Lidhur me akiken

Lidhur me akiken

Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, el akika (therja e kafshës si shenjë falënderimi ndaj Allahut që ta ka dhuruar një fëmijë) është sunet i fortë, mirëpo ka edhe mendim të dijetarëve që thonë se është obligim mbi prindërit. Nuk duhet të tregohemi të shkujdesur ndaj kësaj. Me akiken i shprehim mirënjohje Allahut dhe falënderim.

El akika është therja e kafshës në ditën e 7-të të lindjes së fëmijës (numërohet edhe dita e lindjes). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo fëmijë është peng (i lidhur) i akikes së tij. Ajo theret në ditën e 7-të të lindjes, pastaj i rruhet koka fëmijës dhe i vihet emri.” Kuptimi: disa dijetarë thonë se qëllimi është se nëse babai nuk e kryen akiken e fëmijës atëherë ai (fëmija) nuk do të ndërmjetësojë për të në Ditën e Gjykimit, disa të tjerë thonë se nëse nuk i bëhet akika atëherë ai fëmijë do të jetë i lidhur dhe nuk do t’i hapet zemra e nuk do të ketë horizonte të hapura para vetes në jetën e kësaj bote (ky duket të jetë mendimi më i saktë).

Nëse prindi nuk ka mundësi të kryejë akiken në ditën e 7-të për ndonjë arsye të caktuar atëherë theret në ditën e 14-të lindjes, e nëse as në këtë ditë nuk ka mundësi atëherë në ditën e 21-të. Aisha radijAllahu anha ka thënë: “(Akika) Le të jetë në ditën e 7-të lindjes, nëse nuk ka mundësi atëherë në ditën e 14-të, nëse nuk ka mundësi atëherë në ditën e 21-të lindjes.” Po nëse as në këtë ditë nuk ka mundësi atëherë e ther kurdo që t’i lehtësohet.

Për djalin theren dy dele (apo deshë), për vajzën një dele.

Karakteristikat e kafshës së akikes: duhet të jetë e njëjtë sikur që theret për festën e Kurban Bajramit.

Lejohet të mbahet tërë mishi për vete, lejohet të dhurohet i tëri, lejohet grumbullimi në një vend me miq, vëllezër e dashamirë e t’iu bëhet drekë, apo darkë.

 

Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit