nëse ajo bindet, ai duhet të ndalet me aq, në të kundërtën ai duhet ta godasë atë. Nëse ajo bindet, ai duhet të ndalet me aq, në të kundërtën ai duhet të kërkojë gjykim, me nga një ndërmjetës të caktuar nga të dy anët. Ndërmjetësit do shohin se kush po e shkakton problemin; në këtë pikë, martesa mund të përfundojë.” [5]

Ibën Kethiri ka komentuar në Fjalët: “I Lartësuar dhe Madhëruar”, në ajetin e parë (34), duke thënë:

“Kjo bart një paralajmërim të fortë ndaj burrave që i shkelin gratë pa arsye. Vërtetë, Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar pastaj është Mbrojtës i këtyre grave dhe Ai me të vërtetë do të marrë hak ndaj çdokujt që i shtyp dhe shkel ato.” [6]

Paralajmërim

Nga ajeti i mësipërm, shohim se hapi i parë në disiplinë është këshillimi /paralajmërimi. Burri nuk duhet të kalojë në hapin tjetër pa e marrë këtë hap. Këshillimi duhet të bëhet sinqerisht, në një mënyrë që i kënaq rregullat e mirësjelljes, në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.

Lekit Bin Sabirah radijAllahu anhu ka treguar se i ka thënë të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguar i Allahut! E kam një bashkëshorte që ka gjuhë fyese.” I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i propozoi: “Divorcoje!” Ai i tha: “Kam fëmijë me të dhe kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë.” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha:

Urdhëroje atë! Nëse ka mirësi në të, ajo do të të bindet. Mos e godit gruan tënde ashtu siç do ta godisje robëreshën tënde.” [7]

Braktisja

Nëse këshillimi dështon dhe gruaja vazhdon me sjelljen e saj jo të mirë, burri mund të kalojë në hapin tjetër, i cili është braktisja e shtratit të saj. Kjo është vepër e fortë disiplinuese e cila normalisht do ta dridhte qenien e gruas dhe do ta bënte ta kuptonte se burri i saj është i gatshëm ta braktisë shtratin dhe bukurinë e saj, për shkak të sjelljes së saj së pabindur, e cila është shpesh arsye e mjaftueshme për të që t’i tërhiqet vëmendja dhe t’i kthehet bindjes.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka praktikuar këtë lloj disiplinimi në disa raste. Ne do ta shohim në diskutimin tonë për Nënat e Besimtarëve, se ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë e ka braktisur Aishen dhe Hafsen. Në një rast tjetër, ai i ka braktisur të gjitha gratë e tij për një muaj, sepse ato kërkuan ndihmë financiare shtesë. Pastaj, Allahu subhanehu ue teala shpalli:

“O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.”[8]

Lejimi për goditje

Siç e pamë në ajetin e mësipërm të Sures En-Nisa (4:34), nëse dy hapat e parë nuk japin sukses dhe si pasojë ajo vazhdon të jetë e pabindur dhe këmbëngulëse, burri mund të kalojë në goditurit e saj.

Megjithatë, goditja ka kufizime: të mos jetë e dhimbshme, të mos lejë shenja në trup dhe duhet t’i iket fytyrës, kokës dhe pjesës së barkut. Amër Bin El Ahues el Xhushemi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

 “Vini re! Kujdesuni mirë për gratë, meqë ato vërtetë janë robër nën kujdesin tuaj dhe ju nuk posedoni prej tyre asgjë më shumë se kaq (nënshtrimin prej tyre), përveç nëse ato bëjnë mëkat haptas. Nëse e bëjnë këtë, braktisini në fjetje dhe goditni lehtë (pa lënë shenja në trup). Nëse ju binden, mos kërkoni rrugë tjetër për lëndimin e tyre (dhe argumentimin kundër tyre).”[9]

‘Ata radijAllahu anhu ka treguar se e ka pyetur Ibën Abasin radijAllahu anhu: “Çfarë është ‘goditja e lehtë’?” Ai u përgjigj: “Është goditja me misuak [10] ose diçka e ngjashme me të.” [11]

Dikush mund të pyesë: “Çfarë është dobia e goditjes së lehtë?” Përgjigja është se gruaja normalisht ka natyrë të ndjeshme dhe shfaqja më e vogël e ashpërsisë, do ta ndikojë atë pamasë dhe do shkaktojë që ajo t’i rishqyrtojë veprimet e saj. Në anën tjetër, nëse goditja e lehtë nuk funksionin me të, as goditja e rëndë nuk do funksionojë. Duhet ta kemi në mendje se qëllimi i goditjes është përmirësimi dhe përkujtimi e jo hakmarrja ose dëmtimi.

Mospëlqimi i të goditurit

Edhe pse burrit i është lejuar ta godasë gruan e tij në situata të caktuara, goditja e saj në Islam është e papëlqyer dhe llogaritet si prehje për atë që s’mund t’i ndihmojë vetes. Ijas Bin Abdilah ed-Deusi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Mos i godisni robëreshat e  Allahut (gratë)!”

Më vonë, Umeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alehi ue sel-lem duke thënë: “Gratë janë rebeluar ndaj burrave të tyre.” Kështu ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u dha leje burrave të tyre t’i godisnin ato. Në ditën vijuese, shumë gra erdhën te shtëpitë e të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem (d.m.th te gratë e tij), duke u ankuar. Ndaj, ai iu drejtua njerëzve duke u thënë:

“Vërtetë, numër i madh grash (ose shtatëdhjetë gra) kanë ardhur në shtëpitë e familjeve të Muhamedit, të gjitha duke u ankuar se burrat e tyre i kanë goditur. Pasha Allahun, ata që i godasin gratë e tyre, nuk janë më të mirët ndër ju.” [12]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është shembulli ynë, ai kurrë nuk e ka goditur ndonjërën prej grave të tij. Aishah radijAllahu anha ka treguar:

“I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk e ka goditur me dorën e tij asnjë grua, shërbëtor ose dikë tjetër, përveç kur ka luftuar në rrugën e Allahut.” [13]

Është e papërfytyrueshme se si burri mund ta godasë ashpër gruan e tij dhe pastaj të presë që ajo t’i japë kënaqësi intime atij! Abdullah Ibën Zem’ah radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Si mundet ndonjë nga ju që ta fshikullojë (rrah) gruan e tij siç fshikullohet deveja, e pastaj të bëjë dashuri me të në fund të ditës!?” [14]

Shumë burra i sjelljen keq me gratë e tyre në këtë aspekt dhe këtë e justifikojnë përmes teksteve që e obligojnë gruan t’i bindet burrit, ose që e lejojnë ta disiplinojë atë. Ata burra duhet ta kuptojnë se disiplina është një çështje e rregulluar mirë në Islam dhe nuk ka hapësirë për abuzim. Një burrë abuzues është vërtetë një tiran. Madje, një grua e abuzuar e ka të drejtën e plotë t’i kthehet drejtësisë dhe të kërkojë dënim për bashkëshortin e saj abuziv.

Divorci

E mësuam më lartë se hapi i fundit në procesin e disiplinës është gjykimi. Nëse ai nuk funksionon, nuk mbetet gjë tjetër përveç divorcit.

Divorci është e drejta e burrit. Por, është detyrë e tij ta praktikojë në vendin dhe vlerësimin e duhur dhe kur shfaqet domosdoshmëria. I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka pasur nëntë gra në të njëjtën kohë. Por, është vetëm një rast kur ai e ka zbatuar këtë “privilegj”. [15]

 

[1] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[2] Buhariu.

[3] Ahmedi, Buhariu në “Edebul Mufrad” dhe të tjerë. “Sahiheh” nr. 671.

[4] Surja En-Nisa, ajetet 34-35.

[5]Ahkamul Kuran”, 1:420.

[6]Tefsirul Kuranil Adhim”.

[7] Ebu Davudi, Ibën Hibani dhe të tjerë. “El Mishkat” nr. 3260 dhe “Sahihul Xhami” nr. 5870.

[8] Surja El Ahzab, ajetet 28-29.

[9] Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe. “Sahihul Xhami” nr. 7880 dhe “Iruaul Galil” nr. 2030.

[10] Siuak ose misuak – shkop i hollë dhe i shkurtë (20 cm), i prerë nga rrënjët e një druri nga shkretëtira të quajtur Arak, e që përdoret për t’i pastruar dhëmbët.

[11] Kurtubiu “El Xhami li Ahkamil Kuran”, 5:172

[12] Ebu Davudi, Ibën Nesaiu dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 5137.

[13] Muslimi dhe të tjerë.

[14] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[15] Shih biografinë e Hafses më vonë në këtë libër.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit