Gjykimi për lënësin e namazit të xhumasë

Ibn Kajim el Xheuzije

Imam Muslimi (nr. 652) në sahihun e tij transmeton nga Ibën Mesudi se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) disa njerëzve të cilët nuk merrnin pjesë në namazin e xhumasë u kishte thënë:
’Po mendoja ta urdhëroja dikë t’u printe njerëzve në namaz dhe pastaj të shkoja t’u digjja shtëpitë atyre që nuk prezantojnë në namazin e xhumasë’

Transmeton Ebu Hurejra dhe Ibën Omeri (radiallahu anhuma) se e kanë dëgjuar Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: ’Ose do ndalojnë ata njerëz nga braktisja e xhumave, ose Allahu do t‘i vulosë zemrat e tyre dhe pastaj do të jenë prej atyre që nuk e përkujtojnë (Allahun).’ E transmeton Muslimi (nr. 865) në sahihun e tij.

Transmetohet në të gjitha sunenet nga Ebi Xhad Edameriu, i cili ishte sahabij, se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) kishte thënë: ’Kushdo që humb tri namaze të xhumasë nga pakujdesia, Allahu do ta vulosë zemrën e tij.’1 E transmeton edhe Imam Ahmedi (3/424) nga Xhabiri.

Ka bërë gabim ndaj Shafiut ai që ia ka veshur atij thënien: namazi i xhumasë është farz kifaje, nëse e kryejnë një grup, obligueshmëria bie nga pjesa tjetër. Imam Shafiu kurrë nuk e ka thënë këtë. Mirëpo, ai që e ka bërë këtë gabim ndaj tij, e ka bërë për shkak të fjalëve të tij në lidhje me namazin e bajramit: ’Atë e ka obligim ai që e ka obligim namazin e xhumasë.’ Për më tepër kjo frazë e Shafiut tregon se namazi i bajramit është obligim për çdo person. Dhe ky është gjykimi i saktë që e provojnë argumentet, sepse namazi i bajramit është prej simboleve të dukshme më madhore të Islamit. Asnjëherë, asnjëri prej shokëve të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) nuk kishte munguar gjatë faljes së tij. As Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) nuk e braktisi qoftë edhe vetëm një herë të vetme. Nëse do të ishte sunet, do ta linte qoftë edhe vetëm një herë, ashtu siç bëri me namazin e teravisë, në mënyrë që t’u tregojë njerëzve se nuk është obligim; apo rasti kur nuk mori abdes për çdo namaz, për t’ju treguar se nuk ishte obligim, etj.

Gjithashtu Allahu i lartësuar urdhëroi për faljen e namazit të bajramit, ashtu siç urdhëroi për faljen e namazit të xhumasë: ’Kështu pra, falu për Zotin tënd dhe bëj kurban (vetëm për Të).’ (El-Keuther/2) Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i urdhëroi sahabet që në mëngjes të dilnin me të te vendi i faljes për faljen e bajramit, kur të ketë hyrë koha, nëse është vërtetuar hyrja e muajit pas drekës.

Ai urdhëroi që vajzat e reja (virgjëresha), të tërhequrat në shtëpi dhe ato me të përmuajshmet të dilnin për namazin e bajramit, porse gratë me të përmuajshmet, i porositi të largoheshin nga vendi ku kryhej falja. Këtë nuk e urdhëroi për namazin e xhumasë.

Mësuesi im (ibn Tejmije) thotë: ’Kjo tregon se namazi i bajramit është më i fortë se i xhumasë.’

Ndërsa fjalët e Pejgamberit: ’Allahu i lartësuar pesë namazet i ka bërë detyrë për robin përgjatë ditës dhe natës’, nuk mohojnë obligueshmërin e namazit të bajramit, sepse ato janë detyrë për ditën dhe natën, ndërsa namazi i bajramit është detyrë e vitit. Për këtë arsye, kjo nuk i ka penguar shumë prej dijetarëve të gjykojnë se dy rekatet e tavafit janë obligim (vaxhib), meqë ato nuk janë detyrë që kryhet për çdo natë e ditë. Kjo gjithashtu, nuk i ka penguar të gjykojnë se namazi i xhenazes është obligim; se sexhdeja gjatë leximit të Kuranit është obligim, d.m.th. sipas atyre që e konsiderojnë obligim dhe pjesë të namazit; se namazi në rast të eklipsit diellor dhe hënor (salatu-kusuf) është obligim, natyrisht sipas atyre selefëve të cilët mendojnë se është obligim. Dhe ky është një përfundim shumë i fuqishëm.

Imam Shafiu pra, ka konstatuar se personi për të cilin është obligim namazi i xhumasë është obligim edhe ai i bajramit.

Por, mund të thuhet se nga ky citat, nuk mund të nxirret konstatimi se ai është obligim për çdo person (farz ajn), sepse farzi kifaje është detyrë për të gjithë, por obligueshmëria bie nëse atë e kryen një grup.

Dobia e kësaj që sapo thamë shihet në dy mesele:

E para: sikur të gjithë të merrnin pjesë në kryerjen e kësaj detyre, shpërblimin do ta merrnin të gjithë ata që e kryen këtë obligim, sepse detyra është e lidhur me të gjithë.

E dyta: sikur të gjithë ta braktisnin, që të gjithë do ta meritonin qortimin dhe dënimin. Prandaj nuk është e domosdoshme që prej fjalëve të tij se ‘namazi i bajramit është detyrë për atë që është detyrë namazi i xhumasë’ të jetë detyrë për çdo person sikurse xhumaja, kjo mund të thuhet, por ajo që duket nga krahasimi i bajramit me xhumanë dhe barazimi midis atij ndaj të cilit është obligim xhumaja dhe atij ndaj të cilit është obligim bajrami, është se ato janë të barabarta në obligueshmëri. Dhe të gjithë janë të pajtimit se edhe xhumaja edhe bajrami janë obligim për çdo person.

Sidoqoftë, këtu kemi për qëllim ta sqarojmë vendimin e sheriatit për lënësin e namazit të xhumasë.

Ebu Abdullah bin Hamidi thotë: ’Kushdo që mohon obligueshmërinë e namazit të xhumasë ka bërë kufër. Në qoftë se e falë atë me katër rekate duke qenë i bindur kështu dhe duke besuar se është obligim, atëherë nëse themi se ajo është drekë e shkurtuar nuk ka bërë kufër, në të kundërt ka bërë kufër.2

1 Ebu Davudi (nr. 1052), Tirmidhiu (nr. 500), Nesaiu (nr. 1369), Ibën Maxhe (nr. 1125). I saktë, thotë Albani.

2 Burimi: ‘Libri i Namazit dhe gjykimi për lënësin e tij’. Përktheu: B. K

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva