Edukimi i fëmijëve në akiden e saktë islame

Edukimi i fëmijëve në akiden e saktë islame

─≈─ Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim ─≈─

۞ Edukimi i familjes në Islam në mësimet e pastra të tij është gjëja më e rëndësishme dhe themelore mbi të cilën ngritët familja muslimane. Nëse dëshirojmë të kemi fëmijë të ngritur mbi besimin islam atëherë në zemrat e tyre duhet të rrënjosim madhështinë ndaj Allahut. Kjo nuk realizohet veçse kur e lartësojmë teuhidin tek ta, kur në mendjet e zemrat e tyre ngulisim se Allahu është Madhështori, i Përsosuri, se Ai ka emrat më të bukur e Cilësitë më të larta, se Ai nuk ka nevojë për askënd e të gjitha krijesat kanë nevojë për Atë, se janë robër të Tij, janë nën sundimin e Tij dhe se në këtë Allahu nuk ka asnjë shok a rival. Në këtë mënyrë ata ndjejnë se sa i Madhërishëm është Allahu dhe kjo pastaj ka ndikim të madh që ata të realizojnë devotshmërinë, andaj si rrjedhojë do të largohen prej mëkateve dhe do ecin me punë të mira. Njeriu që realizon devotshmërinë e ka shumë të lehtë pastaj të kryejë obligimet e të largohet nga ndalesat. Kur te fëmijët  forcohet ana e respektit ndaj Allahut, do ta kesh të lehtë t’i drejtosh kah gjërat e mira dhe t’i largosh prej gjërave të këqija.

۞ Origjina e pastrimit është zemra, kur ajo pastrohet atëherë do të përmirësohen edhe gjymtyrët e tjera. Nëse e edukon fëmijën me këto parime që do t’i përmendim atëherë do ta ketë të lehtë t’i bindet Allahut ngase zemra e tij do të pastrohet. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në trup është një copë mishi. Nëse ajo është e mirë i tërë trupi është i mirë. Nëse ajo është e prishur i tërë trupi do të jetë i prishur. Ajo copë mishi është zemra.” Ndërsa, Ebu Hurejra ka thënë: “Zemra është mbreti, ndërsa ushtria janë gjymtyrët.” Zemra i komandon gjymtyrët, i bën të veprojnë, i bën të lëvizin drejt bindjes, të largohen prej ndalesave etj. Kur ne të fokusohemi në pastrimin e zemrës së fëmijës, atëherë kjo bën që ai të arrijë në një nivel të lartë, që është el Ikhlas – Sinqeriteti për Allahun, pra do të bëjë vepra vetëm për Allahun.

۞ Duhet t’ia sqarojmë fëmijëve se pse Allahu na ka sjell në jetën e kësaj bote, cili është qëllimi e urtësia e kësaj. A kemi ardhur vetëm të hamë, të flemë, të dëfrehemi, apo diçka tjetër më fisnike e më e madhe? Ia sqaron se Allahu nuk na ka krijuar kot, “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”, Dharijat 56, por na ka krijuar që ta adhurojmë Atë pa i bërë shirk, e pastaj na ka dhuruar shumë begati të cilat na rrethojnë, në mënyrë që ta realizojmë këtë qëllim për të cilin na ka krijuar.

۞ Duhet të rrënjosim te fëmijët tanë emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij dhe kuptimet e tyre. P.sh. ua sqaron se Allahu e di të fshehtën, e di se çfarë mban në zemër njeriu, e di se çfarë mendon ai, e di shikimin e përvjedhur të syrit të tij, pasi ua sqaron se kjo kërkon prej tyre që të kenë kujdes prej Allahut, të mos shfaqin diçka e të fshehin diçka tjetër në zemër etj. Kështu, edhe nëse janë larg syve të prindërve, duke i pasur këto parime, ata do ta kenë frikë Allahun. I mëson se të fshehësh/mbyllesh nga prindërit e nga të afërmit për të kryer një vepër jo të mirë, kjo nuk është prej moralit të mirëfilltë të muslimanit. Allahu thotë: “Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit. Ky mendim që keni pasur për Zotin tuaj, ju shkatërroi e ju u bëtë humbës.” Fussilet 22-23. Ky ajet ka zbritur pas një ngjarje interesante që e transmeton Abdullah ibn Mesudi, i cili kishte dëgjuar dy-tre burra duke biseduar fshehtas, njëri prej tyre kishte thënë: “A mendoni se Allahu na dëgjon se çfarë jemi duke folur?” Tjetri thotë: “Nëse e ngrehim zërin Allahu na dëgjon, e nëse e ulim nuk na dëgjon”, ndërsa i treti thotë: “Nëse na dëgjon kur e ngrehim zërin na dëgjon edhe kur e ulim.” Pastaj ka zbritur ky ajet, Allahu i ka qortuar me të dhe ka treguar për këtë që kanë bërë ata. Allahut nuk mund t’i fshehët asgjë në qiell e tokë, Ai di çdo gjë të fshehtë. Dhe rasti tjetër, siç thotë Allahu: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka” Muxhadile 1. Aisha radijAllahu anha edhe pse ishte afër nuk ka arritur të dëgjojë se çfarë i ka thënë ajo grua Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem edhe pse dëgjonte pëshpëritjet. Por, Allahu që është mbi shtatë qiej e zbret këtë ajet në të cilin tregon se i ka dëgjuar ata duke diskutuar. Andaj, fëmijët duhet t’i edukojmë që të respektojnë dijen e Allahut edhe kur nuk i sheh askush nga njerëzit. Brezat e parë të Islamit i edukonin fëmijët e tyre me emrat e bukur të Allahut, shembull:

─≈─ Emri Es Semii – Ai që dëgjon çdo gjë. Kur të vendosim te fëmija këtë themel (se Allahu dëgjon çdo fjalë të tij) kjo do të ketë ndikim të madh tek ai dhe do ta ruajë gjuhën e tij (nga gënjeshtra, nga fjalët e pahijshme etj.).

─≈─ Emri el Besiir – Ai që sheh çdo gjë. E edukon fëmijën se Allahu të sheh kudo që të jesh, sikur vetëm sikur me të tjerët, sikur në errësirë sikur i mbyllur etj. Allahu sheh milingonën e vogël e të zezë në një shkëmb të zi në një natë të errët, siç ka ardhur në një hadith.

Duhet t’iu tregosh fëmijëve këtë ngjarje shumë të këndshme që i ka ndodhur ibn Umerit radijAllahu anhuma gjatë një udhëtimi. Ai sheh një çoban të deleve dhe do që ta testojë besimin, besnikërinë e sinqeritetin e tij. I thotë: “A na shet një dele? Pastaj e therim, e përgatisim dhe e hamë. Kur të pyet zotëria yt thuaj se e ka ngrënë ujku (gënjeje), kështu që ti i merr parat e shitjes së deles dhe ha bukë me to.” Mirëpo, djaloshi thotë: “E çfarë të bëj me Allahun (i Cili na sheh e na dëgjon)?!” Dhe bën me shenjë me gisht drejt qiellit. Atëherë Ibn Umeri preket e fillon të qajë. Ai e përsëritë fjalën e çobanit. Pastaj, interesohet për pronarin e çobanit (ngase ka qenë skllav) dhe e blen atë bashkë me delet e tij të cilat ia jep dhuratë djaloshit dhe e liron, kjo për shkak të devotshmërisë e sinqeritetit të tij. Ky është ndikimi që lë edukimi me emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta. Në këtë mënyrë gjeneratat e reja rriten me moral islam dhe largohen prej veprave të këqija. Ndërsa, në të kundërt, lehtë dalin prej duarve të prindërve dhe veprojnë gjëra të ndaluara.

۞ Duhet t’iu tregosh fëmijëve se Allahu është sipër çdo gjëje, është mbi qiell, Ai qëndron mbi Arsh sipër shtatë qiejve. Shpeshherë fëmijët pyesin prindërit: “Ku është Allahu? Dua ta shoh Allahun, Unë e dua Atë!” Pyetje të moshës së tyre. Prindi duhet të dijë se si të përgjigjet, e jo menjëherë t’i qortojë apo t’iu bërtasë, apo t’i rrahë. Kur pyet se ku është Allahu i thua: “Është sipër çdo gjëje, mbi Arsh, mbi qiell.” Kur thotë se dëshiron ta shohë Allahun atëherë i thua: “Nëse dëshiron ta shohësh Allahun dhe e do Atë, atëherë dije se Ai ka përgatitur xhenetin për ata që i binden Atij, e pastaj kur hynë në xhenet do ta shohin Allahun.” Përgjigje e lehtë, e thjeshtë. Nëse fëmija bën ndonjë pyetje të pahijshme për Allahun, mos e merr me të keq ngase do të frikësohet për herëve tjera të të pyesë kur ka ndonjë dyshim e paqartësi, do të ngurrojë të të pyesë nga sjellja e keqe që ke treguar ndaj tij, e pastaj mund të gjejë përgjigje diku tjetër e Allahu na ruajttë ajo përgjigje mund ta dërgojë edhe në lajthitje a mohim. Por, ia sqaron me qetësi se duhet pasur edukatë me Allahun nga këto pyetje (kur janë të pahijshme).

۞ Duhet të kenë shembull Pejgamberin dhe sahabët. Zemra e fëmijës është bosh, duhet të mbushet me diçka. Ata kanë dëshirë të imitojnë dikë, andaj ne duhet t’ua mbushim zemrën me dashuri ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, që ta kenë shembull atë, ta ndjekin atë. I thua: Nëse dëshiron të dish për trimin më të madh, dije ai ka qenë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Nëse dëshiron të dish për njeriun më bujar, më të butë, më të ditur, më perfekt, ai ka qenë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem.” Por, ti duhet të kesh dije për jetën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (për t’ia ndërlidhur me shembuj prej jetës së tij). Nëse fëmija është djalë, pastaj i flet për sahabët se sa burra madhështorë kanë qenë ata, se ata duhet t’i marrim shembull pas Pejgamberit, në trimëri, në adhurime, në dëlirësi etj. Nëse fëmija është vajzë, i flet për sahabijet, për nënat e besimtarëve, gratë e Pejgamberit e të sahabëve, se ato duhet t’i marrë shembull. Nëse prindi nuk i bën ata shembull për pasim te fëmija, atëherë fëmija do të gjejë dikë tjetër për shembull (e imitim), veçanërisht në shoqërinë perëndimore, ku mund të ndikohet nga lloj-lloj mëkatari e jobesimtari.

۞ Duhet t’ua kujtosh fëmijëve Ditën e Gjykimit, se në atë Ditë njerëzit do të dalin para Allahut, për të dhënë llogari, pastaj ua sqaron se kush janë ata të cilët do të shpëtojnë atë Ditë, duke ua përmendur edhe hadithin që thotë se janë shtatë grupe njerëzish të cilët do të jenë nën hijen e Allahut e nuk do të ketë hije tjetër, dhe në mesin e tyre është i riu (dhe e reja) i cili është rritur në bindje ndaj Allahut. I tregon se nëse dëshiron që në atë Ditë të frikshme të jesh nën hijen e Allahut, atëherë rritu duke qenë musliman i mirë, duke qenë i bindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. I tregon se duhet të bëjë bashkë mes dy gjërave: të kryejë obligimet dhe të largohet prej ndalesave. I tregon edhe për peshoren në atë Ditë në të cilën do të vendosen veprat e njerëzit dhe se një vepër e keqe ka mundësi të peshojë më shumë e pastaj të dënohesh nëse Allahu nuk të fal dhe ka mundësi që një vepër e mirë të peshojë më shumë e pastaj kjo të bëhet shkak për të shpëtuar. Andaj, i thua që të mos tregohet i shkujdesur ndaj asnjë gjëje të ndaluar apo vepre të mirë. I tregon për Urën e Siratit, nëpër të cilën njerëzit nuk do të kalojnë në bazë të fuqisë së tyre, por në bazë të veprave të mira që kanë bërë në dunja. I tregon për Haudin në të cilin do të pinë ata që i janë bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij (e jo çdokush do të pijë).

۞ Duhet ta edukosh fëmijën për Kaderin e t’i tregosh se nuk mund të ndodhë diçka në univers pa lejen e Allahut, pastaj ia sqaron varësisht nga mosha që ka se në këtë jetë mund ta kaplojë diçka që nuk e pëlqen, p.sh.: mossukses në provime, në mësime, apo të sëmuret etj. I tregon se ato me të cilat goditemi janë caktim nga Allahu dhe ne duhet të pajtohemi. Allahu thotë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij.” Tegabun 11. Sahabët kanë thënë se ky ajet ka për qëllim besimtarin i cili kur goditet nga një fatkeqësi e di se është prej Allahut, pastaj pajtohet dhe i dorëzohet gjykimit të Allahut. I tregon se ne muslimanët i pranojmë gjërat e pakëndshme me besim e bindje tek Allahu, se nëse durojmë do të na fshihen mëkatet dhe do të na ngritën gradat në ahiret (do të jemi përfitues nga sprova).

۞ Duhet ta edukosh se çdo begati e mirësi që posedon është prej Allahut, i Cili thotë në Kuran: “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu” Nahl 53. Kur fëmijës i vjen ndonjë begati e sukses i thua se kjo është vetëm prej Allahut, mirësi prej Tij, andaj mos mendo se ka qenë shkaku zgjuarsia jote, apo puna jote etj. Nëse mbështetet në aftësitë e tij atëherë kjo e nxit drejt mendjemadhësisë. Andaj, e edukon fëmijën që të jetë falënderues e mirënjohës ndaj Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: Allahu është i kënaqur kur robi i Tij ha një kafshatë dhe e falënderon Atë, apo pi një gllënjkë ujë dhe e falënderon për të.” E mëson të jetë falënderues ndaj Allahut, në çdo gjë të jetës së tij, si: ushqimi, pije, shkollimi, siguria, shëndeti, mirëqenia, rrikzu etj. I tregon se këto janë prej Allahut, e ne nuk duhet të tregohemi mendjemëdhenj, por duhet të jemi modestë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu më ka shpallur mua që të jeni modestë ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që askush t’i bëjë padrejtësi askujt, që askush të mos mbahet me të madh para askujt.” Pastaj i tregon se këto mirësi duhet të ruhen. E kur bëjmë gjynahe Allahu na largon ato. Mirësitë ruhen duke u treguar të bindur ndaj Allahut.

۞ Duhet t’ua sjellësh në mendje fëmijëve se Allahu shpërblen shumë për vepra të mira, në ahiret, kur njeriu ka nevojë më së shumti. Shembull: mundohu t’i joshësh për të lexuar Kuran duke u treguar për shpërblimin, u tregon se Kurani ka mbi treqind mijë (300.000) shkronja dhe çdo shkronjë shpërblehet me dhjetë sevape, atëherë nëse lexon komplet Kuranin do të fitosh mbi tre milion shpërblime (3.000.000). Nuk ka të keqe që inkurajimi të bëhet edhe me dhurata, mirëpo kjo të mos bëhet parim (zakon) ngase pastaj fëmija mund të shndërrohet në person materialist (që pret të mira materiale). Fokuso gjithmonë duke ia bërë të ditur se shpërblimi i Allahut është më i madh.

۞ Duhet ta edukosh të mbajë fjalën, besën. Tregohet se selefi i kanë edukuar fëmijët me këto dhe janë treguar të ashpër në këto.

۞ Duhet ta edukosh ta respektojë e madhërojë Kuranin dhe sunetin.

۞ Duhet ta edukosh fëmijën ta përmendë Allahun sa më shumë. Kështu që, ia mëson dhikrin e mëngjesit e të mbrëmjes, dhikrin para ushqimit dhe pas, kur shtrihet për të fjetur etj. Dhe këtë e ndërlidh me shpërblimet e Allahut. P.sh. i thua që nëse e bën dhikrin e daljes nga shtëpia të mbron Allahu, nëse e përmendë kur shtrihesh për të fjetur Ai të ruan, nëse e përmend shumë Allahun do të kesh jetë të qetë etj. Ia sqaron vlerat që ka përmendja e Allahut.

۞ Duhet ta edukosh fëmijën t’i mbështetet Allahut. I tregon se kur ka ndonjë vështirësi e gjendje të rëndë, të kërkojë ndihmën e Allahut, të mbështetet tek ai, ta përmendë Atë sa më shumë etj.

Përmbledhtas, prindi ka amanet mbi supet e tij fëmijët e tij. Le të dijë se Allahu do ta marrë në llogari dhe do ta pyesë se si i ka edukuar dhe se a ka dhënë mundin apo ka kryer obligimin e tij karshi tyre. Prej gjërave më të vështira në Ditën e Gjykimit është kur sheh fëmijët e tij si armiq duke u ankuar për të para Allahut ngase është treguar i shkujdesur e nuk i ka edukuar. Andaj duhet të kemi kujdes ndaj gjërave që ua dëmtojnë fëmijëve tanë besimin dhe t’i largojmë nga përngjasimi me jobesimtarët, me mëkatarët, me aktorët, me këngëtarët etj. Nuk duhet pasur mendim se kinse këta njerëz janë bartës të mesazheve të mira, se janë të mirë e që sjellin ndryshime në shoqëri, realisht ata janë më të ulëtit në shoqëri. U jep fëmijëve të tu shembullin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, sahabëve, dijetarëve etj. Kur muslimani kryen obligimin karshi fëmijëve të tij, atëherë ata do të jenë prehje për sytë e tij dhe qetësi për shpirtin e tij. Kur kryen obligimin në formën më të mirë dhe nuk tregohet i shkujdesur, atëherë shpëton nga marrja në llogari para Allahut në Ditën e Gjykimit.

 

Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit