Fitimi hallall dhe haram

Fitimi hallall dhe haram

Mirësitë e Allahut mbi ne janë të shumta e të llojllojshme. Prej tyre është përgatitja e llojeve të ndryshme të furnizimit, të frutave të shijshme, të bimëve etj. Gjithashtu prej mirësive janë dhe rrugët e mënyrat për fitimin e tyre (drejt të cilave na ka udhëzuar). Kështu, njeriu konsumon atë që është e lejuar dhe e falënderon Allahun për mirësitë e Tij. Allahu thotë: “Ne ju kemi vendosur në tokë dhe aty ju kemi dhënë çfarë ju nevojitet për jetesë. Eh, sa pak mirënjohës që jeni!” Araf 10. Dhe: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” Mulk 15.

Allahu do të na pyes Ditën e Gjykimit për pasurinë tonë, ushqimet e pijet që kemi konsumuar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu në ditën e Gjykimit nuk do të lëvizë nga vendi ku është derisa të pyetet për katër gjëra“, prej tyre: “për pasurinë e tij se nga e ka fituar dhe si e ka shpenzuar.” Çdo musliman duhet ta këshillojë vetveten dhe të jetë i sinqertë me veten e tij- para se të dalë para Allahut- në përgatitjen e përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve (të ketë një përgjigje e saktë dhe të pranuar).

Në mes e këtyre mirësive që thamë është qartësimi i gjërave të cilat janë të lejuara dhe të ndaluara. Pejgamberi salAllahu alrjhi ue selem ka thënë: “Vërtet, gjërat e lejuara janë të qarta dhe gjërat e ndaluara janë të qarta. Mes tyre ka gjëra të paqarta (të dyshimta) të cilat shumica e njerëzve nuk i dinë…”

Sa i përket gjërave që Allahu ka përgatitur për ne në këtë botë, ato ndahen në tri lloje:

  1. Të lejuarat e qarta.
  2. Të ndaluarat e qarta (këtu hyjnë ndalesat e ardhura në Kuran e sunet me argumente).
  3. Të paqartat, të dyshimtat (për shumicën e njerëzve, e jo për të gjithë (jo për dijetarët)).

Kur muslimani nuk e di se një gjë a është e lejuar apo e ndaluar, në këtë rast i largohet dhe ruhet prej saj. E nëse bie në të tilla dhe tregohet moskokëçarës e indiferent, duke i nënvlerësuar dhe duke e konsideruar si gjë të lehtë çështjen e tyre, atëherë një ditë ato gjëra do ta çojnë në rënien në ndalesat e qarta. Muslimani duhet të tregohet i mençur, i urtë, e të largohet prej gjërave të ndaluara. Gjithashtu dhe prej rrugëve e mjeteve që çojnë në veprimin apo rënien në këto gjëra. E prej rrugëve që çojnë në to është moskokëçarja ndaj gjërave të dyshimta dhe konsiderimi i tyre si gjëra të parëndësishme (se nuk ka problem të veprohen). Muslimani ka nevojë maksimale që të ketë të kuptuar të fesë në këtë çështje, sidomos sot, kur janë përzier çështjet dhe njerëzit e kanë të paqartë se çfarë është e lejuar e çfarë e ndaluar.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Traskriptim – Shkëputje nga derset “Ramazani 2019”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit