Gruaja dhe namazi i teravive

Shejh: Salih El Feuzan (Allahu e ruajt)
El Munteka 5/207
Përktheu: Petrit Perçuku

Pyetje: A ka gjë nëse gruaja apo kushdo qoftë, t’i fal teravitë gjatë disa netëve në një xhami, ndërsa gjatë netëve tjera në ndonjë xhami tjetër, e kështu radhazi, në mënyrë që të kërkoj imamin i cili ka zë të mirë dhe të jetë sa më aktive në kryerjen e këtij suneti (faljen e teravive)?

Përgjigje: Gruaja duhet t’i fal teravitë në xhaminë më të afërt me shtëpinë e saj – nëse veç dëshiron të shfrytëzoj lejen (e fesë) për tu falur në xhami – . Ndërsa, të bredhurit e saj mes xhamive, siç dihet në të ka rrezik të madh, meqë ajo i ekspozohet sprovave dhe ka nevojë për kalimin e distancave të shumta, gjë që e detyron atë në marrjen e veturës dhe shoferit, pastaj në vetminë e palejueshme me të. Dhe nuk ka ndonjë objektiv të saktë (real) për shkak të të cilit ajo do t’i ndërmerrte tërë këto rreziqe, përveç të kënaqurit e saj me zëra dhe të shijuarit e tyre. Kështu, qëllimi i saj final nuk është namazi, por kërkimi i kënaqësisë përmes dëgjimit të zërave. Andaj, si pasojë e kësaj, ndërpritet qëllimi (themelor) për shkak të të cilit, Profeti (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ia lejoi asaj faljen në xhami.

Me keqardhje themi se kjo dukuri është prezente tek shumë burra, gra e të rinj. I sheh se si enden mes xhamive duke kërkuar imamët me zë më të mirë dhe duke kërkuar xhamitë në të cilat grumbullohen njerëzit. Në shfaqjen e kësaj dukurie të pakënaqshme luajnë rol edhe disa imamë – Allahu i udhëzoftë – duke e tepruar gjatë leximit dhe duke e ngritur (lëshuar) zërin nga minaret, jashtë xhamive, edhe pse me këtë i pengojnë dhe shqetësojnë ata që falen nëpër xhamitë e afërta.

Ajo çfarë mendojmë është që çdo xhemat të falet në xhaminë e tyre, ta mbushin atë me bindje ndaj Allahut dhe të largohen nga teprimi. I këshillojmë gratë, në veçanti, që secila prej tyre të falet në xhaminë më të afërt me shtëpinë e saj, sepse kjo është më mirë për to dhe më larg sprovimit. Po ashtu, i këshillojmë imamët që të jenë mesatar dhe të largohen nga teprimi e gjërat e pazakonta dhe që të mos kenë për qëllim joshjen e njerëzve drejt xhamive të tyre, sepse kjo është më afër sinqeritetit dhe më larg syfaqësisë. Allahu u dhëntë sukses të gjithëve drejt njohjes së të vërtetës dhe të punuarit me të!

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit