Gjykimi mbi thënien e atij që këshillohet: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë timen”

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/20668

Pyetje: Kur i këshilloj disa motra myslimane, Allahu më udhëzoftë mua dhe ato, përgjigjja e tyre është: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë timen!!” A lejohet të thuhen këto fjalë dhe si t’i këshillojmë ato?

Përgjigje: Këto fjalë nuk lejohen. Kjo është një lloj kryeneçësie ndaj pranimit të këshillës. Domethënë: “Më lini rehat”; këtë kuptim kanë fjalët e tyre. Ky është gabim. Këto fjalë u thuhen jobesimtarëve, ashtu siç iu drejtua atyre Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e u tha: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë timen”. Sa i përket myslimanit dhe myslimanes, feja e tyre është një: njësimi (teuhidi) i Allahut dhe bindja ndaj Tij. Andaj, thënia: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë timen” u thuhet vetëm jobesimtarëve, siç përmendet në suren El-Kafirun. Sepse ata adhuronin idhujt, ndërsa Profeti adhuronte vetëm Allahun. Kështu, myslimani nuk i thotë vëllait të vet: “Ti ke fenë tënde, ndërsa unë timen”. Këto fjalë janë gabim, sepse ne kemi të njëjtën fe. Mirëpo kur të këshillohet nga vëllai i vet, ai ia kthen: “Allahu të shpërbleftë me të mira”; “Allahu më dhëntë sukses e më ndihmoftë, lute Allahun të më udhëzojë!”. Kur ai që e këshillon i thotë: “O vëllai im! Falu me xhemat!”; “O vëllai im! Sillu mirë me prindërit!”; “O vëllai im! Ki kujdes nga përgojimi dhe bartja e fjalëve!”, ky ia kthen: “Allahu të shpërbleftë me të mira”; “Allahu më ndihmoftë, lute Atë për mua”. Pra, nuk i thotë: “Ti ke fenë tënde, ndërsa unë timen”, sepse një fjalë e tillë është gabim dhe kryeneçësi. Nga Allahu kërkojmë ndjesë!

 

Përktheu: Petrit Perçuku

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit