Isai alejhisselam

Isai alejhis selam

Allahu e ka ngritur Isain alejhis selam, jo vetëm mbi shumë njerëz, por edhe mbi shumë Pejgamberë, duke e përzgjedh si një ndër ndër Ulul Azmi – Pejgamberët më të zgjedhur. Allahu e përmend në Kuran historinë e Tij dhe mrekullitë e tij, e sidomos për faktin se është mrekulli unike – fëmijë i lindur pa baba.

Surja Ali Imran, Maide dhe Merjem kanë marrë emrin prej jetës e biografisë së Isës alejhis selam.

Allahu tregon për të:

Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”. Merjem 30-36.

-“Unë jam rob i Allahut“- kjo ka qenë fjala e parë e tij. Qysh në themel, në fjalët e para te Isës, Kurani e demanton bindjen e kotë krishtere. Ai nuk është as bir i Zotit e as Zot. Por “rob i Allahut”.

-“Ky është Isai, i biri i Merjemes“- rob i Allahut dhe Profet, këto dy gjëra e përkufizojnë jetën e tij.

Allahu thotë:

“Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të  ketë një bir.” Merjem 88-92.

Dhe thotë:

“O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve  të Tij! Dhe mos thoni:  “Tre zota – Trini”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot- qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.  Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm…” Nisa 171-172.

-“Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut” Përkundrazi, nderi më i madh për të ka qenë kur është quajtur “rob i Allahut”. Asnjë Pejgamberë nuk do të pranonte që të mos ishte rob i Allahut.

Dhe thotë:

“Pa  dyshim,  janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!” Thuaj: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij,  si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?”  Vetëm  Allahut i takon sundimi i qiejve,  Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre.  Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” Maide 17.

-“Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij,  si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?”- këtu tregohet se kush është Allahu e kush është krijesa, e që nuk qëndron fare çështja “bir i Zotit”.

-“Ai krijon çfarë të dojë“, qoftë me dy prindër apo njërin, kjo i përket Allahut, i Cili të gjithë njerëzit mund t’i krijonte me njërin prind si rasti i Isait; dhe a nuk janë engjëjt krijesa pa prindër, pa gjini e pa pasardhës, e që numri i tyre është shumë më i madh në krahasim me numrin e njerëzve?!

Dhe thotë:

“Pa  dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç  Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. Pa  dyshim,  janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej  Trinisë!” Nuk ka veçse një të Adhuruar të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes,  është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar.  Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë.  Që të dy,  hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta!”  Maide 72-75.

-“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut…” për këtë vetë Isa ka paralajmëruar.

-“jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej  Trinisë!” Ata thonë për Allahun “Ati”, një emër i shpikur për Allahun e Lartësuar.

-“Që të dy, hanin ushqim“. Ata ishin njerëz, që janë ushqyer, e Zoti nuk është nevojtar për të ngrënë.

Allahu, përmes këtyre ajeteve dhe të tjerave, largon çdo dyshim rreth kësaj të pavërtete dhe i paralajmëron të gjithë ata që kanë këtë besim e që nuk pendohen e nuk kthehen dhe i përgëzon të gjithë ata që e besojnë Allahun, pastër e qartë, dhe i vlerësojnë Pejgamberët në pozitat që kanë.

Nga mrekullitë që i janë dhënë atij prej Allahut, siç gjejmë në Kuran: “(Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, diturinë,  Teuratin dhe Ungjillin dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë pejgamberinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” Ali Imran 48-49.

Ai i ka thirr njerëzit me këshilla e porosi në rrugën e Allahut. E me gjithë këto mrekulli, pjesa më e madhe nuk kanë besuar. Allahu thotë: “Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” Nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!” Ali Imran 52-53.

Isai alejhis selam është përpjekur shumë në këshillimin dhe orientimin e njerëzve për në rrugën e Allahut. Thirrja e tij kryesore ka qenë teuhidi- njëshmëria e Allahut me adhurim. Ai kurrë nuk ka thirr në atë se “jam Zoti” apo “jam bir i Zotit”.

Disa nga porositë e tij:

-I është drejtuar shokëve të tij me fjalët: “Ashtu siç mbretëritë u kanë lënë juve diturinë dhe urtësinë, ju lërjani atyre dunjallëkun dhe dunjanë!”- pra mos i sfidoni në interesat e dunjasë (mos u mashtroni pas dunjasë), por merruni me çështjen tuaj- me dijen.

-Është ngritur dhe ka përgatitur ushqim për shokët e tij dhe u ka thënë: “Kështu përgatitni (ushqim) për mysafiret!”

-I ka thënë një grua: “Lumë për prehrin që të ka rritur dhe për gjirin që të ka ushqyer!”, e ai ia ka kthyer: “Lumë për atë sy që fle pa i pëshpëritur nefsit (ta nxisë në to) për mëkatet dhe e përfundon ditën pa ndonjë gjynah!”

-I ka këshilluar shokët me fjalët: “Punoni për Allahun e jo për barkun e juaj! Shikoni shpendin, del në mëngjes e kthehet në mbrëmje, as nuk mbjell e as nuk korrë, por e furnizon Allahu (i jep të hajë e të pijë).” Nuk është fjala që të mos punosh, por të mos lidhesh pas dunjasë dhe që i gjithë angazhimi të jetë pas saj e ndërkohë të harrosh Allahun. Synimi kryesor i besimtarit duhet të jetë vepra për Allahun.

-U është drejtuar shokëve: “Thesaret e juaja le të jenë në qiell (meditoni në to: për Allahun, për mirësitë e Tij, për xhenetin etj.) se zemra e njeriut lidhet për thesarin e tij.”

-Ai ka thënë: “Kush mëson dituri dhe ua mëson të tjerëve dhe punon me të, do të thirret si i madh në mbretërinë e qiellit.”

Isai alejhis selam është vula e Pejgamberëve të dërguar te Beni Israilët. Mirëpo ai ka paralajmëruar dhe ka treguar për Pejgamberin e fundit, Muhamedin salAllahu alejhu selem, dhe kjo dëshmohet:

-në Kuran nga ajeti: “…dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është  Ahmed, që do të vijë pas meje”. Saff 6.

-dhe sunet, nga hadithi i Pejgamberit salAllahu alejhis selam: “Unë jam lutja e Ibrahimit, jam përgëzimi i Isait dhe…”

Allahu tregon në Kuran se e ka ngritur Isain alejhis selam dhe e ka afruar afër Vetës së Tij: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur.” Ali Imran 55. Allahu e ka ngre me trup e shpirt, dhe ai është gjallë ende. Do të kthehet në tokë, siç kanë treguar hadithet.

Dhe: “(I mallkuam ata) për shkak të mosbesimit të tyre (ndaj Isait),  për shkak të shpifjeve  të mëdha që thanë kundër Merjemes dhe për fjalët e tyre: “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e  Allahut”. Por,  ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të,  por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por,  Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” Nisa 156-158.

Hebrenjtë i bënë kurth Isait dhe nxitën pushtetin e asaj kohe për ta mbytur, porse Allahu e ngrehu lartë dhe bëri që dikush në vend të tij të përngjasohet me të.

Pastaj njerëzit u ndanë në tri mendime:

  1. Isai ishte Zoti përkohësisht në tokë dhe u largua,
  2. Ishte bir i Zotit dhe u largua,
  3. Ndërsa besimtarët thanë “Ishte robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij”.

Isai alejhis selam do të zbresë në tokë dhe do ta mbysë Dexhalin. Kjo është prej shenjave të Kiametit.

Bazuar te “Kisasul enbija”, me autori Ibn Kethirin, rahimehullah – Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit