Ka kohë që mundohem të fal pesë kohë namaz, e filloj e lë, falem herë-herë, pse më rëndohet kjo gjë?

  • Post category:Namaz
Ka kohë që mundohem të fal pesë kohë namaz, e filloj e lë, falem herë-herë, pse më rëndohet kjo gjë?

Ka kohë që mundohem të fal pesë kohë namaz, e filloj e lë, falem herë-herë, pse më rëndohet kjo gjë?

Pa dyshim, ai person i cili e dëshiron udhëzimin, atë Allahu e udhëzon dhe e forcon, nuk e braktisë nëse ka për qëllim faljen e namazit për hir të Tij, patjetër se Ai do t’i japë sukses dhe do ta forcojë e udhëzojë në rrugën e Tij. Kushdo që ka për qëllim Allahun dhe Kënaqësinë e Tij, Ai e ndihmon atë. Për këtë kemi ajete dhe hadithe të shumta. Duhet parë se ku qëndron problemi i kësaj gjëje dhe ta largosh shkakun apo arsyen pse nuk mund të falesh. Ndoshta është shoqëria e keqe, e cila të nxitë (joshë) në veprimin e mëkateve, e pastaj mëkatet e mbulojnë zemrën e njeriut, siç ka ardhur në Kuran: “Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” Mutafifin 14. E kur mbulohet zemra pastaj njeriu e ka problem të qëndrojë i fortë në rrugën e Allahut. Andaj, shkaku kryesor kur njeriu nuk i kryen obligimet, është veprimi i mëkateve. Shpirti i njeriut është i këtillë që nëse nuk e angazhon me adhurime, patjetër se do të të tërheqë në gjëra të kota e mëkate. Ti duhet ta udhëheqësh shpirtin tënd, e jo ai të të udhëheqë ty. Duhet të largohesh prej mëkateve e të pendohesh tek Allahu, pastaj do të të lehtësohet rruga. Allahu dëshiron që ne të kthehemi tek Ai. Edhe atëherë kur njeriu ia kthen shpinën Allahut, Ai prapë e thërret që të kthehet tek Ai. Allahu dëshiron dhe do që të kthehet tek Ai, me adhurim, me pendim. Gjëja që të ndihmon më së shumti në përkushtimin ndaj Allahut është që të mësosh rreth Allahut, të shtosh dijen rreth Tij, rreth Emrave e Cilësive të Tij. Kur e di se sa i Madh është Allahu, sa i Fuqishëm e sa Bamirës i madh, e gjithashtu ndëshkon ashpër, se të gjitha të mirat që posedon janë prej Allahut, aftësitë, mençuria, furnizimi, shëndeti, familja, shtëpia, siguria etj., kur i kujton këto të mira, duhet të turpërohesh, Allahu t’i ka dhënë këto të mira e ti nuk je në gjendje të falesh pesë kohët e namazit, bën mëkate e mosbindje, ke mendime jo të mira për Të etj. Allahu ia ka dhënë njeriut 24 orë të lira, dhe prej tyre ka kërkuar si obligim maksimumi gjysmë ore për adhurim e përkushtim ndaj Tij; pra çdo namaz farz merr kohë pesë minuta maksimumi. Allahu dënon ashpër kur nuk i kryejmë urdhrat e Tij, andaj duhet pasur frikërespekt ndaj Tij, duhet ta madhërojmë Atë, e të mos jetë raporti ynë me Të sikurse raporti që kemi me krijesat, duke treguar moskokëçarje për urdhrat e ndalesat e Tij. Allahu të ka krijuar, Ai i drejton çështjet e universit dhe çështjet e tua, Ai e ka në Dorë fatin tënd, andaj ti duhet ta madhërosh Atë, ta respektosh. Pra, duhet shikuar se ku është problemi, a shoqëria e keqe që përmendëm, apo mosnjohja e rëndësisë së namazit dhe e madhështisë së Atij i cili të ka urdhëruar me namaz. Gjëja tjetër që ndihmon është njohja e rëndësisë së namazit. Namazi nuk është bërë obligim sikurse obligimet e tjera, atë e ka bërë Allahu obligim drejtpërdrejtë duke i folur Muhamedit salAllahu alejhi ue selem në qiell në pikën më të lartë të universit (aty ku askush nuk është afruar aq shumë me Allahun sesa ai salAllahu alejhi ue selem, as Xhibrili). Kjo dhe tregon për rëndësinë që ka falja e namazit. Namazi është shtyllë e fesë. Dijetarët kanë thënë: “Hisja jote në Islam është aq sa ke hise në namaz.” Duhet marrë parasysh se një prej shkaqeve që njeriu duhet ta veprojë si të paren gjë, është t’i drejtohet Allahut me lutje, me lutje të sinqerta. Nëse e lutë Allahun me sinqeritet, do t’i vijë përgjigja dhe Ai do ta ndihmojë në atë vepër.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.