Disa nga frytet e besimit

Disa nga frytet e besimit

1.Arritja e miqësisë së Allahut dhe e mbrojtjes së Tij. Allahu thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” Junus 62-63. Përmes besimit, besimtari e arrin këtë mbrojtje dhe miqësi të veçantë të Allahut. Dhe: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë.” Bekare 257. Errësirat janë të shumta. Ai i nxjerrë prej errësirave të mëkateve në dritën e adhurimeve, prej errësirave të injorancës në dritën e dijes, prej errësirave të tekave e pasioneve në dritën e pasimit të udhëzimit dhe kapjes pas fesë.

 

2. Vërtitja nëpër mirësi, qoftë duke qenë në gjendje gëzimi apo hidhërimi, qoftë në gjendje lumturie apo sprovash, qoftë në mirëqenie apo vështirësi. Në të gjitha gjendjet, besimtari vërtitet nëpër mirësi. Kjo është e veçantë vetëm për besimtarin. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është e çuditshme gjendja e besimtarit! E gjithë gjendja e tij është mirësi. Kjo nuk i përket askujt tjetër përveçse besimtarit. Nëse i vjen një e mirë e falënderon Allahun, dhe kjo është më mirë për të. Nëse e godet një fatkeqësi bën durim, dhe kjo është më mirë për të.” Kur i vijnë të mirat, ai e di se ato janë prej Allahut dhe se nuk ka hise ai apo dikush në këtë, pastaj ato i shfrytëzon dhe i përdor në adhurim e bindje ndaj Allahut. Kjo është ajo mirësia që është përshkruar për besimtarin në këtë hadith. E nëse e godet ndonjë fatkeqësi, sëmundje, dëm, frikë, pikëllim, dëshpërim, atëherë ballafaqohet me këto me durim dhe duke iu mbështetur Allahut. Allahu thotë: “…përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Bekare 155-156. Besimi e shtyn besimtarin të ballafaqohet në këtë mënyrë me jetën e tij.

3. Saktësia e besimit. Veprat nuk llogariten të sakta dhe nuk pranohen përveçse me besim. Besimi i saktëson veprat tona. Sado që veprat janë të shumta, nëse janë pa besim, nuk pranohen tek Allahu, “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” Furkan 23. Allahu në shumë ajete bën kusht besimin për pranimin e veprës, p.sh.: “Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet.” Enbija 94. “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur…” Nahl 97. Veprat tona nuk pranohen, nuk saktësohen, nuk llogariten të pastra dhe shpërblimi për to nuk shtohet përveçse me besim. Besimi është themeli e baza e veprave tona.

4. Besimi është strehë për besimtarin tek e cila ai kthehet, qoftë në gjendje sprovash apo gëzimesh, qoftë në siguri a frikë, qoftë në adhurime a mëkate. Nën dritën e këtij shtegu ec besimtari dhe rrugëton. Besimi llogaritet udhëzues për besimtarin. Allahu thotë: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. ” Junus 9. Besimtari i kthehet besimit dhe e merr për strehë dhe ai e drejton se çfarë të veprojë në një gjendje të caktuar, shembull:

-gjatë sigurisë, të tregohet mirënjohës e të shtojë adhurimet,

-gjatë frikës, të kërkojë nga Allahu t’ia largojë frikën,

-gjatë adhurimeve, të mos bie në vetëpëlqim,

-gjatë mëkatimit, të frenohet.

 

5.Hyrja në xhenet. Njeriu nuk ka mundësi të hyjë në xhenet pa besim. Siç e dimë, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në haxhin lamtumirës, ka dërguar disa sahabë që të shpallin në mesin e njerëzve se “nuk do të hyjë në xhenet (askush) përveçse besimtarit“. Nuk ka mundësi të hyjë njeriu në xhenetin e kënaqësisë e as ta fitojë kënaqësinë e Zotit madhështor, përveçse duke iu përmbajtur besimit dhe duke u kapur pas tij. Allahu thotë: “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” Teube 72. Allahu përmend në Kuran në shumë vende se hyrja në xhenet është rezultat i besimit, “Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit”. Kehf 107.

6. Shpëtimi nga zjarri i xhehenemit. Njeriu nuk ka mundësi të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit dhe nga hidhërimi i Allahut veçse me besim. Nëse personi vdes duke pasur besim të plotë, atëherë ky besim do të jetë shkak që të mos hyjë fare në xhehenem. E nëse besimi i tij ka qenë i dobët për shkak të mëkateve dhe nuk e fal Allahu, atëherë megjithatë ky besim do të jetë shkak që ai të mos qëndrojë përherë në xhehenem (edhe nëse fillimisht hyn në të).

 

Dobitë dhe frytet që përfitohen prej besimit janë të shumta e të llojllojshme. Këtu sollëm vetëm disa prej më të rëndësishmeve.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Disa nga frytet e besimit” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit