Hadithi: “Kush armiqëson mikun Tim, Unë i kam shpallur…”

 

إن الله تعالى قال: من عادى لي ولياً فقد آذنته بالحرب، وما تقرب إلى عبدي بشئ أحب إلي مما افترضته عليه، ولا يزال عبدي يتقرب إلي.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtet, Allahu ka thënë: “Kush armiqëson mikun Tim, Unë i kam shpallur luftë atij. Veprat më të dashura me të cilat më afrohet robi Im, janë obligimet me të cilat e kam obliguar, dhe ai vazhdimisht më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua. Dhe kur ta dua, do të jem dëgjimi me të cilin dëgjon, shikimi me të cilin shikon, dora e tij me të cilën kap dhe këmba e tij me të cilën ecën. Kur më kërkon diçka, patjetër do t’ia jap atë. Kur më kërkon mbrojtje, patjetër do ta mbroj atë.” Hadith kudsij – Buhariu.

Kush armiqëson mikun Tim”- ka urrejtje ndaj tij. Dijetarët thonë se kushdo që urren një të dashur të Allahut, për shkak të fesë që praktikon, hyn në këtë hadith (përfshihet nën këtë kërcënim). Mirëpo, nëse e urren për çështje të dunjasë, ndodh një mosmarrëveshje me të dhe kjo rezulton në urrejtje ndaj tij, atëherë edhe në këtë rast ekziston frika që ai të përfshihet në këtë hadith (që Allahu t’i shpallë luftë atij), mirëpo nëse mosmarrëveshja nuk rezulton në urrejtje ndaj tij, atëherë nuk përfshihet në këtë hadith.[1]

Unë i kam shpallur luftë atij” – qëllimi është se atë do ta godasë dënimi i Allahut.

Kush është veli – mik dhe i dashur i Allahut?

Në aspektin fetar, veli do të thotë: Besimtar i devotshëm, që nuk është Pejgamber. Veli është ai që ka besim dhe devotshmëri. Ai në shumicën e gjendjeve dhe rrethanave nëpër të cilat kalon gjatë jetës së tij, ka besim dhe devotshmëri. Allahu thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” Junus 62-63. Andaj, kushdo që armiqëson një besimtar të tillë, i është shpallur luftë prej Allahut (është i kërcënuar ta godasë dënimi), sepse ai është i dashur i Tij dhe i ndihmuar prej Tij. Është obligim ta duam atë që e do Allahu. Armiqësimi i të dashurve të Allahut është prej mëkateve të mëdha (“i kam shpallur luftë atij”).

Realizimi i të qenët veli nuk arrihet përmes pretendimeve, mirëpo dashuria dhe mbrojtja e Allahut arrihet me besim dhe devotshmëri.

Dhe mbrojtja e Allahut ndaj robërve të Tij është dy lloje:

  1. E përgjithshme. Kjo është ndaj të gjitha krijesave, në kuptimin se Ai i rregullon dhe i drejton çështjet e tyre (të besimtarëve dhe të jobesimtarëve, të devotshmëve dhe mëkatarëve).
  2. E veçantë. Kjo është ndaj të devotshmëve, në kuptimin se Ai i mbron ata, i udhëzon etj.

Nuk lejohet që një veli ta marrim për ndërmjetës mes neve dhe Allahut (duke e lutur atë). Nuk ka ndërmjetës mes Allahut dhe krijesave të Tij. Këtë e besojnë vetëm disa njerëz të padijshëm, të mashtruar prej të devijuarve, të cilët thonë se përderisa dikush është veli, ai është ndërmjetës mes neve dhe Allahut. Fillimisht e lusin Allahun në emër të tyre (pretendojnë se Ai ua pranon lutjen atyre për shkak të pozitës së tyre tek Ai) dhe pastaj fillojnë t’i lusin vetë ata dhe kështu veprojnë shirk të madh.

Veprat më të dashur me të cilat më afrohet robi Im, janë obligimet me të cilat e kam obliguar” – për shembull: pesë kohët e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit, haxhi etj. Afrimi tek Allahu me çdo vepër të cilën e ka bërë obligim, është gjëja më e dashur tek Ai. Kjo për dallim nga ajo që mendojnë disa prej njerëzve, të cilët sheh se përuljen e nënshtrimin më të plotë e kanë në veprat vullnetare sesa në ato të obliguara, madje ata shpresojnë shpërblim më shumë për veprat vullnetare sesa për ato që janë obligative. Kjo është në kundërshtim me dijen e saktë. Allahu dëshiron që ne ta adhurojmë dhe të afrohemi tek Ai me veprimin e veprave të obliguara, e pastaj vijnë vullnetaret sipas mundësisë. Veprat e mira afrojnë tek Allahu, dhe këtë njeriu e ndjen atëherë kur i kryen në formën e plotë, me sinqeritet dhe sipas sunetit, me përqendrim, me zemër prezente etj. Kjo pastaj do të ndikojë në rrugëtimin e tij për tek Allahu.

Ky hadith pohon dashurinë e Allahut si Cilësi të Tij dhe se dashuria e Tij ndaj krijesave dallon varësisht se si i kryejnë obligimet.

“…dhe ai vazhdimisht më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua” – Kjo kur veprat vullnetare janë cilësi e pandashme e tij. I shton shumë derisa Allahu ta dojë. Dashuria e Allahut arrihet kur njeriu përpiqet shumë të kryejë sa më shumë adhurime vullnetare, pasi të veprojë veprat e obliguara. Kemi lloje të ndryshme të veprave brenda një kategorie të cilat janë më të dashura sesa të tjerat, p.sh.: nga obligimit, vepra më e dashur është namazi sesa të tjerat.

Ky hadith na nxit të shtojmë sa më shumë prej veprave vullnetare, sepse ato sjellin dashurinë e Allahut ndaj nesh. Nëse veprimi i veprave vullnetare bëhet pjesë e pandarë te personi, atëherë për të ka përgëzim se do të jetë prej të dashurve të Allahut.

Mirëpo, ky shpërblim është vetëm atëherë kur vepra kryhet sipas fesë, ngase jo çdo namaz të ndalë prej mëkateve dhe gjërave të pahijshmeve dhe se jo çdo vepër vullnetare të afron tek Allahu. Shumë prej njerëzve falin namazin e obliguar dhe falin edhe namaz vullnetar, mirëpo ata vazhdojnë prapë në natyrën e tyre – nuk urrejnë mëkatet apo gjërat e pahijshme. Mangësia këtu është te vepruesi i cili nuk i kryen namazet siç kërkohet.

Dhe kur ta dua, do të jem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën kap dhe këmba e tij me të cilën ecën”[2]Kjo shpjegohet në dy forma: 1. Kur njeriu është mik e i dashur i Allahut dhe e ka frikë Atë gjithmonë, atëherë do ta ruajë dëgjimin, shikimin, dorën dhe këmbën e tij – do t’i përdorë në gjëra me të cilat arrin kënaqësinë e Allahut. 2. Allah, ia mundëson të veprojë të saktën, i jep sukses në dëgjimin, shikimin, dorën e këmbën e tij, të veprojë gjëra me të cilat e arrin kënaqësinë e Allahut. Andaj, nuk dëgjon përveçse gjëra të cilat i do Allahu, nuk shikon gjëra përveçse gjëra të cilat i do Ai, nuk vepron me dorën dhe këmbën e tij përveçse gjëra me të cilat Ai është i kënaqur. Shpjegimi i dytë është më afër së vërtetës.

Kur më kërkon diçka, patjetër do t’ia jap atij. Kur më kërkon mbrojtje, patjetër do ta mbroj atë” – Këtu ka betim të nënkuptuar, Allahu betohet në madhërinë e Tij se nëse i kërkon diçka, Ai do t’ia japë atë apo nëse i kërkon mbrojtje, do ta mbrojë atë. Këtu Allahu na tregon se kur e do një rob të Tij, i përgjigjet lutjeve dhe kërkesave të Tij dhe e mbron prej gjërave që nuk i dëshiron.[3]

[1] Edhe ndërmjet të dashurve të Allahut kanë ndodhur mosmarrëveshje, polemika, diskutime etj.

[2] Allahu nuk mund të bëhet dëgjimi, shikimi, dora dhe këmba e dikujt, këto janë krijesa që ndodhin, e Allahu është i Pafillim dhe Pambarim, Krijuesi absolut. I pastër është Ai prej kësaj. Ndërsa, ekstremistët prej sufive, me këtë hadith kanë argumentuar për panteizmin, për besimin e tyre se Allahu është mëshiruar në krijesat e Tij. Ata duke besuar kështu, thonë se Allahu ia jep mundësinë evliave të Tij që në mbretërinë e sundimin e Tij, të veprojnë dhe ta drejtojnë atë sipas dëshirës së tyre. Ky besim është i kotë dhe i pavërtetë. Parimet e fesë tregojnë se Allahu nuk ka shok e ortak në sundimin e Tij. Ai nuk e ndan me askënd sundimin e Tij.

[3] Por, jo në formë të pakufizuar apo të përgjithshme. Kështu, nëse lutet për të bërë një mëkat, apo për të ndërprerë lidhjet farefisnore, apo për padrejtësi etj., atëherë Allahu nuk i përgjigjet lutjes së tij.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊Transkriptim

Madhësia e tekstit