Dispozita sheriatike rreth pagesës së mësitit

Dr. Abdurrahman el Etrem

Nikahu (kurorëzimi) është ndër kontratat të cilat realizohen nëpërmjet ndërmjetësimit, ku ndërmjetësuesi (mësiti) bën njoftimin mes njërës palë dhe tjetrës apo përpiqet për afrimin mes tyre.

Kjo çështje është e njohur në mesin e njerëzve qysh në kohërat e lashta e gjer më sot, dhe në shumicën e rasteve janë femrat ato që e kryejnë msitninë, për shkak se ato janë të njoftuara më tepër rreth femrës së cilës i kërkohet martesa.

Kurse, mësiti e bën ndërmjetësimin vullnetarisht ose me pagesë; dhe ka prej tyre që këtë punë e ushtrojnë si profesion, dhe janë të njohur.

Por, ne do të flasim rreth mësitit i cili ndërmjetëson me pagesë, sepse ky studim trajton vetëm ndërmjetësimet me pagesë.

Hanefitë dhe Malikitë e kanë diskutuar këtë çështje, dhe opinionet e tyre janë të ndryshme rreth dispozitës së pagesës së mësitit, ku disa e kanë lejuar dhe disa e kanë ndaluar, kurse disa tjerë kanë bërë dallimin mes mësitit i cili vetëm i ka orientuar palët dhe mësitit i cili është përpjekur t’i afroj ata.

Sqarimi i këtyre mendimeve është si në vijim:

Mendimi i parë: mësitit i takon një pagë për këtë punë.

Mendimi i dytë: Atij nuk i takon pagë.

Të dyja mendimet janë të hanefive, ndërsa fetvatë e japin sipas mendimit të parë. Kurse nga hanbelitë mësohet se e lejojnë të paguhet mësiti.

Hanefitë në fetvatë e tyre shprehen kështu: (Dijetarët tanë kanë mendime të ndryshme rreth pagesës së mësitit, imam Ebu Bekr Muhammed bin Fadël thotë: “Nuk ka pagesë për mësitin, sepse bashkëshorti nuk ka ndonjë dobi nga fjalët e mësitit pa u bërë akti i nikahut, dhe se bashkëshorti ka dobi vetëm në aktin e nikahut dhe këtë nuk e kryen mësiti”, kurse të tjerët thonë: “Ka pagesë për mësitin sikurse pagesat me rastin e ndërmjetësimeve të tjera; sepse pjesa më e madhe e aktit të nikahut kryhet nëpërmjet ndërmjetësimit, dhe nikahu nuk mund të realizohet pa i paraprirë ndërmjetësimet fillestare, andaj mësitit i takon pagesa sikurse në ndërmjetësimet që bëhen në shitblerje”) [1].

Kurse në librin Xhamiul Fusulin përmendet mendimi i dytë, ku thotë: (Është thënë se është obligim pagesa e mësitit, dhe sipas këtij mendimi ipen fetvatë në medhhebin tonë) [2].

Kurse Hanbelitë, sipas asaj që e përmendin kuptohet se është e lejuar që mësiti të marr pagesë [3].

Mendimi i tretë: duhet të behët dallimi i punës së mësitit, sepse ai mund të jetë vetëm orientues duke mos vepruar a hulumtuar, andaj nuk meriton pagë. Dhe puna e tij mund të jetë orientim i palëve dhe përpjekje dhe hulumtim për t’i afruar ata, dhe në këtë rast meriton pagë.

Këtë mendim e ka cekur ibnu Rushdi nga malikitë, i cili sqaron: (Nëse puna e mësitit është vetëm orientim, si psh i thot dikush: Më trego një grua që vlen të martohem me të, dhe ai e njeh një grua të tillë, atëher nuk meriton pagë. Por nëse ai nuk njeh ndonjë grua të tillë dhe ka nevojë që të hulumtoj rreth saj, atëher ai meriton pagë).

Ajo që mund të vijmë në përfundim të kësaj është se mësiti meriton pagë për punën e tij, nëse nuk e kryen vullnetarisht, pa marrë parasyshë a ka qenë vetëm orientues i palëve apo është përpjekur t’i afroj mes veti.

Allahu e di më së miri.

Shkëputur nga libri: “El Vesata Et-Tixharije fil Muamelat el Malije”.

Përktheu: Jeton Bozhlani
—————————————————–
1 El Fetava el Hanije: 2/300, El Fevaid el Behije, f.184.
2 Xhamiul Fusulin 2/153, Mexhmau Damanat, f.54, El Fetava el Hindije: 4/451.
3 El Keshaf el Kanna: 5/153, El Kavaid Li Ibni Rexheb: f.349.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit