Disa çaste me Shejh Albanin (Allahu e mëshiroftë!)

Ministria e Vakfit e Krahinës Jugore të Republikës së Bashkuar Arabe (kështu quhej një shtet jetëshkurtër që ishte i përbërë nga Egjipti dhe Siria v.p) ftoi shejh Albanin të jetë anëtar i Komisionit të Hadithit në Kairo, të marrë pjesë në punët e komisionit dhe të japë mendimin e tij mbi studimet që i paraqiten Komisionit të Hadithit.

Kur u kthye në Damask, shejhun e intervistoi Korrespodenti i Revistës “Saut el Arab” – “Zëri i Arabëve”. Intervista ishte mbi misionin e Komisionit dhe mbi jetën shkencore të shejhut.

“Saut el Arab” e publikoi intervistën në numrin e saj 1894, me datë 8 Rebi’ el Ahir, 1380 H ( 28 Shtator 1960).

Pyetje: “Kam dëgjuar se ju, përveç punëve të mëdha shkencore në shërbim të Sunnetit, punoni edhe zanatin e rregullimit dhe shitjes së orëve. A është e vërtetë kjo dhe si arrini t’i bëni bashkë këto dy punë?”

Përgjigje: “Kjo është e vërtetë. Allahu më ka dhënë sukses që nga rinia ta mësoj këtë zanat. Kjo ngase ky zanat më bën të lirë dhe nuk konfliktohet me përpjekjet e mia në shkencën e Sunnetit. Atij zanati i kam dhënë tri orë çdo ditë, përvec të marteve dhe të xhumave.

Kjo kohë pune më mjafton të siguroj nevojat e domosdoshme për mua, familjen dhe fëmijët e mi. Kuptohet e tëra kjo vetëm aq sa na mjafton, jo më tepër, ngase prej duave të të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem ishte:

اللهم ارزق آل محمد قوُتًا” رواه الشيخان”

“O Allah, furnizoje familjen e Muhammedit me aq sa ka nevojë (ushqim, pije, rroba, etj)”, transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

Pjesën tjetër të kohës e kaloj në kërkim të ilmit (dijes), shkrimit të librave, si dhe studimit të veprave të hadithit, posaçërisht dorëshkrimeve që gjenden në bibliotekën Dhahirije. Për këtë arsye, unë qëndroj në këtë bibliotekë aq sa edhe nëpunësit e saj, që është prej gjashtë deri në tetë orë çdo ditë, varësisht nga orari veror dhe dimëror i saj.

Pjesë e mirësisë së Allahut ndaj meje është se më është mundësuar të zbuloj çka ka në bibliotekën Dhahirije prej thesareve të manuskripteve të Hadithit, t’i studioj ato, të nxjerr nga to hadithet pejgamberike me rrugët, transmetimet dhe fjalët e ndryshme të tyre. Të gjitha këto janë të shumta dhe i kam përmbledhur në mbi 40 vëllime duke i radhitur alfabetikisht, që ta kem të lehtë të kthehem dhe të përfitoj nga to kur të kam nevojë.

Këtu zbulohet sekreti i asaj që mund ta shohin dashamirët në librat e mi të shkruar në tema të ndryshme shkencore. Aty vëren se një libër i vetëm sikur: “Forma e namazit të Dërguarit salallahu alejhi ue selem”, edhe pse i vogël në vete, ka me dhjetëra referenca nga dorëshkrime, të cilave shumica as që ua dinë emrat, e mos të flasim se i kanë parë apo nxjerrë hadithet, senedet, fjalët dhe hadithet ndihmëse.

Po ashtu, Allahu më ka lehtësuar të përpiloj një indeks preciz që përfshinë të gjithë librat e ndryshëm të hadithit, të cilët gjenden në këtë bibliotekë madhështore, si librat e Musnedeve (ku hadithet renditen në bazë të Sahabiut që i transmeton, v.p.), Mu’xhemeve (ku hadithet renditen në bazë të shejhut të përpiluesit të Mu’xhemit, v. p.), Muhtare (libër me hadithe të zgjedhura), Feuaid (libër me dobi nga hadithet, v. p.), Exhza’ (libër që kaplon një kaptinë të caktuar në hadith, v. p.), Teraxhum ( libër që flet mbi vetë transmetuesit dhe hadithet e tyre, v. p.), etj. Në këtë indeks tërheq vërejtjen për gjërat që nuk janë përmendur në indeksat e deritanishëm të bibliotekës.

Këtë indeks e kam renditur alfabetikisht në bazë të emrave të autorëve, siç kam bërë edhe me librat e tyre që i kam përmendur te secili. Pastaj kam treguar shkurtimisht për secilin, duke përmendur ditëlindjen dhe datën e vdekjes së tij, a është ai i fortë apo i dobët në hadith, etj. Në fund fare, kam vendosur një indeks të përgjithshëm për të gjithë librat, gjithashtu duke i renditur alfabetikisht.

Ka disa vjet që udhëtoj në qytetin e Halebit, një javë të çdo muaji, dhe të shumtën e kësaj kohe e kaloj në bibliotekën e vetme të tij, e cila është përplot me manuskripte. Ajo quhet Bibloteka e Vakfeve Islame.

Kaloj aty orë të tëra çdo ditë duke studiuar manuskriptet e saj dhe duke kopjuar me dorë çka më duhet prej tyre për projektet e mia shkencore.

Para se të shkoja në Kairo pata kopjuar pjesën e parë nga libri: “Ez Zeuaid” te Busiri-ut, të cilin e përmenda më herët.

Përveç kësaj, unë studioj Sunnetin dhe shkencat e tij bashkë me disa kërkues dije dhe jap disa ligjërata brenda çdo jave.”

Përktheu: Ahmet Hoxha

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit