Gjatë udhëtimit me aeroplan në destinacion ku ka orë të gjata fluturimi, cilat janë mundësitë për të falur namazin?

Përgjigje: Së pari duhet ditur se drejtimi kah kibla, qëndrimi në këmbë, rukuja dhe sexhdeja, sa i përket namazit farz (obligativ), janë prej shtyllave (rukneve) të tij, dhe ai nuk pranohet pa kryerjen e tyre përveç se me arsye sheriatike. Namazi ka edhe shtylla tjera, por këto janë ato për të cilat njerëzit zakonisht pyesin në rastin e faljes së namazit në aeroplan apo në ndonjë mjet tjetër të udhëtimit. Prej arsyjeve që dijetarët i kanë përmendur në këtë temë është edhe kur njeriu falet në aeroplan dhe nuk ka mundësi të drejtohet kah kibla apo të qëndrojë në këmbë. Por, kjo lejohet vetëm në rastin kur njeriu frikësohet se namazit po i del koha, dhe që namazi të jetë prej atyre namazeve që nuk bashkohet me namazin pararendës apo atë që pason (siç është rasti i sabahut për shembull).

 

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur për një person i cili ka udhëtuar me aeroplan dhe nuk e ka ditur drejtimin e kibles, madje të gjithë ata të cilët ishin në aeroplan nuk e dinin këtë. Kështu që, ai u fal mirëpo pa e ditur se a është kthyer në drejtim të kibles apo jo. A është namazi i tij i saktë në këto rrethana?

 

Ai u përgjigj: “Ai që hipën në aeroplan, nëse ka dëshirë që të falë namaz nafile (vullnetar), atëherë ai falet në atë drejtim që është i kthyer dhe nuk e ka obligim të drejtohet kah kibla. Është pohuar se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, kur ishte në udhëtim falej (nafile) mbi kafshën e tij ngado që ajo kthehej. Kurse, sa i përket farzit, nëse mundet atëherë patjetër duhet të drejtohet kah kibla dhe patjetër duhet të bëjë rukunë dhe sexhden. Bazuar në këtë, themi se nëse ai ka mundësi që t’i kryejë këto (shtyllat e namazit) në aeroplan, atëherë le të falet në aeroplan.
Mirëpo, nëse koha e namazit e zë në aeroplan dhe namazi është prej atyre që bashkohen me namazin që pason, siç është rasti me namazin e drekës, atëherë duhet ta shtyejë faljen e tij në mënyrë që ta bashkojë me ikindinë (domethënë kur aeroplani zbret në tokë). Njëjtë themi edhe për namazin e akshamit; pra e shtyen që ta falë të bashkuar me namazin e jacisë. Ai gjithashtu e ka obligim që t’i pyesë shërbyesit (e aeroplanit) për drejtimin e kiblës, nëse në aeroplan nuk gjenden shenjat e kiblës. Nëse nuk vepron kështu dhe falet, atëherë namazi i tij nuk është i saktë.” (Shih: “Muxhel-letu Ed-Daueh”, nr. 1757, faqe: 45).

 

“Komisioni i përhershëm” është pyetur: “Nëse udhëtoj me aeroplan dhe hyn koha e namazit, a më lejohet të falem në aeroplan apo jo?”

 

Ata u përgjigjen (përgjigjja e tyre dallon prej asaj të shejh Uthejminit, Allahu i mëshiroftë të gjithë!): “Nëse hyn koha e namazit dhe aeroplani vazhdon të fluturojë, si dhe rrezikohet dalja e kohës së namazit para se aeroplani të zbresë në ndonjë prej aeroporteve, atëherë dijetarët kanë ixhma’ (konsensus) se është obligim të falet namazi sipas mundësisë, duke i kryer rukunë, sexhden dhe drejtimin kah kibla. Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Et-Tegabun, 16). Ndërsa, i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur t’ju urdhëroj për një gjë, atëherë kryejeni atë sa të mundeni.” E transmeton Muslimi, nr. 1337.

 

Kurse, nëse ai e di se aeroplani do të aterojë para se të dalë koha e namazit, për aq sa mundet ta falë namazin, apo namazi është prej atyre namazeve që bashkohen me namazin që pason, siç është namazi i drekës me atë ikindisë apo namazi i akshamit me atë të jacisë, apo e di se aeroplani ateron para se të dalë koha e namazit të dytë për aq sa mundet t’i falë dyjat (të bashkuara), atëherë xhumhuri (shumica) e dijetarëve e lejojnë që të falet në aeroplan, për shkak të urdhërit për faljen e namazit, sipas mundësisë, menjëherë pasi që të hyjë koha e tij, siç e sqaruam më lartë. Dhe, ky është mendimi i saktë.” (Shih:“Fetaua El-Lexhneh Ed-Daimeh”, 120/8).

 

Po ashtu, ata u pyetën: “A lejohet të falemi ulur në aeroplan, edhe nëse kemi mundësi të qëndrojmë në këmbë, për shkak të turpit prej njerëzve.”

 

Ata u përgjigjen:“Nuk lejohet që njeriu të falet ulur në aeroplan apo ndonjë mjet tjetër, nëse ka mundësi që të qëndrojë në këmbë. Sepse, Allahu i Lartësuar në mënyrë të përgjithshme ka thënë: “dhe qëndroni (në këmbë) me devotshmëri para Allahut” (El-Bekarah, 238). Gjithashtu, Buhariu në Sahihun e tij e transmeton hadithin e Imran bin Husajnit, radijallahu anhu, se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Falu në këmbë; e nëse nuk ke mundësi falu ulur; e nëse nuk ke mundësi falu i shtrirë ijas (anash).” Ndërsa, Nesaiu shton me isnad (zingjir) të saktë: “…nëse nuk ke mundësi, falu i shtrirë në shpinë.”

 

Shejh Bin Bazi, Allahu e mëshiroftë, i sjell disa detaje tjera rreth mënyrës së faljes në aeroplan, tren, etj.
Ai është pyetur: “Cila është forma / mënyra e faljes në aeroplan apo tren? Sepse, atij që udhëton me njërën prej tyre i shfaqen shumë gjëra (të papëlqyeshme), siç janë lëkundjet dhe devijimi djathtas-majtas nga drejtimi i kibles. Na i jepni disa udhëzime rreth kësaj teme, Allahu ju shpërbleftë!”

 

Përgjigjja e shejhut:“Nëse udhëtimi është i shkurtër (domethënë që nuk lejohet të shkurtohet namazi), atëherë namazin e falë në vendin të cilin e synon, nëse udhëtimin e fillon para se të hyjë koha e namazit. E, nëse udhëtimin e nis pasi që të hyjë koha e namazit, atëherë falet para se ta fillojë udhëtimin, në aeroport apo diku tjetër.

 

Ndërsa, nëse udhëtimi është i gjatë, atëherë falet në aeroplan apo tren, dhe nuk e lë namazin që ta fali pasi t’i dalë koha. Ai falet sipas mundësisë; drejtohet kah kibla dhe rrotullohet duke u kthyer kah kibla ngado që lëviz aeroplani apo treni. Gjithashtu, nëse ka mundësi duhet të falet në këmbë; e nëse nuk ka mundësi, atëherë falet ulur por duke u rrotulluar kah kibla. Njëjtë vepron ai që falet në anije. Të gjithë janë të urdhëruar që të falen sipas mundësisë.

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Et-Tegabun, 16).

 

Pra, nëse ka mundësi që të ngritet në mes të aeroplanit, apo në mes të anijes, apo në mes të trenit, apo ndonjë vend tjetër të tij, atëherë ngritet dhe falet në këmbë, si dhe i bën rukunë dhe sexhden, duke plotësuar namazin në drejtim të kibles. Nëse aeroplani, treni, anija rrotullohen (domethënë e ndryshojnë kursin), atëherë edhe ky rrotullohet duke u kthyer gjithmonë / vazhdimisht kah kibla. Kështu vepron në namazet farz (obligative). Në të njëjtën mënyrë lejohet të falet edhe namazi nafile (domethënë në tren apo aeroplan), sepse nuk e ka të vështirë që në këto mjete të udhëtimit të kthehet kah kibla (edhe nëse ato e ndryshojnë kursin).

 

Është pohuar se i Dërguari,salallahu alejhi ue selem, namazet nafile (vullnetare) i falte mbi kafshën e tij ngado që kthehej ajo. Kur dëshironte të merrte tekbirin fillestar kthehej kah kibla, pastaj falej në drejtimin të cilin e ndiqte kafsha gjatë udhëtimit.

 

Mirëpo, disa dijetarë e përmendin se rrotullimi i vazhdueshëm kah kibla për atë që falet mbi kafshë është shumë i vështirë. Sepse, ai gjithmonë do të jetë i kthyer në drejtimin të cilin e ndjek (gjatë udhëtimit) duke e drejtuar / kontrolluar kafshën. Kështu që, e ka të vështirë të kthehet në drejtim të kibles.Por, kur dikush falet në tren, aeroplan, apo automobil; çështjen e drejtimit të tyre e ka dikush tjetër në dorë. Pra, nuk është ai që e drejton aeroplanin apo anijen, kështu që mundet të rrotullohet /drejtohet kah kibla (nëse aeroplani e ndryshon kursin) edhe pse është duke falur namaz nafile. Pra, ky nuk është i njëjtë me atë që i grah devesë, apo mushkës, apo kalit, apo gomarit, etj. Përkundrazi, ky mundet që vazhdimisht të drejtohet kah kibla (edhe pse është duke falur nafile). Prandaj, sipas mendimit të cilin e zgjedhin një pjesë e dijetarëve, edhe në namazin nafile vepron njëjtë si në namazin farz(gjithmonë kthehet në drejtim të kibles, ngase kjo është brenda mundësive të tij).

 

Ndërsa, nëse nuk mund ta veprojë këtë, dhe si rrjedhojë mund t’i humbë namazi nafile të cilin dëshiron ta fal (edhe pse është në aeroplan), siç është namazi i duhasë (paraditës), apo namazi i natës, etj, atëherë shpresojë që në këtë çështje të ketë hapësirë (domethënë falet sipas mundësive). Sepse (siç u sqarua më lartë), i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i falte nafilet në atë drejtim që udhëtonte. Gjithashtu, nganjëherë është e vështirë për personin që ta vërejë / konstatojë drejtimin e kiblës kur është duke e falur namazin e natës në aeroplan. Ka edhe arsye tjera që mund t’ia vështirësojnë atij drejtimin kah kibla.

 

Prandaj, shpresoj që nëse falet, fjala është për nafile, në atë drejtim që është duke udhëtuar (sipas kursit të aeroplanit), atëherë kjo i falet (pranohet), me lejen e Allahut. (Themi kështu) duke e bërë analogji aeroplanin me devenë dhe kafshët tjera mbi të cilat falej i Dërguari, salallahu alejhi ue selem. Por, e përsëris që nëse ka mundësi, gjatë namazit nafile, të rrotullohet dhe të kthehet vazhdimisht kah kibla, atëherë vepron kështu në mënyrë që të dalë (i pastër) nga ky mospajtim që është mes dijetarëve. Ndërsa, sa i përket namazit farz, atëherë patjetër duhet që të rrotullohet vazhdimisht kah kibla. Kuptohet, nëse nuk ka mundësi që ta falë atë namaz në tokë, para udhëtimit apo pas tij, siç është rasti kur udhëtimi zgjat shumë (pra, kur e falë atë në tren apo aeroplan).”

Spikeri: “Kjo përgjigje ishte sa i përket devijimit djathtas-majtas. Ndërsa, sa i përket lëkundjeve, si janë mundësitë për ta falur namazin?”

 

Shejhu: “Po. E falë atë sipas rrethanave (mundësive). Nëse ka mundësi, duhet të falet në këmbë. Përndryshe, falet ulur. “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Et-Tegabun,16).”

 

http://www.binbaz.org.sa/node/151563)

 

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva