Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e katërt

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Rukuja:

Pastaj përkulet në ruku duke thënë All-llāhu ekber. Në ruku drejtohet, qetësohet dhe nuk ngutet. Duart me gishtërinj të ndarë nga njëri-tjetri i vendos mbi gjunjë, ndërkohë që kokën e drejton në të njëjtën vijë me shpinën dhe thotë:

سبحان ربي العظيم ، سبحان ربي العظيم ، سبحان ربي العظيم

سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي

“Subhāne rab-bijel-‘adhīm, subhāne rab-bijel-‘adhīm, subhāne rab-bijel-‘adhīm, subhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.”

(I pastër nga çdo e metë është Zoti im i Madhërishëm, i pastër nga çdo e metë është Zoti im i Madhërishëm, i pastër nga çdo e metë është Zoti im i Madhërishëm. I pastër nga çdo e metë je o Allah, Zoti ynë dhe Ty të përket lavdi e falënderimi. O Allah, më fal mua!)

Kjo për shkak të fjalëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Në ruku madhërojeni Zotin!” (Ahmedi, nr. 1801 dhe Muslimi nr. 738).

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ishte në ruku thoshte:

سبحان ربي العظيم

“Subhāne rab-bijel-‘adhīm”

(I pastër nga çdo e metë është Zoti im i Madhërishëm)

Āisha (radijAllahu anha) thotë: “Kur ai (Profeti) ishte në ruku dhe sexhde i shpeshtonte këto fjalë:

سبحانك اللهم ربنا وبحمدك اللهم اغفر لي

“SubhānekAll-llāhum-me rab-benā we bihamdike. All-llāhumm-magfirlī.”

(I pastër nga çdo e metë je o Allah, Zoti ynë dhe Ty të përket lavdi e falënderimi. O Allah, më fal mua!) (Ahmedi, nr.23034, Buhariu, nr. 775 dhe Muslimi, nr.746)

Këto janë të pëlqyeshme të thuhen. Obligim është të thuhet një herë: سبحان ربي العظيم “Subhāne rab-bijel-‘adhīm”, mirëpo, nëse e përsëritë tri, pesë, apo më shumë herë, kjo është më mirë. Po ashtu është përcjellë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se kur ishte në ruku thoshte:

سبحان ذي الجبروت والملكوت والكبرياء والعظمة

“Subhāne dhil-xheberūti wel-melekūti wel-kibrijāi wel-‘adhameti”

(I pastër nga çdo e metë është Poseduesi i pushtetit, mbretërisë, madhështisë dhe epërsisë!) (Ahmedi, nr. 22855 dhe 23469, dhe Nesaiu nr. 1039)

Po ashtu thoshte:

سبوح قدوس رب الملائكة والروح

“Sub-būhun, Kud-dūsun, rab-bul-melāiketi werr-rrūhi”

(I pastër nga çdo e metë dhe i Shenjtë është Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit (Xhebrāilit) (Ahmedi, nr. 23699 dhe Muslimi, nr. 752)

Kështu, nëse njeriu i thotë këto për ta pasuar Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), atëherë kjo është një gjë e mirë.

Ngritja nga rukuja:

Pastaj, si imami, si ai që falet vet, ngrihet nga rukuja duke thënë:

سمع الله لمن حمده

“Semi’All-llāhu limen hamideh”

(Allahu e dëgjon/e dëgjoftë atë që e lavdëron/falënderon Atë)

dhe i ngritë duart në nivel me supet e tij apo në nivel me majat e veshëve, ashtu siç veproi më parë [në tekbīrin fillestar dhe] duke rënë në ruku.

Në vijim, pasi që të ngrihet dhe të drejtohet thotë:

ربنا ولك الحمد

“Rab-benā we lekel-hamdu”

(Zoti ynë, Ty të përket lavdi/falënderimi!)

Apo thotë:

اللهم ربنا ولك الحمد حمدا كثيرا طيبا مباركا فيه ملء السموات وملء الأرض وملء ما بينهما وملء ما شئت من شيء بعد

“All-llāhum-me rab-benā we lekel-hamdu hamden kethīren tajjiben mubāreken fīhi mil-es-semāwāti we mil-el-erdi we mil-e mā bejnehumā we mil’e mā shi’te min shej-in ba’du.”

(O Allah, Zoti ynë, Ty të qofshin të gjitha lavdërimet/falënderimet; lavdërimet/falënderimet e shumta në të cilat është mirësia dhe bekimi, duke mbushur qiejt, tokën dhe çka është ndërmjet tyre dhe duke mbushur çfarë Ti dëshiron prej gjërave të mëtejshme!)

Kjo thënie është saktësuar nga vepra dhe fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ai ia miratoi një njeriu që e dëgjoi duke thënë: hamden kethīren tajjiben mubāreken fīhi” dhe tregoi se e pa një numër të madh engjëjsh që nxitonin se cili më parë do ta shkruante dhe do ta ngrinte. S’ka dallim mes burrit dhe gruas në këtë. E, nëse kësaj ia shton edhe:

أهل الثناء والمجد أحق ما قال العبد وكلنا لك عبد لا مانع لما أعطيت ولا معطي لما منعت ولا ينفع ذا الجد منك الجد

“Ehleth-thenāi wel-mexhdi ehak-ku mā kālel-abdu we kul-lunā leke abdun: All-llāhum-me lā māni’a limā a’tejte we lā mu’tije limā mena’te we lā jenfe’u dhel-xhed-di minkel-xhed-du.”

(O i Denjë për Lavdërim dhe Madhështi! – Gjëja më e vërtetë që robi ka thënë dhe ne të gjithë jemi robërit e Tu: O Allah! Askush s’mund ta ndalë atë që jep Ti dhe askush s’mund të japë atë që Ti e ndalë, e as zotërimet/pasuritë e një pronari nuk mund t’i bëjnë dobi para Teje.), atëherë kjo është mirë, ngaqë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e thoshte nganjëherë këtë. Pra, kuptimi është se të gjithë janë të varfër/të nevojshëm për Allahun e Patëmetë e të Lartësuar.

E, nëse është duke u falur pas imamit, ai thotë: rab-benā we lekel-hamdu, apo rab-benā lekel-hamdu, apo All-llāhum-me rab-benā lekel-hamdu, apo All-llāhum-me rab-benā we lekel-hamdu duke u ngritur nga rukuja dhe i ngritë duart në nivel me supet apo me majat e veshëve. Të gjitha këto ligjësohen si për imamin, ashtu edhe për atë që falet pas tij, apo për atë që falet vet. Mirëpo, imami dhe ai që falet vet, së pari thonë: semi’All-llāhu limen hamideh, e pastaj: rab-benā we lekel-hamdu. Ndërsa, sa i përket atij që falet pas imamit, ai duke u ngritur nga rukuja thotë: rab-benā we lekel-hamdu dhe nuk thotë: semi’All-llāhu limen hamideh. Kjo sipas mendimit më të saktë të dijetarëve që e kemi zgjedhur, mendim ky për të cilin aludojnë hadithet e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Përderisa njeriu është në këtë shtyllë të namazit (ruku) e ka obligim të drejtohet dhe të mos ngutet. Në vijim, kur të ngrihet nga rukuja, të drejtohet e të qetësohet në këmbë, ai i vendos duart në gjoks. Kjo është më mirë. Disa dijetarë thanë se i lëshon duart poshtë, mirëpo, e vërteta është se i vendos në gjoks; shuplakën/pëllëmbën e dorës së djathtë e vë mbi (shpinën) e të majtës dhe i vendos në gjoks, ashtu siç veproi para rukusë, gjersa ishte në gjendjen e leximit të Kuranit. Ky është suneti, për shkak të asaj që saktësohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se kur ai ishte në këmbë gjatë namazit, shuplakën e dorës së djathtë e vendoste mbi shpinën e shuplakës së dorës së majtë, në gjoks. Kjo është saktësuar nga Uāil bin Huxhër si dhe në hadithin e Kabīsa Et-Tāij nga babai i tij. Po ashtu është saktësuar në formën mursel në hadithin e Tāvūsit që e përcjell nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Kjo është më mirë dhe ky është suneti. Mirëpo nëse njeriu i lëshon duart poshtë gjatë namazit, atëherë s’ka gjë dhe namazi i tij është i saktë, mirëpo, ai e ka braktisur sunetin. Besimtarëve apo besimtareve nuk ju takon që të armiqësohen dhe të përçahen për këtë. Përkundrazi, nxënësi i dijes (hoxha) duhet t’ua mësojë sunetin vëllezërve të vet pa e rënduar me fjalë atë që i lëshon duar poshtë dhe nuk duhet të ketë mes tyre armiqësi dhe urrejtje, ngaqë një gjë e tillë është sunet i vullnetshëm. Andaj, vëllezërit kudo që janë, qoftë në Afrikë apo gjetkë, nuk është mirë të përçahen dhe urrehen për këtë, por duhet t’i mësojnë njerëzit me butësi, urtësi dhe duke e dashur për vëllanë atë që e do për vete. Kështu pra duhet të jemi karshi këtyre çështjeve.

Në Sahīh-un e Buhāriut përcillet nga Sehl bin Sa’di (radijAllahu anhu) të ketë thënë: “Njeriu urdhërohej që në namaz ta vendoste dorën e djathtë mbi krahun e dorës së majtë.” Ebu Hāzimi thotë: “Nuk di tjetër, veçse këtë ta ketë përcjellë nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” Pra, kjo aludon se ai që falet, kur është në këmbë, dorën e tij të djathtë e vendos mbi krahun e majtë, do të thotë: mbi shuplakë, kyç (byzylykë) dhe parakrah. Sepse vetëm kësisoj bëhet bashkimi midis kësaj forme dhe transmetimit të Uāil bin Huxhrit. Pra, kur e vendos shuplakën mbi kyç dhe parakrah, ai e ka vendosur mbi krahë, sepse parakrahu është pjesë e krahut. Pra, pëllëmbën e djathtë e vendos mbi pëllëmbën e dorës së majtë dhe njëkohësisht mbi kyç e parakrah, siç u përmend haptazi në hadithin e Uāilit. Kjo e përfshinë edhe qëndrimin në këmbë para rukusë, edhe atë pas saj. Drejtimi pas rukusë është shtyllë e namazit dhe assesi s’bën pa të. Disa njerëz nguten dhe posa të ngrihen nga rukuja, menjëherë bien në sexhde; kjo nuk lejohet. Namazfalësi e ka për detyrë që pas ngritjes nga rukuja, të drejtohet, të qetësohet dhe të mos ngutet. Enesi (radijAllahu anhu) tregon: “Kur Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ngrihej nga rukuja, drejtohej dhe qëndronte aq gjatë derisa mendonim se ka harruar.” Kështu vepronte edhe mes dy sexhdeve. Prandaj, namazfalësi, qoftë në farz apo në nafile, e ka për detyrë të mos ngutet, por të qetësohet pas rukusë dhe ta thotë dhikrin e ligjësuar. Kështu edhe mes dy sexhdeve; nuk ngutet, por qetësohet dhe drejtohet, siç do ta shpjegojmë më poshtë, dhe mes tyre thotë: “rab-bigfirlī, rab-bigfirlī” (O Zoti im, më fal mua, o Zoti im, më fal mua!); ashtu siç bënte një gjë të tillë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva