Dashuria ndaj Allahut

Të gjithë e pretendojnë dashurinë ndaj Allahut, jo vetëm muslimanët. Edhe pjesëtarët. e feve të tjera thonë “e duam Zotin”. Mirëpo është një shenjë, provë, që tregon se sa e do njeriu Allahun, e kjo është: pasimi i Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë: Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!” Ali Imran 31. Hasan el Basriu ka thënë se ky ajet është ajeti i sprovës, ngase shumë njerëz pretendonin se e donin Allahun dhe Ai i vuri me këtë ajet para provimit. Për aq sa e pason Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, e vërteton dashurinë tënde ndaj Allahut. Dijetarët përmendin se nuk është çështja se sa e do njeriu Allahun sepse këtë të gjithë e pretendojnë, por çështja është se a e do atë Allahu. Andaj, nëse e pason Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dije se Ai të do, duke marrë për argument këtë ajet.

Mirëpo, pasimi ndaj tij nuk është vetëm për nga ana e jashtme, si: mjekra, pantallonat e shkurtë- kjo pa dyshim është vepër e mirë- porse është fjala të pasohet në të gjitha çështjet, si: në namaz, në agjërim, në moral, në sjellje me familjen, me prindërit, me gruan, me fëmijët, me komshinjtë etj. Sa më shumë që e pason në moralin e tij, aq më shumë të do Allahu. Sahabët kur e kanë pyetur Aishen: “Si ka qenë morali i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem?”, me këtë sikur kanë dashur të thonë: Moralin e tij jashtë jemi duke e parë, në raport me neve e me të tjerët, por si është morali tij brenda në shtëpinë e tij. Aisha radijAllahu anha ka thënë: “Sjellja (morali) e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka qenë Kurani.”  Të gjithë urdhrat e udhëzimet e ardhura në Kuran, ai salAllahu alejhi ue selem i ka zbatuar. Tek Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk ka pasur asgjë të fshehur, çdo gjë që lexohet në Kuran e ka vepruar brenda, ashtu siç gjejmë të lexohet në Kuran ai e ka zbatuar brenda në shtëpi. Andaj besimtari duhet ta pasojë sunetin e tij, që të arrijë dashurinë e Allahut, që Ai ta dojë atë. E kur Allahu e do dikë, të gjitha çështjet e tij lehtësohen, çdo gjë do t’i shkojë mbarë dhe do t’i rregullohet në jetën e tij.

Dijetarët kanë thënë: “Përmirësoje raportin mes teje e Allahut, Ai do të ta përmirësojë raportin mes teje dhe të tjerëve.” Shumë prej problemeve që kanë njerëzit mes vete janë pasojë e mëkateve, si: raportet burrë-grua, prind-fëmijë, shok-shok etj. Nëse e përmirëson të brendshmen tënde, pra mendimin për Allahun, veprimet kur je vetëm për vetëm- ngase në publik të gjithë mund të jenë të devotshëm, por nëse do të dish se sa je i devotshëm shiko veten kur je vetëm larg syve të njerëzve,- se sa e ke frikë Allahun dhe se je i devotshëm e i mirë në ndaljen para mëkateve, kjo dihet kur je vetëm mes katër mureve, atëherë Allahu ta përmirëson të jashtmen. Nëse ne e përmirësojmë dashurinë ndaj Allahut, atëherë patjetër do të përmirësohet e jashtmja jonë, e kur të përmirësohet e jashtmja jonë atëherë do të arrijmë çdo të mirë dhe lumturi në të dy botët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit