E kemi për detyrë të ruajmë veten dhe familjen nga zjarri

Shejh: AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Më tej:

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Et-Tahrim, 6).

Në këtë varg, Allahu i patëmeta po i urdhëron robërit e Tij besimtarë që të ruajnë veten dhe familjet e tyre nga dënimi i Allahut. Ruajtja nga zjarri arrihet përmes devotshmërisë ndaj Allahut dhe qëndrimit të patundur në fenë e Tij. Kështu duhet të jesh edhe me familjen tënde: me prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe të afërmit e tjerë; i këshillon që të jenë të devotshëm ndaj Allahut dhe të jenë të paluhatshëm në fenë e Tij. Kjo arrihet nëpërmjet porosisë së ndërsjellë për të vërtetën, nëpërmjet ndihmës së ndërsjellë për mirësi e devotshmëri dhe nëpërmjet këshillimit të ndërsjellë për të kryer punë të mbara dhe për t’u larguar nga çdo gjë e mbrapshtë.

Kështu duhet të jetë besimtari me familjen dhe vëllezërit e tij besimtarë, si dhe me të tjerët. Përmes thirrjes drejt Allahut të Madhërishëm, ai nxiton në ruajtjen e vetes dhe të tjerëve nga dënimi i Tij. Mirëpo, kjo çështje ka nevojë për durim, sinqeritet e vërtetësi me Allahun dhe ka nevojë për vazhdimësi. Njerëzit që më së shumti e meritojnë mirësinë dhe bamirësinë tënde janë familja jote dhe të afërmit e tu. Ashtu siç thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Secili prej jush është çoban dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Kështu, udhëheqësi është çoban dhe përgjegjës për tufën e tij. Njeriu është çoban i familjes dhe përgjegjës për tufën e tij.” (Buhariu dhe Muslimi).

Ruajtja më madhore (që i bëhet familjes) është përkujdesja e cila ndërlidhet me shpëtimin e tyre nga dënimi i Allahut, dhe kjo duke i këshilluar ata me devotshmëri ndaj Allahut, duke i detyruar me urdhrat e Tij, duke ua tërhequr vërejtjen
nga rënia në harame dhe duke vazhduar në këtë mirësi madhështore derisa ta takosh Zotin tënd. Siç thotë Allahu i Lartësuar në librin e Tij fisnik: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)”, pastaj tha: “silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit…” (En-Nisa, 36). Pra, Allahu i patëmeta urdhëroi që, pas zbatimit të së drejtës së Tij, që është teuhidi (njësimi) i Tij, sinqeriteti dhe braktisja e shirkut ndaj Tij, të ketë bamirësi ndaj prindërve dhe të afërmve, e ata janë familja jote.

Prandaj çdo mysliman e ka për detyrë të kujdeset për këtë çështje dhe të jetë i përkushtuar në të qenët shkak për shpëtimin e tyre në Ditën e Kiametit, ngaqë i ka këshilluar, është kujdesur për ta, i ka urdhëruar me kryerjen e punëve të mira dhe i ka ndaluar nga prapësitë. I këtillë duhet të jetë myslimani me vëllezërit e tij mysliman. Ai duhet të jetë këshillues, qartësues i rrugës së drejtë, drejtues nga mirësia, gjithmonë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke u frikuar nga ndëshkimi i Tij. Siç thotë i Lartësuari: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat.” (Et-Teube, 71).

Pra, kësisoj janë besimtarët në raport me njëri-tjetrin dhe me familjet e tyre. Ata e kryejnë detyrën që e kanë karshi familjeve dhe vëllezërve të tyre mysliman, shpresojnë në shpërblimin e Allahut dhe i druhen ndëshkimit të Tij. Allahu i Lartësuar i është drejtuar Pejgamberit të Tij (alejhis-salatu ues-selam) me këto fjalë: “Urdhëroje familjen tënde që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë!” (TÂ HÂ, 132).

Allahu i patëmeta tregoi në suren Merjem edhe për pejgamberin dhe të dërguarin e Tij, Ismailin (alejhissalatu ues-selam), se ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet dhe se e urdhëronte familjen e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet. Allahu thotë: “Trego në Libër për Ismailin! Njëmend, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet. Ai e urdhëronte familjen e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.” (Merjem, 54-55). Pra, familja, fëmijët dhe të afërmit e tu janë njerëzit më meritorë për mirësinë dhe bamirësinë tënde, si dhe për përpjekjen tënde që të shpëtojnë nga zjarri. Kjo është prej bamirësisë më të madhe ndaj tyre, gjithmonë duke vepruar sipas vargut të lartcekur: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…”.

Kjo çështje madhështore është më e rëndësishme sesa t’u dhurosh atyre të holla apo gjëra që u nevojiten në këtë botë. Pra, përpjekja për shpëtimin e tyre nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut në Ditën e Kiametit është një çështje e dhe madhështore. Bamirësia ndaj tyre duke u dhënë lëmoshë dhe furnizim hyn në tërësinë e të mirave me të cilat je i urdhëruar, mirëpo, më e rëndësishme se tërë kjo është që sipas mundësisë që e ke, t’i porositësh me bindje ndaj Allahut, t’i detyrosh me obligimet e Tij, t’i ndalosh nga haramet, të jesh vetë i patundur në këtë dhe të jesh shembull i mirë.

Kështu që fillon me veten tënde, në mënyrë që ata të të marrin ty si shembull në çdo të mirë, si: në shpejtimin për kryerjen e namazit dhe faljen e tij me xhemat, në ruajtjen e gjuhës tënde nga çdo gjë e pahijshme, në nderimin e të afërmve dhe fqinjëve, në urdhërimin për të mirë dhe në ndalimin nga e keqja, në thirrjen drejt Allahut, si dhe në mirësi të tjera. Të jesh shembull i mirë për anëtarët e familjes tënde, për shokët dhe fqinjët e tu. Mirëpo kjo pozitë ka nevojë për durim, sinqeritet ndaj Allahut dhe vërtetësi, meqë është një pozitë madhështore: pozitë e thirrjes për udhëzimin e njerëzve dhe këshillimin e tyre; pozitë e përpjekjes për shpëtimin e vetes dhe familjes tënde nga zjarri, duke e praktikuar fjalën e Allahut: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…”. Në këtë ajet, Allahu u bëri thirrje njerëzve me emrin e besimit, sepse besimi është ai që i urdhëron me këtë gjë dhe i thërret drejt saj, edhe pse kjo është një detyrë mbi të gjithë.

Pra, të gjithë njerëzit e kanë për detyrë të kenë frikë Allahun dhe të përpiqen për shpëtimin e vetes, familjeve të tyre dhe të tjerëve nga dënimi i Allahut, mirëpo, pasuesit e imanit janë më të veçantë në këtë urdhër dhe obligimi mbi ta është më i madh, ngaqë ata kanë besuar Allahun dhe e dinë se çfarë kanë për detyrë. Për këtë arsye, Allahu iu drejtua atyre me fjalët: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” Domethënë: ata i zbatojnë urdhrat e dhëna; nuk janë si njerëzit e kësaj bote, të cilët ndodhë që tradhtojnë apo ndodh që të pranojnë ryshfet. Jo, s’ka mundësi që këta engjëj të braktisin urdhrat e dhëna, përkundrazi e zbatojnë urdhrin për të të futur ty dhe të tjerët në zjarr. Andaj, kij kujdes që të mos e takosh Zotin tënd duke qenë (duke vdekur) në gjendje që e zemëron Atë me ty dhe e bën të patjetërsueshme hyrjen tënde në zjarr. Patjetër duhet të ketë përkujdesje të vazhdueshme për këtë çështje dhe për sinqeritet, vërtetësi, lutje drejtuar Allahut të Madhërishëm që të të ndihmojë dhe të dhurojë sukses. Duhet të jesh shembull i mirë për familjen tënde, në mënyrë që ata të shohin prej teje nxitim dhe garë drejt veprave të mira, ashtu që të të marrin si shembull për kryerjen e mirësive. Gjithashtu, patjetër duhet të shohin prej teje edhe kujdes e shmangie nga të këqijat, ashtu që të të marrin si shembull për braktisjen e tyre.

Kjo botë është vend i përpjekjeve të mëdha, i durimit, i ndihmës së ndërsjellë për mirësi dhe devotshmëri dhe i këshillimit të ndërsjellë për të vërtetën dhe durimin në të.Ndërsa bota e pastajme është vend i shpërblimit për atë që ke bërë, qoftë mirë apo keq.

Kjo dynja është vend i punës dhe i përgatitjes (për botën tjetër), për këtë shkak Allahu i patëmeta tha: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-Asr, 1-3). Dhe: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” (El-Maide, 2). Dhe tha Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Feja është këshillë” – tri herë. “Për kë, o i Dërguar i Allahut? – thanë të pranishmit. Ai tha: “Për Allahun, për librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për udhëheqësit e myslimanëve dhe për njerëzit e rëndomtë prej tyre.” (Tirmidhiu dhe Nesaiu).

Kështu, patjetër duhet të ketë porosi e këshillë të ndërsjellë për të vërtetën, për vërtetësinë dhe për durimin, derisa ta takosh Zotin tënd duke qenë i durueshëm, shpresëtar dhe luftëtar kundër vetes, shejtanit dhe epsheve tua. Andaj përpiqu në bindjen ndaj Zotit tënd, luftoje veten tënde dhe përpiqu shumë me familjen tënde, derisa të drejtohen në rrugën e drejtë. Dhe dije se Allahu është me ty.

E lusim Allahun që të na bëjë të gjithëve prej thirrësve drejt udhëzimit dhe ndihmësve të së vërtetës, të na dhurojë sukses, nxitim drejt mirësive dhe largim nga të këqijat! Salatet dhe selamet e Allahut qofshin për të Dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij!

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva