Falja ndaj njerëzve është…

Allahu na ka treguar se falja ndaj njerëzve:

është prej portave të mëdha të bamirësisë, “…falua fajet dhe mos ua merr për të keq! Se, Allahu i do bamirësit.” Maide 13.

është prej portave për arritjen e Mëshirës dhe faljes së Allahut, “Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” Tagabun 14.

është prej portave për arritjen e shpërblimeve të mëdha, “Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.” Shura 40.

është portë përmes të cilës arrihet fitimi i xhenetit dhe i kënaqësisë së Allahut, “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” Ali Imran 133-134.

është prej rrugëve më të shkurtra për të arritur devotshmërinë, “Por që të falni është më pranë devotshmërisë.” Bekare 237. Kur është ankuar një person te Fudajl ibn Ijadi për padrejtësitë që ia ka bërë një person, i ka thënë: “Falja atij, kjo është më afër devotshmërisë.” -“Zemra ime nuk mund ta përballojë këtë. Dua të marrë hakun tim ashtu siç ka lejuar Allahu, me aq sa jam dëmtuar.” Atëherë Fudajl ibn Ijad i thotë: “Nëse arrin të hakmerresh kështu, atëherë bëje, porse dije se falja është një derë shumë e gjerë (ndërsa hakmarrja është një derë e ngushtë).” Këtu kuptojmë se shumica e njerëzve kur vjen puna te hakmarrja, nuk e mbajnë veten dhe nuk hakmerren vetëm aq sa janë dëmtuar, porse ata i kalojnë kufijtë, e teprojnë dhe kalojnë në padrejtësi ndaj tyre.

Nga llojet e faljes përmendim:

Falja ndaj atyre që të lëndojnë e ofendojnë në çështjet e fesë. Allahu thotë: “Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” Bekare 109. Dhe “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” Nur 22.

Falja ndaj familjes e të afërmve për lëndimet e ofendimet. Shumë prej njerëzve nuk pranojnë t’i falin të afërmit që i lëndojnë, kjo ngaqë shohin se kanë të drejta ndaj tyre; u kanë ndihmuar, kanë shpenzuar për ta, e si rrjedhojë kur ata lëndohen e marrin sjellje të keqe prej tyre, kështu e kanë të papërballueshme t’i falin ata. Mirëpo, Allahu na fton për falje ndaj tyre, “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” Tegabun 14.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Mposhtja e zemërimit dhe falja e fajeve të njerëzve” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit