Forma e namazit prej abdesit e deri në dhënien e selamit – pjesa e tretë

Shejh AbdulAzīz bin Bāz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/8473

Forma e namazit:

Së dyti: Të gjitha namazet: drekën, ikindinë, akshamin, jacinë dhe sabahun, edhe burri edhe gruaja i fillon me tekbīr, pra thotë: All-llahu ekber.

Pastaj thotë:

سبحانك اللهم وبحمدك وتبارك اسمك وتعالى جدك ولا اله غيرك

“Subhānekall-llāhum-me we bihamdike we tebārekesmuke we te’ālā xhed-duke we lā ilāhe gajruke.”

(I pastër nga çdo e metë je Ti o Allah dhe Ty të takon lavdi e falënderimi! I begatë është Emri Yt dhe e lartë është Madhështia Jote! S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje!)

Kjo është prej lutjeve më të shkurtra me të cilat hapet namazi.

Apo thotë:

اللهم باعد بيني وبين خطاياي كما باعدت بين المشرق والمغرب اللهم نقني من خطاياي كما ينقى الثوب الأبيض من الدنس اللهم اغسلني من خطاياي بالثلج والماء والبرد

“All-llāhum-me bā’id bejnī we bejne hatājāje kemā bā’adte bejnel-meshriki wel-magribi. All-llāhum-me nek-kinī min hatājāje kemā junek-kath-thewbul-ebjedu mined-denes. All-llāhum- magsilnī min hatājāje bith-thelxhi wel-māi wel-beredi!”

(O Allah, më largo nga mëkatet e mia, ashtu siç e ke larguar lindjen nga perëndimi! O Allah, më pastro prej mëkateve të mia, ashtu siç pastrohet rroba e bardhë prej njollave! O Allah, më pastro prej mëkateve të mia me borë, ujë dhe akull!)

Kjo është prej lutjeve më të sakta me të cilat hapet namazi. Nëse e thotë këtë apo atë (të parën), është e vlefshme. Ka edhe lutje tjera me të cilat hapet namazi dhe që janë saktësuar nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse burri apo gruaja e thotë ndonjërën prej tyre, është e vlefshme dhe mjafton, mirëpo këto dyja janë prej më të shkurtrave. Thënia e kësaj lutjeje është gjë e pëlqyeshme dhe jo e detyrueshme. Kështu, nëse njeriu fillon menjëherë pas tekbirīt të lexojë El-Fātiha-në, është e mjaftueshme. Mirëpo, thënia e lutjes që e hap namazin është më mirë, për shkak të pasimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në këtë.

Mënyra e leximit të Kuranit në namaz:

Në vijim, pas lutjes që e hap namazin, burri apo gruaja thotë:

أعوذ بالله من الشيطان الرجيم بسم الله الرحمن الرحيم

“E’ūdhu bil-lāhi minesh-shejtānirr-rraxhīm, bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm”

(Mbrohem me Allahun nga dëmi i shejtanit të mallkuar! Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!)

Pastaj e lexon El-Fātiha-në:

بسم الله الرحمن الرحيم الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلا الضَّالِّينَ

“Bismil-lāhirr-rrahmānirr-rrahīm. El-Hamdu lil-lāhi rab-bil-‘ālemīn. Err-rrahmānirr-rrahīm. Māliki jewmid-dīn. Ij-jāke na’budu we ij-jāke neste’īn. Ihdines-sirātal-mustekīm. Sirātal-ledhīne en’amte alejhim gajril-magdūbi alejhim weled-dāl-līn.”

(Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!)

Pastaj thotë “amīn”. Kjo fjalë nuk është pjesë e El-Fātiha-së, por është e pëlqyeshme të thuhet. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thoshte “amīn” pas leximit të El-Fātiha-së, si në namazet me zë ashtu edhe në ato pa zë. Kuptimi i saj është: “O Allah pranoje!”

Në vijim, pas leximit të El-Fātiha-së, në rekatin e parë dhe të dytë të drekës, të ikindisë, të akshamit dhe të jacisë, si dhe në të dy rekatet e sabahut, lexon çfarë i vjen më lehtë nga Kurani fisnik. Pra, e lexon El-Fātiha-në, më pastaj e lexon një sure apo disa ajete.

Është më mirë që leximi në namazin e drekës të jetë nga eusātul-mufessal, si për shembull suret: El-Gāshije, El-Lejl, ‘Abese, Et-Tekuīr, El-Infitār, e të ngjashme me këto.

Në ikindi lexon ngjashëm me këtë, mirëpo pak më shkurt sesa në drekë.

Në aksham, pas El-Fātiha-së lexon atë që i vjen më lehtë nga këto sure, apo më të shkurtra se to. E, nëse ndonjëherë në namazin e akshamit lexon më gjatë, kjo është më mirë, ngaqë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nganjëherë në aksham lexonte suren Et-Tūr, nganjëherë suren El-Murselāt dhe nganjëherë suren El-A’rāf, të cilën e ndante në të dy rekatet. Mirëpo, zakonisht gjatë namazit të akshamit lexonte nga kisarul-mufessal, si për shembull suret: El-Beled, apo Ez-Zelzele, apo El-Kāri’a, apo El-‘Adijāt. S’ka gjë nëse njeriu i lexon këto sure, mirëpo, siç u tha më lartë, nganjëherë i Dërguari lexonte më gjatë.

Në jaci lexon ngjashëm me leximin e tij në drekë dhe në ikindi. E lexon El-Fātiha-në dhe në dy rekatet e para të saj lexon ngjashëm me suret: El-Burūxh, Et-Tārik, El-Gāshije, ‘Abese, Et-Tekuīr, e të ngjashme me këto, apo lexon në dy rekatet e para ajete sa gjatësia e këtyre sureve.

Në namazin e sabahut po ashtu lexon Kuran pas El-Fātiha-së, mirëpo leximi në të është më i gjatë sesa në namazet tjera. Për shembull, në të lexon suret: Kāf, El-Kamer, apo më të shkurtra se këto, si: Et-Tegābun, Es-Saff, El-Mulk, El-Muzzemmil, e sure të ngjashme. Pra, në namazin e sabahut, leximi bëhet më i gjatë sesa në namazet tjera, duke e pasuar kështu Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse ndonjëherë lexon më shkurt apo më gjatë se kaq, s’ka gjë, ngaqë është saktësuar se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nganjëherë lexonte më shkurt sesa këto sure. Mirëpo, nëse në shumicën e rasteve lexon më gjatë në namazin e sabahut, kjo është më mirë, për shkak të pasimit të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Ndërsa, në rekatin e tretë dhe të katërt të drekës, ikindisë dhe të jacisë, si dhe në rekatin e tretë të akshamit, e lexon El-Fātiha-në, pastaj merr tekbir dhe përkulet në ruku. Mirëpo, në disa transmetime përmendet se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në rekatin e tretë dhe të katërt të drekës, nganjëherë lexonte Kuran pas El-Fātiha-së. Andaj, nëse njeriu në rekatin e tretë dhe të katërt të drekës nganjëherë lexon pas El-Fātiha-së atë që i vjen më lehtë nga Kurani, kjo është një gjë e mirë, për shkak të pasimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Kjo pra ishte mënyra e leximit në namaz.

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva