- Sa kam vërejtur është keqkuptuar nga disa njerëz kjo fetua e dijetarëve:
“Personi është udhëtar atëherë kur e konsideron vetën udhëtar.” Mirëpo, këtë fetua, dijetarët e kanë dhënë kur në vendin e personit nuk dihet tradita që e bën njeriun si udhëtar, siç ndodh te ne (në Kosovë).
Këtu është problem të thuhet: “Është traditë që kur personi shkon prej filan vendit në filan vend atëherë është udhëtar”. Kjo sepse çdo qytet e ka traditën e vet. Është pra diçka e paprerë, e pacaktuar.
Në këtë rast dijetarët thonë se kur njeriu nuk e di se si është tradita e vendit (këtë mendim e kanë ata dijetarë të cilët thonë se distanca e udhëtarit nuk caktohet me kilometra, por kthehet te tradita e vendit), atëherë në esencë është vendas, nuk llogaritet udhëtar, derisa të kalojë një pjesë të rrugës me ç’rast është i bindur se ka kaluar goxha një rrugë të gjatë, e që tashmë konsiderohet udhëtar.
. - Po ashtu është keqkuptuar thënia “Kur e konsideron vetën musafir mund ta shkurtosh namazin”, e kuptimi i fjalës “mysafir” që përdoret në vendin tonë dallon nga kuptimi që përdoret në gjuhën arabe. Kështu, në gjuhën arabe mysafir është ai që udhëton larg, e që pastaj i lejohen disa gjëra, si: shkurtimi i namazeve, bashkimi i namazeve, mosagjërimi (i Ramazanit) etj.
Ndërsa tek ne i thonë mysafir atij që të viziton, edhe nëse është i lagjes. Andaj, nuk mund të thuhet “Erdha te daja/axha dhe jam musafir që më lejohet t’i shkurtoj namazet”.
Hoxhë Lulzim Perçuku.