Mendimi për të bërë një vepër të mirë

Gjykimi rreth mendimit për të vepruar një vepër të mirë

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e mendon një të mirë dhe nuk e bën, Allahu ia shkruan një të mirë. Kush e mendon një të mirë dhe e bën atë, Allahu ia shkruan prej dhjetë deri në shtatëqind e më tepër shpërblime. Kush e mendon një vepër të keqe dhe nuk e bën atë, Allahu ia shkruan një të mirë. Kush e mendon një të keqe dhe e bën atë, Allahu ia shkruan një mëkat.”  Të menduarit për veprimin e veprës së mirë ka tri faza:

  1. Kur njeriut i kalojnë mendime të çastit. Nëse janë të mira, nuk ka llogari për to. Kur të ngritën këto mendime e fillojnë të zënë vend te personi, ai ka shpërblim edhe nëse nuk e kryen (atë vepër të mirë që e ka menduar).
  2. Kur njeriu mendon ta veprojë një vepër të mirë, por ende nuk ka vendosur. Ky është niveli i mesëm (as nuk është mendim i çastit e as nuk ka kaluar në vendosmëri). Dijetarët thonë se ky person shpërblehet vetëm me një të mirë, qoftë nëse realizimin e saj e pamundëson ndonjë arsye apo jo. Disa dijetarë thonë se për t’iu shkruar të tillit një vepër e mirë, duhet patjetër të ketë një arsye e cila ia pamundëson ta kryejë atë, por nëse e lë atë pa arsye duke pasur mundësinë ta kryejë, atëherë nuk i shkruhet një e mirë. E mendimi më i saktë është se kur një njeri ka një mendim për veprimin e veprës së mirë, i cili nuk ka kaluar në vendosmëri dhe e lë atë vepër duke mos pasur arsye, atëherë atij i shkruhet një vepër e mirë.
  3. Kur mendimi kalon në vendosmëri. Kur kalon në këtë fazë, është e pamundur të mos shfaqet te personi diçka edhe në vepër nëse ka mundësi, e nëse nuk ka mundësi atëherë së paku do të fillojë të veprojë diçka për atë të mirë. Allahu thotë: “Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij[1] dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë.” Nisa 100. Do të shpërblehet sepse i tilli e ka kaluar fazën e mesme, mendimi i tij ka kaluar në vendosmëri, e vendosmëria duke pasur mundësinë e veprimit, patjetër duhet të ketë veprimin (punën). Edhe këtu del në pah lidhja e besimit me veprat. Nëse në një zemër gjendet besimi në Allahun, që është besim i dobishëm dhe të shpëton në Ditën e gjykimit, ai nuk ka mundësi të mos reflektojë në gjymtyrë. E nëse dikush pretendon se ka besim dhe ka mundësi të veprojë vepra të mira e nuk i vepron, ai e ka gënjyer veten, ky besim nuk e shpëton në Ditën e Gjykimit dhe nuk është i pranueshëm tek Allahu. E tillë është dhe çështja me mendimin që ka kaluar në fazën e vendosmërisë. Një person i cili mendon për një vepër të mirë dhe ka vendosur ta veprojë atë, atëherë ai patjetër do ta veprojë atë, së paku me diçka (pjesërisht) edhe nëse i pamundësohet realizimi plotësisht.

[1] E lë vendin e kufrit për të shkuar në një vend musliman.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit