Kur njeriu me pak arrin shpërblime të mëdha

Kur njeriu me pak arrin shpërblime të mëdha

Dijetarët kanë cekur disa gjendje se kur njeriu përmes veprave të vogla arrin shpërblime të mëdha, prej tyre.

─ Kur personi udhëzohet dhe në udhëzimin e tij është i përpiktë, i përmbajtur. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e përmirëson veten pas Islamit, çdo vepër që e bën, ka shpërblim prej dhjetë deri në shtatëqind e më tepër.” Pra, kur udhëzohet, përkushtohet në udhëzim, është i përmbajtur, e përmirëson veten krahasuar më parë, atëherë ky përmirësim dhe kjo vazhdueshmëri bëjnë që të arrijë shpërblim të madh, atë që është më shumë se shtatëqind. Përmes kësaj e kuptojmë tejkalimin që na kanë bërë sahabët, ata nuk kanë jetuar 1000 vjet, e madje disa prej tyre kanë jetuar disa momente, apo disa ditë, apo vite të caktuara (pas hyrjes në Islam), porse kanë arritur shpërblime të mëdha ngase pas udhëzimit në Islam, janë bërë të përkushtuar, të përmbajtur dhe kanë sakrifikuar për Allahun. Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i shani shokë e mi, sepse sikur dikush prej jush të japë lëmoshë sa kodra e Uhudit, nuk mund ta arrijë një grusht a gjysmë grushti sa kanë dhënë ata.”

─ Kur një vepër është sa më e dobishme. Sa më e dobishme dhe produktive është një vepër, shpërblimi për të është më i madh.

─ Kur ka vështirësi në veprimin e veprës. Sa më vështirë që është veprimi i një vepre, shpërblimi për të është më i madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që ka shpërblimin më të madh, është ai që ka xhaminë më së largu.” Ky për të shkuar për namaz ka nevojë të ecë më shumë. Nëse Allahu kërkon prej robit të Tij të kryejë një vepër duke qenë se në veprimin e saj ka vështirësi, atëherë në këtë rast veprimi i saj është më e dobishme dhe më e preferuar për një person i cili e ka të vështirë sesa për një që e kryen me lehtësi. Sqarim: Dikush mund të thotë: “Njërën xhami e kam afër pesë minuta në këmbë e tjetrën dhjetë minuta, dhe po zgjedh të shkoj tek kjo që është më larg për të ecur më gjatë që të arrij shpërblim më të madh”, porse nuk është ky qëllimi (i vështirësisë), nuk është fjala ta malltretosh veten dhe t’ia vështirësosh vetes. Qëllimi është se nëse personi e ka të rëndë dhe të vështirë të shkojë te xhamia që ishte larg pesë minuta, për shkak të sëmundjes, apo rrugës së pandriçuar a të vështirë, duke mos e pasur për qëllim vështirësinë, por kryerjen e obligimit, atëherë shpërblehet për vështirësinë (që ka hasur), e jo pse Allahu ka nevojë për vështirësinë e maltretimin tënd. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka parë një person duke qëndruar në këmbë në diell duke qenë agjërueshëm, ka thënë: “Urdhërojeni të ulet, të hyjë nën hije dhe ta prishë agjërimin, ngase Allahu nuk ka nevojë për maltretimin që ai ia bën vetes së tij!” Nëse Allahu ka kërkuar të kryhet një obligim dhe gjatë kryerjes së tij ka vështirësi, atëherë edhe shpërblimi është më i madh.

─ Kur veprohet në kohët e vlefshme. Nuk është njëjtë sikur namazi që falet në natën e Kadrit sikur namazi që falet në netët e tjera, duke qenë në këtë rast nata e Kadrit shkak për shumëfishimin e shpërblimit, ngase siç ka ardhur në hadith, ajo është sa 1000 muaj.

─ Kur kryhet në vend të vlefshëm. Nuk është njësoj sikur namazi të kryhet në Meke e Medine sikur diku tjetër. Ai që falet në Meke, për një namaz ka shpërblim sa 100.000 namaze, e ai që falet në Medine ka shpërblim për një namaz sa 1000 namaze. Në këtë rast, vendi i vlefshëm ku kryhet obligimi bën që shpërblimi për veprën e kryer të shumëfishohet. Sa i përket këtij shpërblimi të namazit të falur në Meke, dijetarët janë ndarë në dy mendime se a është ky shpërblim vetëm në Qabe, apo në të gjithë Meken, dhe mendimi më i saktë është se ky shpërblim përfshin namazin e falur në të gjithë Meken (pjesa që është brenda kufijve të haremit). Mospajtimi tjetër është se a shumëfishohet vetëm namazi apo edhe veprat e tjera të mira, dhe mendimi më i saktë është se ky shumëfishim vlen vetëm për faljen e namazit.

Dr. Gazmend Mehmeti – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit