Të drejtat e gruas 3

Trajtimi i mirë dhe mëshira

Obligim mbi burrin

Gruaja e ka të drejtë të respektohet dhe të trajtohet mirë. Kjo nuk është një mirësi zgjedhore nga bashkëshorti i saj, por një obligim i vendosur nga Allahu i Madhëruar. Ajo çfarë burri nuk mund ta kontrollojë, d.m.th. prezencën e zemrës, nuk duhet të ndikojë në mënyrën e trajtimit të gruas së tij. Allahu azze ue xhel urdhëron:

“Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” [1]

Shenjë e natyrës së tij të mirë

Pasqyrimi i mirësisë ndaj gruas së tij, është shenjë e natyrës së mirë dhe drejtësisë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka dhënë shembullin e përkryer se si besimtari i drejtë duhet ta trajtojë gruan e tij. Aishah radijAllahu anha ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Më i miri prej jush është ai i cili është më i miri me familjen e tij. Dhe unë jam më i miri prej jush ndaj familjes sime.” [2]

Ebu Hurejra, Ibën Abasi dhe të tjerë radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Më të mirët prej jush janë ata të cilët janë më të mirët ndaj grave të tyre (ose familjes).”[3]

Ebu Hurejra radijAllahu anhu gjithashtu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Besimtarët më të kompletuar në besim janë ata me sjelljet më të mira dhe më të mirët prej tyre janë ata të cilët janë më të mirët ndaj grave të tyre.”[4]

Të kuptuarit e natyrës së saj të brishtë

Gruaja ka natyrë të brishtë, fizikisht dhe emocionalisht. Të kuptuarit e kësaj ia mundëson burrit ta trajtojë atë me konsideratë dhe mëshirë.

Enesi radijAllahu anhu ka treguar se njëherë i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë në një udhëtim së bashku me gratë e tij. Një ngasës i devesë abisinian, i quajtur Enxhesheh, po i ngiste devetë (mbi të cilat ishin gratë). Ai këndonte tekste poezish gjatë ngasjes së deveve dhe këndimi i tij i bënte devetë e grave të ecnin më shpejtë. Kështu, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha:

“Mjerë për ty, o Enxhesheh! Ngadalë, mos e nxito (në këndimin tënd) ngasjen e “enëve të kristalta (qelqta).” [5] [6]

Sipas një numri dijetarësh, duke përfshirë edhe Buhariun, Kurtubiun, dhe Askalanin[7], i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me këtë ka pasur për qëllim dy gjëra:

  1. Gratë kanë natyrë dhe trup delikat, e ngasja shumë e shpejtë e tyre mund t’i dëmtojë ato ose t’i bëjë të rrëzohen.
  2. Gratë kanë natyrë emocionale, duke e bërë të lehtë që ato të preken nga këndimi dhe poezia, gjë që mund t’i ndikojë zemrat e tyre dhe t’u sjellë fitne.

Të kuptuarit dhe ballafaqimi me qëndrimin e gruas

Çdo person, mashkull apo femër, mund të shfaqë qëndrim të zemërimit, herë pas here. Burri, zemërimin e saj të rastit, nuk duhet ta bëjë si mjet për shpagim dhe hakmarrje. Më saktë, ai duhet të ballafaqohet me të përmes shakasë ose me kujdes, duke e pasuar shembullin e të Dërguarit të Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Aishah radijAllahu anha ka treguar se një ditë i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i kishte thënë asaj:

“Vërtetë, e di kur je e kënaqur me mua dhe kur je e zemëruar. Kur je e kënaqur me mua, thua (gjatë betimit): “Jo, pasha Zotin e Muhamedit.” Dhe kur je e zemëruar me mua, thua: “Jo, pasha Zotin e Ibrahimit.” Ajo ia ktheu: “Po vërtetë, pasha Allahun, o i Dërguari Allahut. Nuk braktisi tjetër gjë (kur jam e zemëruar), përveç emrit tënd.”[8]

Të kuptuarit e natyrës së gruas (bririt të lakuar)

Kur gruaja e bën një gabim, bashkëshorti i saj duhet të ketë durim dhe dashamirësi, duke e kuptuar se diçka nga ajo që duket si gabim, mund të mos jetë e tillë. Gruaja ka natyrë ndryshe nga ajo e burrit, dhe kështu ajo mund t’i marrë veprat më ndryshe nga ai.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka treguar se gruaja (Hava) është krijuar nga briri i burrit (Ademit). Sipas natyrës së tij, briri është i lakuar. Kështu, natyra e gruas asnjëherë nuk do të përputhet plotësisht me të burrit, sepse ka një ‘lakore’ mes tyre.

Mund të thuhet gjithashtu, se nga këndvështrimi i gruas, ka një lakore në natyrën e burrit, që do të thotë se veprat e tij asnjëherë nuk do të përputhen plotësisht me të saj.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar:

“Kujdesuni mirë për gratë, sepse gruaja është krijuar nga briri i lakuar, dhe pjesa më e lakuar e bririt është fundi i sipërm. Nëse insiston ta drejtosh atë, do ta thyesh dhe nëse e lë ashtu, do të mbetet i lakuar. Andaj, kujdesuni mirë për gratë.”[9]

Në këtë hadith, përmendja e pjesës së sipërme të bririt, duket se ka për qëllim kokën, e cila i sistemon aftësitë më madhore të njeriut (shikimin dhe dëgjimin) dhe gjuhën, e cila e bën të folurit. Koka është gjithashtu pjesa e trupit në të cilën ndodh procesi i të menduarit. Ibën Haxheri radijAllahu anhu ka thënë:

“Është e mundur që ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, e ka dhënë këtë shembull për pjesën e sipërme të gruas, sepse pjesa e saj e sipërme është koka, e cila përfshin gjuhën, prej së cilës vjen dëmi.”[10]

Kjo do të thotë që dallimi në mes burrit dhe gruas është rëndom në qasjen e tyre të ndryshme kundrejt ballafaqimit me çështje të cilat përfshijnë ‘të menduarit’, mënyrës se si i perceptojnë gjërat dhe se si reagojnë emocionalisht (duke qeshur, mallkuar, gënjyer etj), në rrethana të ndryshme.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar:

“Ai i cili e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, kur e dëshmon një çështje, duhet të thotë diçka të mirë ose të heshtë. Kujdesuni mirë për gratë, sepse gruaja është krijuar nga briri, dhe pjesa më e lakuar e bririt është pjesa e sipërme. Kështu, nëse insistoni ta drejtoni atë, do ta thyeni dhe nëse e lini, do të mbetet i lakuar. Andaj, kujdesuni mirë për gratë.” [11]

Këshilla në këtë, sa i përket thënies së fjalëve të mira, e konfirmon atë që e kemi potencuar, se koka duke qenë burimi i fjalëve, është gjithashtu burimi i dallimeve në mes burrit dhe gruas dhe prej së cilës duhet të jenë vigjilent.

Semurah radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Gruaja është krijuar nga briri. Nëse provon ta drejtosh bririn, do ta thyesh. Andaj, bëhu i mirë me të, pastaj do të jetosh (në gëzim) me të.”[12]

Në këtë fjali, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, detyrimin e gruas për të ndryshuar disa nga vetitë e saj, e përshkruan si thyerje të bririt dhe thyerja e bririt do të thotë divorcimi. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Gruaja është krijuar nga briri. Ajo nuk do të jetë e drejtë sipas rrugës tënde. Nëse kënaqesh me të, kënaqesh duke pasur shtrembërim në të. Dhe nëse provon ta drejtosh atë, do ta thyesh, e thyerja e saj është divorcimi i saj.” [13]

Ta shikosh anën e saj të mirë

Nga ajo që u tha më lartë, arrijmë në përfundim se burri duhet t’i anashkalojë disa nga gabimet e gruas, përderisa nuk janë mëkate. I Dërguari i All-llahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka treguar se ndryshimi i disa vetive të gruas, është i vështirë ose pothuajse i pamundur.

Ashtu sikurse burri, as gruaja nuk është e përkryer. Për ta shijuar martesën, burri duhet të falë dhe t’i anashkalojë disa nga veprat e gruas, të cilat atij nuk i pëlqejnë. Në të njëjtën kohë, ai duhet të jetë mirënjohës ndaj veprave të saj, të cilat atij i pëlqejnë. Sigurisht, në të shumtën e rasteve, pikat e saj të mira i tejkalojnë ato të këqijat. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” [14]

Ebu Hureja radijAllahu anhu ka thënë se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Besimtari të mos e urrejë besimtaren. Nëse atij nuk i pëlqen një cilësi, do t’i pëlqejnë të tjerat cilësi të saj.” [15]

Të ndalurit vetëm në anën e keqe, duke e injoruar anën e mirë, është një rrugë e sigurt drejt shkatërrimit të martesës. Nëse burri e injoron këtë fakt, martesën e tyre do ta mbushë vuajta, mjerimi dhe mërzia, e kjo mund të dërgojë në divorc.

Të argëtuarit e bashkëshortes

Është e preferuar për burrin të jetë lozonjar e shakatar me gruan e tij dhe të bëjë gjëra të lejueshme që do ta argëtonin atë e që do sillnin hare në zemrën e saj. Kjo ka qenë traditë te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me gratë e tij, siç transmetohet në mënyrë të gjerë nga Aishah dhe nënat tjera të besimtarëve radijAllahu anhuma. Shembull i mirë është hadithi për Ummu Dherrin, që prezantohet në fund të këtij libri.

Xhabir ibën Abdilah dhe Xhabir bin Umejr radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Çdo gjë që nuk përfshin përmendje të Allahut, është e pavlerë, hutim dhe lojë,  përveç katër gjërave: një burrë që e argëton gruan e tij, një që e ushtron kalin e tij, një që ecë mes dy caqeve (kur praktikon shigjetarinë) dhe një i cili ia mëson notin një burri tjetër.”[16]

Dhënia selam gruas dhe familjes

Muslimani duhet t’i japë selam muslimanëve tjerë kur t’i takojë ata. Ky obligim është i konfirmuar edhe më shumë me familjen. Në vend të përdorimit të përshëndetjeve jo islamike, si: “Tung”, “Mirëmëngjesi”, “Mirupafshim”, “Kalofsh mirë” etj., njeriu duhet të përdorë përshëndetjen e bekuar të Islamit “Es selamu alejkum”.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Vërtetë, Islami ka gurë dhe shenja (që tregojnë kufijtë e tij) sikur shenjat e rrugës. Prej tyre është të besosh në Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë në adhurim, kryerja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, kryerja e Haxhit në Shtëpinë (Qabe), urdhërimi për të mirë, ndalimi nga e keqja, përshëndetja e familjes me selam kur të hysh tek ta (në shtëpi) dhe përshëndetja e njerëzve me selam kur të kalosh pranë tyre. Kush e lëshon ndonjërën nga këto, pa dyshim ka lëshuar një pjesë të Islamit dhe kush i lëshon të gjitha këto, pa dyshim ia ka kthyer shpinën Islamit.”[17]

Paanësia dhe drejtësia

Është obligim mbi bashkëshortin të jetë udhëheqës i familjes, ta trajtojë gruan dhe familjen e tij me paanësi dhe drejtësi. Dështimi në këtë, është indikacion i dështimit të udhëheqjes së familjes.

Bashkëshorti nuk duhet ta përdorë epërsinë e tij materiale dhe fizike për ta shtypur gruan. E kemi diskutuar në kapitullin e mëparshëm ndalimin e shtypjes. Këtu vetëm do ta përmendim sërish hadithin e Xhabir bin Abdilahit dhe Abdullah Ibën Umejrit radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Largojuni padrejtësisë, sepse ajo do jetë errësirë në Ditën e Gjykimit.”[18]

[1] Surja En-Nisa, ajeti 19.

[2] Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe të tjerë. “Sahihah” nr. 285.

[3]  Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 3265, 3266, 3316.

[4] Tirmidhiu dhe Ibën Hibani. “Sahihah” nr. 284.

[5] Fjala “enët e qelqta” . i referohet grave në këtë rast, që janë të atilla që thyhen lehtë, të brishta e të ndjeshme.

[6] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[7] Siç e gjejmë në “Fet’hul Bari”.

[8] Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.

[9] Buhariu dhe Muslimi

[10]Fet’hul Bari” nr. 5186.

[11] Muslimi.

[12] Ahmedi, Ibën Hibani dhe Hakimi. “Sahihul Xhami” nr. 1944.

[13] Muslimi dhe Tirmidhiu.

[14] Surja En Nisa, ajeti 19.

[15] Muslimi dhe Ahmedi.

[16] Nesaiu. “Sahihul Xhami” nr. 4534 dhe “Sahihah” nr. 315.

[17] Ibën Selam në “El-Iman”, Hakimi dhe të tjerë. “Es-Sahiha” nr. 333.

[18] Muslimi dhe të tjerë.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit