Disa mirësi dhe shfrytëzimi i tyre

Faza e rinisë është fazë e fuqisë, e forcës dhe freskisë, porse nuk vazhdon përherë. Nëse i riu nuk e shfrytëzon këtë fazë në bindje dhe në adhurimin ndaj Allahut, le ta dijë se kjo fazë do t’i shkojë kotë dhe do ta dërgojë drejt dënimit të Tij.

Mirësia e shëndetit nuk vazhdon gjithmonë, ajo pasohet me dobësi dhe sëmundje. Muslimani nuk duhet të mashtrohet nga shëndeti e forca e tij, sepse kjo nuk është e përhershme. Kur njeriu goditet me sëmundje a dobësi, bëhet pishman pse nuk e ka shfrytëzuar në adhurim ndaj Allahut shëndetin e tij dhe kohën sa ka qenë shëndetshëm.

Pasuria e bollëku nuk janë të përhershme. Por, përderisa ke pasuri atëherë shfrytëzoje në adhurim ndaj Allahut. Muslimani nuk duhet të mashtrohet pas pasurisë së shumtë që posedon duke e deponuar dhe numëruar vazhdimisht. Shumë prej njerëzve, përderisa posedojnë pasuri dhe shëndet, kjo është shkak që të anojnë nga rruga e vërtetë drejtë lajthitjes, “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, 7. kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” Alak 6-7.

Besimtari duhet gjithashtu t’i kushtojë rëndësi kohës së lirë. Pas kohës së lirë që ke, vjen angazhimi, ose me diçka nga kjo jetë ose me diçka nga jeta tjetër. Prandaj nëse njeriu nuk e shfrytëzon kohën e lirë në gjëra të dobishme të kësaj bote dhe tjetrës, atëherë do të privohet nga mirësitë dhe do të ketë humbje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë dy mirësi pas të cilave shumica e njerëzve janë të mashtruar (nuk i shfrytëzojnë): shëndeti dhe koha e lirë.” Kur këto dy gjëra bëhen bashkë te njeriu, e gjithashtu dhe pasuria e bollshme, atëherë shumica e njerëzve nuk dinë t’i menaxhojnë ashtu siç duhet, porse i shfrytëzojnë duke bërë mëkate.

Njashtu dhe jeta e njeriut nuk zgjatë përherë. Patjetër pasohet nga vdekja. Kështu që njeriu duhet ta shfrytëzojë jetën e tij për ditën kur do të ndahet prej saj, “Çdo popull ka afatin e vet (të vdekjes). Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” Araf 37. Jeta e kësaj sprove është vetëm një urë kalimtare përmes së cilës njeriu kalon në botën e përhershme. Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Jeta e kësaj bote udhëton duke u larguar prej nesh. Kurse jeta tjetër udhëton duke u afruar nga ne. Çdo njëra prej tyre ka bijtë e saj (secili ka synim ose njërën ose tjetrën). Bëhuni prej bijve të ahiretit e mos u bëni prej bijve të kësaj jete. Sot ka veprim e jo llogari, porse nesër ka llogari e jo veprim.” Muslimani i mençur duhet ta shfrytëzojë jetën e tij me çdo vepër që e afron tek Allahu, të mundohet që çdo çast dhe çdo ditë ta shfrytëzojë në afrim dhe kthim tek Allahu, të shtojë adhurimet dhe veprat e mira.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Disa porosi për të rinjtë muslimanë” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit