Frika se nuk do të kem rrizk

─ Frika se nuk do të kem rrizk

Është prej mendimit të keq për Allahun kur njeriu frikësohet se nuk do të ketë rrizk. Dijetarët kanë thënë se mendimi i keq për Allahun vjen si rezultat i padijes për Atë. Kur njeriu nuk e njeh Allahun atëherë ka mendim të keq. Allahu është Err Rrezak dhe Err Rrazik. Ai i furnizon krijesat e Tij. Ai të ka krijuar dhe Ai të furnizon patjetër. Ai ka garantuar se do ta furnizojë çdo krijesë. Përderisa Allahu të ka krijuar atëherë qetësoje mendjen e rehatoje shpirtin se rrizku do të të vijë. Mirëpo, rrizku vjen aq sa e ke të caktuar. Allahu ka dalluar ndërmjet njerëzve në dhënien e rrizkut. Disave u jep më shumë, disave ua kufizon atë, kjo në saje të urtësisë së Tij, Ai e di pse dikë e furnizon më shumë e pse dikë më pak. Nganjëherë Allahu ia kufizon personit rrizkun ngase e di se pasuria i bëhet shkak të devijojë prej fesë, apo të dobësohet në devotshmëri apo të bëhet mendjemadh, nënçmues ndaj të tjerëve që nuk kanë etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lutur Allahun ta ruajë prej fitnes së pasurisë, ashtu siç e ka lutur ta ruajë prej fitnes së varfërisë. Të dyja janë fitne. Pasuria kërkon mirënjohje ndaj Allahut dhe përgjegjësi se si e fiton e ku e shpenzon. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu nuk do të lëvizë nga vendi i tij në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra“, prej tyre ka thënë: “Për pasurinë se nga e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar”. I varfri e ka më të lehtë këtë llogaridhënie ngase ka pasur pak, për këtë arsye të varfrit do të hyjnë në xhenet 500 vjet para të pasurve ngase llogaridhënia e tyre është e paktë. Për shumicën e njerëzve pasuria është fitne më e madhe sesa varfëria, kurse varfëria të bën më modest e më të përulur (ndaj Allahut), dhe ajo që kërkohet është vetëm durimi. Nëse bën durim shpërblehesh edhe për sprovën edhe për durimin, ndërsa pasuria ka sfida e përgjegjësi më të mëdha (a po tregohesh falënderues siç duhet, me zemër, me fjalë e gjymtyrë, a po e tepron në shpenzim etj.) dhe llogaridhënie më të madhe. Ky është shpjegim i shkurtë se pse Allahu disa besimtarë i lë të varfër. Jo se do t’i ndëshkojë, por kjo është sprovë për durimin e tyre dhe e di se pasuria mund t’i dëmtojë. Besimtari duhet të jetë i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është musliman, ka furnizim të mjaftueshëm dhe është i kënaqur me atë që ia ka dhënë Allahu.” Ai nuk duhet t’i shikojë ata që janë më të pasur e me kushte më të mira dhe t’i lakmojë, apo t’ua ketë zili.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit