Bëj durim me fëmijën tënd!

  • Me fëmijët duhet bërë durim. Kur fëmija është agresiv apo i padëgjueshëm, prindi duhet të tregohet shumë i durueshëm dhe duhet të dijë se në edukimin e fëmijës ka shpërblim të madh. Nëse ai bëhet shkak për udhëzimin e fëmijës së tij, do t’i vijnë shpërblimet edhe pas vdekjes duke qenë në varr. Mjafton ta mendojë këtë që të tregohet i durueshëm gjatë edukimit të fëmijës duke u përpjekur të gjejë të gjitha metodat se si ta udhëzojë fëmijën e tij në Islam me lejen e Allahut. Ky është një investim shumë i madh jetësor. Prindi përveç që do të ketë shpërblime sa është gjallë, po ashtu do të ketë shpërblime edhe pasi vdes, për aq sa jeton fëmija e tij. Kështu, prindi e ka mësuar fëmijën e vet, pastaj ai e mëson fëmijën e vet, përsëri shpërblimet do t’i shkojnë sepse kjo është në formë zinxhirore. Kur besimtari e llogarit këtë shpërblim të madh duhet të tregohet i durueshëm duke përballuar çdo gjë nga fëmija i tij, çdo agresivitet e padëgjueshmëri. Para kësaj më e rëndësishme është bërja lutje tek Allahu që Ai ta udhëzojë fëmijën. Nuk është teprim nëse themi që të lutet në çdo namaz, madje dhe në çdo rekat, qoftë namaz farz apo tjetër, që ta ruajë Allahu e ta udhëzojë në rrugën e drejtë fëmijën e tij. Allahu ka përmendur se kjo është prej lutjeve që i bëjnë besimtarët e mirë, robërit e zgjedhur të Allahut, thotë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” Furkan 74. Lutje tek Allahu e pastaj veprim të shkaqeve (t’i afrohen shkaqet e udhëzimit e t’i largohen ato të devijimit, të largohet prej shoqërisë së keqe etj.).

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit