Të drejtat e gruas 2

Përkrahja financiare

Pjesë e të qenët i përgjegjshëm

Një nga përgjegjësitë e mëdha të burrit përballë gruas dhe familjes, është ofrimi i përkrahjes financiare. Kjo përgjegjësi është nga arsyet e rëndësishme për të cilën Allahu e ka caktuar burrin si udhëheqës të familjes:

“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” [1]

Në hadithin e Xhabirit radijAllahu anhu që e cekëm më herët, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Ato (gratë tuaja) kanë të drejtë mbi ju: t’i furnizoni ato me ushqim dhe veshje në mënyrë të duhur.”[2]

Furnizimi të jetë në përputhje me mundësitë e bashkëshortit

Përkrahja financiare që kërkohet prej burrit është në përputhje me mundësitë e tij financiare. Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë që (njeriu) e ka.”[3]

Burri nuk është i detyruar të japë më shumë sesa që ka, e as nuk i lejohet të japë ndihmë të mangët kur ka mundësi të japë më shumë. Allahu subhanehu ue teala, sa i përket grave të cilat burrat i ndajnë para se të kenë marrëdhënie me to, thotë:

“Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira.” [4]

Dhe Allahu subhanehu ue teala, për furnizimin e grave të shkurorëzuara gjatë periudhës së tyre të pritjes, thotë:

“Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” [5]

Vetëmjaftueshmëria

Burri duhet ta shikojë seriozisht çështjen e përgjegjësisë së tij financiare ndaj gruas dhe familjes së tij. Ai nuk duhet t’u drejtohet të tjerëve për ndihmë para se t’i ketë marrë të gjitha shkaqet e mundshme për t’u pavarësuar dhe për t’u bërë i vetëmjaftueshëm. Vetëmjaftueshmëria e sjell ndjenjën e sigurisë dhe dinjitetit tek e gjithë familja. Si rrjedhojë, është një synim që e meriton kërkimin më serioz.

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Pasha Allahun, që ndonjëri prej jush të shkojë në mëngjes, të mbledhë dru, t’i bartë në shpinë dhe t’i shesë për t’i plotësuar nevojat e tij, e të japë sadaka nga to, kjo është më mirë për të sesa të shkojë te një njeri dhe t’i kërkojë atij, e ai t’i japë ose ta refuzojë. Kjo është kështu, sepse dora e lartë (ajo që jep) është më e mirë se dora e ultë (ajo që merr). Dhe filloni (t’u jepni) me ata me të cilët jeni përgjegjës.” Dikush e pyeti: “Për kënd jam përgjegjës unë, o i Dërguar i Allahut?” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: “Gruaja jote është nga ata për të cilët je përgjegjës, robëresha jote dhe fëmija yt.”[6]

Për fat të keq, shohim se shumë burra myslimanë në Perëndim, mbështeten fort ose vetëm në ndihmën financiare ose atë publike, përderisa i kanë mundësitë për t’u vetëmjaftuar, siç ceket në hadithin më lartë. Është gjithashtu përçmuese të vërehet që ka raste kur një burrë i marton dy ose më shumë gra, dhe të gjitha jetojnë me ndihmën publike, përderisa ai udhëheq një jetë të papërgjegjshme, duke mos e përmbushur detyrën e tij të mbajtjes së tyre, madje në disa raste duke ua marrë atyre paratë që i fitojnë dhe duke i përdorë ato për nevoja të veta.

Një bamirësi që shpërblehet shumë

Përveç që është një obligim për burrin të shpenzojë për gruan dhe familjen e tij, ky shpenzim numërohet edhe si sadaka për të. Amër Bin Umejjeh ed-Damri radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

                             “Çfarëdo që burri i jep gruas së tij, është sadaka.”[7]

Ebu Mes’ud El Ensarij radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kur burri (muslimani) shpenzon në familjen e tij, duke e kërkuar shpërblimin nga Allahu, kjo llogaritet si sadaka për të.”[8]

Sa’d Bin Ebi Uekasi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Vërtetë, për ato para që i shpenzon në familjen tënde, do të shpërblehesh, qoftë edhe për një kafshatë që e vendos në gojën e gruas tënde.”[9]

El Mikdam Bin Ma’di Jakribi radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Çfarëdo qoftë ajo me të cilën e ushqen veten, është sadaka për ty. Çfarëdo qoftë ajo me të cilën e ushqen fëmijën tënd, është sadaka për ty. Çfarëdo qoftë ajo me të cilën e ushqen gruan tënde, është sadaka për ty. Dhe çfarëdo qoftë ajo me të cilën e ushqen shërbëtorin tënd, është sadaka për ty.”[10]

Mënyra më e mirë e të shpenzuarit

Brenga e burrit duhet së pari të jetë për ta plotësuar nevojën e gruas dhe familjes së tij, në mënyrë të arsyeshme. Madje edhe para se të japë pasuri në rrugën (çështjen) e Allahut. Xhabir Bin Semurah radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kur ndonjërit prej jush i jep Allahu ndonjë të mirë (që është furnizimi), ai duhet të fillojë me (shpenzimin për) veten dhe anëtarët e familjes së tij.” [11]

Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Dinari që e shpenzon për rrugën e Allahut (që është xhihadi), dinari që e ofron për lirimin e një robi, dinari që e jep si lëmoshë për nevojtarin dhe dinari që e shpenzon në familjen tënde, shpërblimin më të madh e ka dinari që e shpenzon për familjen tënde.”[12]

Kujdesi adekuat është një e drejtë meritore e gruas

Nëse një njeri nuk e mban financiarisht gruan e tij, në pajtueshmëri me burimet e tij financiare dhe nevojat e saj, ajo do arsyetohet të marrë pa lejen e tij një pjesë të parave të tij, që do t’i mjaftonin asaj dhe fëmijëve të saj.

Aishah radijAllahu anha ka treguar se Hind Bint Utbeh shkoi te i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Vërtetë, Ebu Sufjani është njeri koprrac. Ai nuk më jep aq sa do më mjaftonte mua dhe fëmijëve të mi, përveç asaj që e marr pa dijen e tij.” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha:

“Merr nga pasuria e tij në mënyrë të arsyeshme, aq sa do të mjaftonte ty dhe fëmijëve tu.”[13]

Mëkati i madh i neglizhencës

Është mëkat i madh për burrin ta neglizhojë mbajtjen mirë të gruas së tij dhe të tjerëve që varen nga ai. Abdullah bin Amër radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Mëkat i mjaftueshëm për ty do ishte ta mbash peng (mbështetjen) ndaj atyre për të cilët je përgjegjës për t’i ushqyer.”[14]

Në një transmetim tjetër, Abdullah Bin Amër radijAllahu anhu ka thënë se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Mëkat i mjaftueshëm për personin do të ishte që ai t’i neglizhojë ata të cilët duhet t’i ushqejë (që i ka nën përgjegjësi).”[15]

Të furnizuarit e saj me ushqim, veshje dhe nevoja tjera elementare

E drejta e gruas për mbështetje financiare, përfshin ushqimin dhe veshmbathjen. Allahu azze ue xhel për gratë kujdestare, thotë:

“Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje.”[16]

Domethënia e njëjtë shihet në hadithin e mësipërm të Xhabirit (pak më lartë). Mu’auijeh Bin Hajdeh el Kushejri radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“E drejta e gruas mbi burrin e saj, është që ai ta ushqejë atë kur të hajë vetë, ta veshë atë kur të vishet vet, t’i ikë goditjes së fytyrës së saj, ta evitojë përçmimin e saj (përmes fjalëve ose veprave) dhe mos ta bojkotosh atë (para syve të tjerëve) përveçse brenda shtëpisë.”[17]

Në një transmetim tjetër, Mu’auijeh Bin Hajdeh radijAllahu anhu ka thënë se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguar i Allahut! Cila është e drejta gruas mbi bashkëshortin e saj?” Ai sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u përgjigj:

“E drejta e saj mbi ty është që ta ushqesh atë kur të ushqehesh vetë, ta veshësh atë kur të vishesh vetë, të mos i thuash: “Je e keqe (në fytyrën tënde, familjen e fisin tënd etj)”, mos ta godasësh dhe mos ta bojkotosh atë (para syve të tjerëve) përveçse brenda shtëpisë (veçanërisht pasi jeni bërë shumë intimë me njëri-tjetrin), përveç në gjëra që e lejojnë të dënuarit e saj.”[18]

Ofrimi i një vendbanimi të arsyeshëm

Është e drejtë për gruan të ketë vendbanim të arsyeshëm në varësi të mundësisë financiare të bashkëshortit. Allahu azze ue xhel thotë:

“Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafe për t’i detyruar (të largohen).” [19]

Edhe pse ky ajet në mënyrë direkte zbatohet te gratë e divorcuara gjatë periudhës së tyre të pritjes, kuptimi i tij është më i përgjithshëm. Gjithashtu zbatohet te të gjitha ata për të cilat burri është përgjegjës, më të rëndësishmit: gruaja dhe fëmijët e tij.

Mehri (Dhurata e martesës)

Sadaku ose mehri është e drejta e parë financiare e gruas mbi burrin e saj. Ajo kërkohet me kryerjen e kontratës së martesës.

 

[1] Surja En-Nisa, ajeti 34.

[2] Muslimi dhe Ebu Davudi.

[3] Surja El-Bekare, ajeti 286.

[4] Surja El-Bekare, ajeti 236.

[5] Surja Et-Talak, ajeti 7.

[6] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Pjesa e fundit transmetohet nga Darakutniu dhe Ahmedi në “Iruaul Galil” nr. 834.

[7] Ahmedi. E saktësoi shejh Albani në “Sahihah” nr. 1204 dhe “Sahihul Xhami” nr. 5540.

[8] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[9] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

[10] Ahmedi, Taberani në “El-Kebir” dhe Buhariu në “Edeb el Mufrad”. “Sahihah” nr. 452.

[11] Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

[12] Muslimi.

[13] Muslimi.

[14] Muslimi.

[15] Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 4481 dhe “Iruaul Galil” nr. 894.

[16] Surja El Bekare, ajeti 233.

[17] Taberani në “El Kebir”, Hakimi dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 3149 dhe “Iruaul Galil” nr. 2033.

[18] Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibën Maxhe. në “Sahih Ebi Davud” nr. 1875-1877 dhe “Iruaul Galil” nr. 2033.

[19] Surja Et-Talak, ajeti 6.

 

Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit