Disa shkaqe për hapjen e kraharorit

Disa shkaqe për hapjen e kraharorit

 

  1. Teuhidi- njëshmëria e Allahut, pra që njeriu të gjithë fenë dhe adhurimet e tij t’ia kushtojë Allahut sinqerisht, ta veçojë dhe njësojë Atë me adhurim dhe të largohet prej shirkut e llojeve të tij. Teuhidi është qëllimi për të cilin Allahu i krijoi të gjitha krijesat. Ai i solli në ekzistencë pas hiç-it, për ta realizuar këtë qëllim. Allahu thotë: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Dharijat 56. Dhe: “ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë” Bejineh 5. Nevoja e zemrës për teuhidin është sikur nevoja e peshkut për ujin, madje më e madhe. Nëse në zemër nuk ka teuhid atëherë ajo “vdes”, nuk ka jetë. Allahu thotë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” Enam 122. O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë”. Enfal 24. Jeta e zemrës, hapja e saj, kënaqësia e syve dhe qetësia e shpirtit arrihen përmes teuhidit. Sa më shumë që ta realizosh teuhidin, aq më shumë zemra jote është e gjallë dhe do të hapet e do të zgjerohet. Ky është shkaku më i rëndësishëm.

2. Drita e besimit të cilën Allahu e hedh në zemra. Allahu thotë: “A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!).” Zumer 22. Kjo dritë është dhuratë dhe mirësi prej Allahut për këdo që Ai dëshiron nga robërit e Tij. Allahu thotë: “Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” Huxhurat 17. Dhe: “Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë.” Nur 21. Dhe: “…Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt me mirësinë dhe hirin e Allahut.” Huxhurat 7-8. Atyre të cilëve Allahu ua jep këtë dritë, ua zgjeron kraharorët dhe ua hap zemrat dhe bën që të jetojnë të lumtur e të kenë kënaqësi në shpirtrat e tyre, “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” Nahl 97. Secili prej nesh, nëse nuk ka lumturi në jetë dhe qetësi shpirtërore, duhet të shohë raportin e tij me Kuranin, Shpalljen e Allahut, ngase Ai na ka premtuar se nëse ne e ndjekim udhëzimin do të kemi jetë të mirë, dhe premtimi i Tij është i vërtetë.

 

3. Dija e dobishme e cila merret nga Kurani e suneti. Dija është dritë përmes së cilës e ndriçon zemrën e tij. Allahu thotë: “…atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë.” Shura 52. Dija është shkëlqim, ajo shpërndan errësirat e injorancës, të së kotës, të dëshirave e pasioneve të kota. Ai që e ka këtë dritë, atij Allahu ia ndriçon rrugën për tek Allahu, duke pasur dije dhe largpamësi. Dija është shkak që njeriu të ngritët tek Allahu, në të dy botët, “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija.” Muxhadile 11. Ajo është kopsht i zemrës, qetësi e prehje shpirtërore.

 

4. Kthimi me sinqeritet tek Allahu dhe dhënia përparësi dashurisë ndaj Allahut mbi çdokënd tjetër. Kjo dashuri patjetër sjellë si rezultat kthimin tek Allahu, duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Kjo dashuri dhe ky adhurim do të lërë gjurmë dhe efekt në zemrën e tij- do t’i zgjerohet kraharori. Kjo është një çështje të cilën çdokush e gjen dhe e ndjen në zemër kur kthehet tek Allahu, kur shton adhurimet, “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” Talak 4. Kthimi tek Allahu dhe shtimi i adhurimeve dhe veprave të mira janë shkak për arritjen e çdo të mire dhe janë strehë e atij që ka strese, brenga e shqetësime. Njeriu duhet vazhdimisht të kërkojë mbrojtje (strehë) tek Allahu dhe adhurimi ndaj Tij. Kur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem e ka brengosur apo shqetësuar ndonjë gjë, ka shpejtuar të falë namaz- në kthim tek Allahu, në bërje të veprave të mira. Në këtë mënyrë njeriu e arrin lumturinë dhe arrin zgjerimin e kraharorit.

 

5. Vazhdimësia në dhikër, në përmendjen e Allahut. Allahu thotë: “…ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” Rad 28. Dhikri duhet të ketë hise të madhe në kohën dhe jetën e besimtarit. “më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime)”, nëse do që të të kujtojë Allahu, të të përmendë, të t’i lehtësojë çështjet, të t’i zgjidhë problemet, atëherë përmende dhe kujtoje Atë. Në një hadith kudsij Allahu thotë: “Unë jam me robin Tim përderisa ai më kujton Mua dhe buzët e tij lëvizin duke më përmendur.” Dhe ka thënë: “…dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” Ahzab 42. “…përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” Ahzab 35. Sa më shumë që i kushton kujdes dhikrit, aq më shumë kjo do të jetë shkak për qetësi e rehati shpirtërore. Dhikri ka dobi të shumta.

 

6. Bamirësia ndaj të tjerëve, me aq sa ke mundësi. Format dhe mundësitë për këtë janë të shumta. Secili duhet të shohë atë derë të cilën ia ka hapur Allahu për dobi ndaj të tjerëve dhe ta shfrytëzojë atë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se bamirësi është dhe çehrja e mirë e buzëqeshja kur e takon vëllain musliman. Bamirësia ndaj të tjerëve sjellë qetësi në zemër. Atij që Allahu i ka dhënë sukses që sa herë të takohet me vëllezërit e tij muslimanë të jetë me fytyrë të mirë e i buzëqeshur dhe me sjellje të mira, atëherë kjo së pari do të ketë efekt te vetë zemra e tij dhe te zemrat e tyre.

 

7. Trimëria, zemra e fortë. Frikacaku, të cilit i është sëmurë zemra me frikë dhe mosguxim, gjithmonë jeton në brenga, është i shqetësuar e i lodhur, i trazuar e i frikësuar, nuk ndihet rehat dhe është i pavendosur e me mëdyshje kur merr vendime jetësore. Frikërat zakonisht janë iluzione e imagjinata që e rrethojnë. Besimtari duhet që të mos e lejojë veten të bie në këtë gjendje, duke u frikësuar prej gjërave që janë imagjinare etj. Atij të cilin Allahu e ka begatuar me trimëri e zemër të fortë, i ka dhënë një mirësi të madhe dhe kjo patjetër do ta ndihmojë të shtojë adhurimin dhe bindjen ndaj Tij, e kjo pastaj do të lërë efekt në zemrën e tij duke ia zgjeruar atë. Kur bëhen bashkë ky tipar me bamirësinë ndaj të tjerëve, tregojnë për një shpirt fisnik dhe zemërhapur. Përmes këtyre dy virtyteve njeriu arrin të realizojë shumë mirësi të mëdha në jetë. Andaj, shpesh shohim në hadithe lutje që i ka bërë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem që Allahu ta mbrojë prej mosguximit dhe koprracisë. E nëse njeriu është frikacak dhe koprracë, kjo do të ndikojë që zemra e tij të jetë e ngushtë, e shtrënguar.

 

8. Largimi i të metave të zemrës, si: urrejtja, zilia, dashakeqësia etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur që Allahu t’ia largojë sëmundjet dhe të metat e zemrës. Kur këto të meta ndodhen në zemër, do ta sëmurin atë. E kur e sëmurin, ajo do të ngushtohet dhe personi do të jetëojë një jetë të trazuar e të shqetësuar, pa qetësi. Vetë fakti se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur, tregon se sa e rëndësishme është kjo gjë për besimtarin.

 

9. Braktisja e tepricave, e këtu përfshihen shumë gjëra, si: të folurit e tepërt, të shikuarit e tepërt, të dëgjuarit e tepërt dhe të ushqyerit e tepërt etj. Kur njeriu e tepron në këto gjëra, do të ketë brenga, shqetësime, ankthe etj. Shumë prej njerëzve bien në humnera të rrezikshme dhe ndjekin rrugë devijuese për shkak të tepricës në fjalë, apo në dëgjim, apo në shikim etj. Shembull: e kanë lëshuar shikimin duke parë gjëra të ndaluara, apo e kanë lëshuar dëgjimin duke dëgjuar gjëra të ndaluara, apo kanë folur gjëra të cilat e zemërojnë Allahun. Kjo është një çështje shumë e rrezikshme. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Dhe njeriu mund ta thotë një fjalë e cila e hidhëron Allahun dhe nuk i kushton vëmendje asaj, dhe ajo fjalë bëhet shkak që ai të hidhet në zjarr të xhehenemit.” (Buhariu).

 

10. Pasimi i sunetit. Të mundohemi që sa më shumë ta pasojmë Muhamedin salAllahu alejhi ue selem. Njeriu me zemrën më të gjerë e pozitën më të lartë ka qenë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Ai kishte moralin më të mirë. Allahu na ka urdhëruar që ta marrim Muhamedin salAllahu alrjhi ue selem për shembull e model në të gjitha çështjet tona, “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm”. Ahzab 21. Sa më shumë që e pason atë, aq më shumë do t’i zgjerohet kraharori, pra do të ketë jetë të qetë, prehje shpirtërore dhe do të arrijë lumturinë në të dy botët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Dersi “Dhjetë shkaqe për hapjen e kraharorit”.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit