Ditet e mbetura të agjërimit për shkak të shtatëzënisë dhe gjidhënies i kam kompenzuar. Mirëpo, a duhet që edhe të paguaj për këto ditë, apo e kam larë borxhin in shaa Allah, pasi kam lexuar një fetwa të shejh Albanit Allahu e mëshiroftë, që thotë se nuk është obligim agjërimi i këtyre ditëve mirëpo vetëm ushqyerja e nevojtarit për aq ditë ?

❔Përgjigje:❔

✏️ Dijetarët kane mospajtime rreth mënyrës së kompenzimit duke u nisur nga fakti se cila ka qenë arsyeja që gruaja shtatëzëne apo gjidhënëse i ka lënë pa agjëruar disa ditë të Ramazanit (apo tërë muajin) .

? Mendimi i cili mua më duket më i qëlluari është që nëse gruaja i ka lënë këto ditë pa agjëruar për arsyen se është frikësuar për shëndetin e saj, atëherë duhet që vetëm t’i agjërojë ato ditë dhe asgjë më shumë (për këtë ka ixhma / konsensus mes dijetarëve, siç tregon për këtë Ibën Kudame, Allahu e mëshiroftë, në “El Mugnij”).

? Kurse, nëse arsyeja ka qenë se ajo i ka lënë pa agjëruar për shkak se është frikësuar për shëndetin e fëmijës / fetusit, atëherë përveç agjërimit të atyre ditëve duhet edhe ta ushqejë nga një të varfër për çdo ditë të pa-agjëruar (se ajo duhet t’i ushqejë të varfërit janë transmetuar ethere prej Umerit, dhe Iben Abbasit, radijallahu anhum).

? Këta dijetarë mendimin e tyre e mbështesin në parimin se nëse gruaja shtatëzëne apo gjidhënësja e lë agjërimin për shkak të shëndetit të saj, atëherë ajo llogaritet si i sëmuri i cili për shkak të shendetit të tij nuk mund t’i agjërojë disa ditë të Ramazanit (apo tërë muajin). Duke u nisur nga kjo analogji, ata thanë se ajo duhet vetëm t’i agjërojë (kaza) ato ditë.

? Kurse, nëse e lë agjërimin për shkak të fëmijës / fetusit të saj (dmth frikësohet për shëndetin e tij nëse agjëron), atëhere ajo duhet ta ushqejë një të varfër për çdo ditë të lënë, siç tregojnë etheret prej sahabëve. Pastaj, këta dijetarë thonë që përderisa ka lënë ditë të pa agjëruara, atëherë ajo duhet edhe ti bëjë kaza (agjerojë) ato ditë. Sepse, është rregull që nëse dikush e lë agjërimin për një arsye e cila shpresohet se një ditë do të largohet, atëherë e ka obligim agjërimin e atyre ditëve (dmth si kaza).

? Prandaj, arritëm në përfundim që në këtë rast gruaja duhet të bëjë bashkë mes agjerimit dhe ushqimit të varfërve.Ka mendim të dijetarëve që ajo në këtë rast duhet vetëm t’i agjërojë këto ditë, dhe mendim tjetër që ajo duhet vetëm t’i ushqejë të varfërit. Pra, gjithsej janë tri mendime, por siç e ceka për mua mendimi më afër së vërtetës është ai që e sqarova më lartë.

Allahu e di më mirë❗️

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit