Cila është vepra e mirë dhe cila është vepra e keqe?

Cila është vepra e mirë dhe cila është vepra e keqe?

Çdo musliman duhet të dijë se veprën e mirë e do Allahu dhe është i kënaqur me të, ndërsa veprën e keqe nuk e do, e urren dhe nuk është i kënaqur me të. Krahas kësaj, duhet të dijë se vepra e mirë e tërheq pas shpërblimin, ndërsa e keqja e tërheq pas dënimin, ngase e mira e meriton një shpërblim, kurse e keqja e meriton një dënim.

Vepra e mirë ndahet në dy grupe:

─Vepra e mirë që kryhet në mënyrë aktive (të vepruarit e saj). Këtu hyn kryerja e veprave të obliguara (farz) dhe të preferuara (mustehab).

─Vepra e mirë që kryhet në mënyrë pasive. Këtu hyn largimi nga veprat e ndaluara (haram) dhe të urryera (mekruh). Jo çdo largim nga ndalesa dhe e urryera bën të ketë shpërblim. Për të qenë një punë e mirë në formën pasive, dijetarët thonë se duhet patjetër të plotësojë dy kushte:  1. Njeriu të ketë qëllim braktisjen e asaj të keqe. Në botë ndodhin shumë të këqija, por a do të thotë kjo se dikush i cili nuk është aktiv në to (nuk është duke i vepruar), do të shpërblehet që nuk i vepron ato? Jo, patjetër duhet të ketë një qëllim për t’iu larguar veprës së keqe. 2. Ta braktisë për hir të Allahut. Shembull: Hadithi që flet për tre personat e ngujuar në shpellë, në të cilin tregohet se njëri prej tyre kishte mundësinë të bënte një vepër të keqe porse e kishte lënë vetëm për Allahun dhe ishte shpërblyer. Rasti tjetër: Hadithi që flet për shtatë kategoritë e njerëzve, të cilat do të futen në Hijen e Tij Ditën e Gjykimit, e njëri prej tyre është ai të cilin e fton një grua e pasur dhe e bukur e ai thotë: “Unë kam frikë Allahun.” Pra, për të qenë adhurim një vepër që e braktisë, duhet të posedosh nijetin ta braktisësh dhe ta braktisësh vetëm për Allahun.

Edhe vepra e keqe ndahet në dy grupe:

─Vepra që kryhet në mënyrë aktive. Kjo është kur nuk e vepron veprën e ndaluar e të urryer.

─Vepra që kryhet në mënyrë pasive. Kjo është kur njeriu qëndron pasiv karshi obligimeve (nuk i kryen). Ashtu siç është mëkat pirja e alkoolit, po ashtu është mëkat që kur hyn koha e namazit personi nuk e fal atë, edhe pse këtu nuk ka vepruar, porse ka qenë i obliguar të falet (të veprojë) dhe nuk është falur (nuk ka vepruar). Në këtë rast dënohet sepse ka bërë një vepër të keqe (nuk ka kryer një obligim).

Se kur një vepër llogaritet e mirë, dijetarët kanë cekur në mënyrë të përgjithshme tri kushte që duhet të plotësohen patjetër:

  1. Vepruesi të jetë musliman. Argument për këtë është hadithi në të cilin përmendet se në kohën para Islamit ka qenë një burrë i mirë, emri i tij ishte Ebnu Xhid’an, ai ishte shumë bujar. Aisha radijAllahu anha e pyet Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se a i ka bërë dobi bujaria që e ka bërë në atë kohë, e ai i thotë: “Jo, sepse ai kurrë nuk ka thënë: “O Zot, më fal mua në Ditën e Gjykimit!” Ai nuk kishte besuar në Allahun, nuk ka besuar se do të ketë ringjallje e nuk ka kërkuar falje prej Tij. Dhe ky mosbesim në Allahun ka bërë që të mos i pranohet vepra e bujarisë dhe të mos ketë dobi nga ajo.
  2. Të ketë sinqeritet në atë vepër (të mos ketë syefaqësi). Argument është hadithi i njohur: “Veprat shpërblehen sipas qëllimeve dhe çdo vepër do të marrë shpërblimin sipas qëllimit…”
  3. Vepra të jetë në përputhje me sunetin profetik. Argument është hadithi: “Ai që vepron një vepër në kundërshtim me sunetin, ajo është e refuzuar.”

Ndërsa, se kur një vepër llogaritet e keqe (mëkat), duhet të plotësohen patjetër katër kushte:

  1. Vepruesi të dijë se është duke e vepruar një vepër të keqe. Nëse një person nuk e di se është duke vepruar një vepër të keqe, atëherë atij për shkak mosdijes së tij (në këtë rast) nuk i llogaritet ajo e keqe. Ka mundësi t’i llogaritet e keqe shkaku se nuk është pajisur me dije. Nëse ai ka lënë mangësi në kërkimin e dijes dhe ka çaluar në këtë aspekt, ka mundësi të dënohet për shkak se nuk ka ditur.
  2. Të ketë për qëllim veprimin e asaj të keqe. Nëse dikush vret dikë gabimisht, duke mos e pasur qëllim këtë, kjo nuk i llogaritet mëkat.
  3. Të ketë zgjidhje (kur e vepron atë), sepse nëse një njeri nuk ka mundësi të hajë ushqim të lejuar (hallall) dhe detyrohet të hajë ngordhësirën, atëherë në këtë rast duke mos pasur zgjedhje para tij, nuk i llogaritet gjë e ndaluar.
  4. Të ketë hyr në moshën madhore. Nëse personi që e vepron një mëkat nuk ka hyr ende në moshën madhore, nuk i llogaritet mëkat.

Nëse vepra e keqe nuk plotëson njërën prej këtyre kushteve, ajo nuk i llogaritet personit si vepër e keqe.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit