Besimi dhe vepra e mirë

Besimi dhe vepra e mirë

Çdo njeri përpiqet për të gjetur lumturinë. Porse, kjo dallon te njerëzit varësisht se çfarë rruge zgjedhë secili për ta arritur atë. Dikush gabon në këtë gjë, dhe nuk e gjen kurrë. Kështu, disa mendojnë se pasuria është rruga që ua sjellë lumturinë, dikush mendon se është pozita etj. E ata, të cilëve Allahu u ka dhënë sukses, kanë hedhur shikimin pak më larg dhe kanë gjetur rrugën e lumturisë, që është: besimi dhe veprat e mira, të dyja së bashku. Pra, rrugë kryesore e lumturisë është besimi në Allahun dhe veprat e ndërtuara sipas tij.

Autori i librit, shejkh Aburrahman ibn Nasr es Sadi rahimehullah, thotë: “Vërtet, rehatia e zemrës, qetësia dhe gëzimi i saj, si dhe largimi i shqetësimeve e brengave, është dëshirë e çdonjërit, sepse me këtë arrihet jeta e këndshme, hareja dhe gëzimi. Ndërsa, për të arritur këtë, ekzistojnë arsyet fetare, të natyrshme dhe ato praktike.”

Në këtë botë gjithmonë njeriu ecën mes dy gjërave: lumturisë e të mirave dhe vështirësive e sprovave. Këto janë pjesë e jetës së tij. Besimtari dallon (nga të tjerët) në këto dy gjëra, sepse ai e ka fenë me vete, ka besimin në Allahun, që ia lehtëson gjërat. Kështu, kur është në mirëqenie tregohet modest, falënderues, përulës, mirënjohës, e di se të mirat që ka janë prej Allahut, e jo nga aftësitë apo fuqia e tij, ndërsa kur është në vështirësi bën durim, pajtohet me caktimin e Allahut dhe e di se kjo është me caktimin e Tij; kur ka sprova, shpreson e llogaritë në shpërblimin e Allahut. Kur e di se pas sprovës vjen shpërblimi dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi prej Allahut, atëherë këtë e përjeton në mënyrë të këndshme. Kështu përballohet jeta me besim dhe vepra të mira. Kjo (këto dy aspekte) është jeta e lumtur, e përmendur në Kuran, si në ajetin: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Pra, do të shijojë jetë të lumtur, të qetë, të begatshme. Autori thotë: “Bashkimi i të gjitha të mirave për një jetë të mirë, përjetimi i të mirave, qetësia e mos trazimi në vështirësi dhe shpërblimi në jetën tjetër, kjo ndodhë vetëm te besimtari. Ndërsa, tek ata që nuk janë besimtarë, mund të ndodhë që në ndonjë periudhë të caktuar të kenë përjetime të mira vetëm në anën materiale, por jo që do të kenë jetë të lumtur e të qetë (nga ana shpirtërore).”

Në këtë ajet përmendet shkaku kryesor i cili ofron një jetë të lumtur dhe shpërblim në jetën tjetër, që është: besimi dhe veprat e mira. Nëse një vepër e mirë nuk shoqërohet me besimin në Allahun, nuk llogaritet tek Ai prej veprave që ka shpërblim. Në anën tjetër, një besim i cili nuk prodhon vepra të mira, është i pa saktë. Besimi dhe vepra janë dy gjëra që nuk ndahen. Vepra është shenja/argumenti kryesor i besimit. Bërja e veprave të mira sjellë lumturi, kënaqësi. Një besim i fuqishëm, i saktë, ka rezultat veprat e mira, e gjithsesi edhe veprat e mira fuqizojnë besimin. Kur te personi ngërthehen besimi dhe vepra e mirë, atëherë të mirat që ka do t’i përjetojë me kënaqësi, por edhe sprovat do t’i kalojë me qetësi.

 

Hoxhë Jeton Bozhlani – Bazuar në librin “Këshilla të dobishme për një jetë të lumtur”.

-Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit