Jam mjek i Onkologjisë dhe agjëroj Ramazanin, mirëpo kur kam operacion nuk mundem ngase operacionet janë të vështira dhe nuk kam forcë. Poashtu nuk mund të koncentrohem në pacientin nëse agjëroj. Çfarë duhet të bëj?

Përgjigjja: Kjo është një pyetje shumë me rëndësi.

Së pari besimtari duhet ta dijë se Allahu ia ka bërë obligim Ramazanin dhe çështjen e agjërimit ai duhet ta marrë si çështje madhore. Duhet ta marrë si urdhër prej Allahut dhe jo si diçka për të cilën robi mund të zgjedhë se a mund të agjërojë apo jo. Dhe jo ta marrë si diçka që lejohet ta prishë për arsyen më të vogël.

Allahu thotë se ai që i madhëron shenjat (simbolet) e Allahut (urdhërat e Allahut), kjo tregon për devotshmërinë (frikën) që ka ndaj Allahut, pra kjo kur robi i respekton të gjitha gjërat e fesë së Allahut.

Andaj muslimani duhet ta dijë se nuk i lejohet ta prishë agjërimin për asnjë arsye, përveç ato arsye që i ka lejuar sheriati.

Në rastin kur mjeku duhet ta bëjë operacion pacientin, dijetarët thonë se nëse nuk është emergjente, ato raste duhet t’i lërë për pas Ramazanit. Ose, nëse ka mundësi operacionin e kryen gjatë natës. Kjo është shumë e mundur. Shumë operacione kryhen gjatë natës. Nuk lejohet që për shkak të operimeve të prishet agjërimi.

:bulb:Muslimani duhet të zgjohet në syfyr me njet për agjërimin e ditës së nesërme. Kur ai e din se ka ndonjë vështirësi gjatë ditës, nuk i lejohet që të thotë se e ka punën e vështirë dhe të mos agjërojë. Kjo është haram. Është prej mëkateve të mëdha. Pra, ai duhet të ngrihet në syfyr, të hajë, apo ndoshta edhe të mos ngrihet, por kryesore ta bëjë njet agjërimin e kësaj dite dhe ta fillojë agjërimin, e pastaj nëse gjatë punës has në vështirësi, atëherë këtu vjen lehtësimi prej Allahut.

Por JO të thotë se e ka punën e vështirë dhe të mos e fillojë agjërimin fare. Kjo nuk i lejohet. Pra nuk i lejohet në këtë rast mjekut të thotë: Nesër kam operacion dhe nuk po agjëroj.

Pra ti fillo ditën agjërueshëm. Nëse ke mundësi këtë operacion shtyje për natën. E nëse nuk ka mundësi, duhet që gjatë Ramazanit ta marrësh pushimin vjetor. D.m.th mos kalo menjëherë në prishje e agjërimit.

Duhet ta respektosh e madhërosh këtë urdhër që Allahu e ka bërë obligim për agjërim.

Shumë njerëz pushimin vjetor nuk e marrin në Ramazan, por e marrin më vonë për të shkuar në pushime tjera, e pastaj kërkojnë lehtësime për muajin e Ramazanit duke thënë se kanë punën e vështirë. Pse nuk po e marrin pushimin vjetor në Ramzan, ose një pjesë të Ramazanit nëse nuk mundet tërë Ramazanin?

E, nëse as kështu nuk ka mundësi, atëherë siç thamë, duhet ta fillojë ditën agjërueshëm. E, nëse pastaj gjatë ditës shfaqen vështirësitë, në çfarëdo punë qoftë ajo, siç është cekur në pyetje se ai është kirurg, apo bën operacion, ose dikush që ka zanat tjetër që i shkakton vështirësi, atëherë vjen lehtësimi. Por, ty nuk të lejohet ta prishësh agjërimin deri sa të përballesh me vështirësinë.

?Kur ballafaqohesh me vështirësinë, dhe ajo vështirësi mund të të shkaktojë dëm fizikisht, p sh në shëndetin tënd. P sh ndjen lodhje të madhe dhe je gati për tu alivanosur dhe nuk mund ta përballosh më agjërimin, atëherë këtu lejohet të prishet agjërimi.

Në këtë rast, nëse ti je në operim agjërueshëm, dhe i rrezikohet jeta pacientit, siç e përmend shejh Bin Bazi Allahu e mëshiroftë, atëherë të lejohet prishja e agjërimit. Por, të mos fillohet fare agjërimi i një dite, duke thënë se ka nesër operacion, në këtë mënyrë nuk lejohet. Pra e pret momentin. Ndoshta do ta kalosh shumë lehtë atë operacion. Ndoshta nuk do të hasësh në vështirësi fare.

Por, nëse gjatë operimit vjen vështirësia siç u cek më lartë, atëherë lejohet ta prishësh agjërimin. Mirëpo, e prish vetëm atë ditë, dhe jo gjithë muajin. Pra, jo ta marrësh profesionin si shkak për mos agjërimin e tërë Ramazanit.

Madje dijetarët e komisionit të përhershëm kanë thënë se ti e prish agjërimin vetëm me aq sa të kalon ajo vështirësi, apo lodhje. Në këtë rast, nëse nuk e përballon operacionin dhe i rrezikohet jeta pacientit, atëherë ti ushqehesh vetëm aq sa e kthen fuqinë tënde, ose përqendrimin tënd. Pastaj, nuk vazhdon të hash, prape vazhdon pa ngrënë deri në iftar. E pastaj në ifat e qel iftarin me muslimanët.

Gjithashtu, këtë ditë që e prish, e bën kaza pas Ramazanit. Gjithashtu, duhet tërhequr vërejtjen që kur të lejohet ta prishësh agjërimin, fjala është kur je vërtetë duke u ballafaquar me vështirësi të madhe, diçka reale që po e përjeton. Jo të jetë vetëm frikë në mendjen apo imagjinatën tënde, por duhet të jetë reale, diçka që është vërtetë duke të ndodhur.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit