Kërkimi i hallallëkut

Haku i njerëzve nuk bie me pendimin e personit. Duhet kërkuar hallallëk, nëse është çështje që nuk mund të kthehet ndryshe (fyerje, përgojim etj.), e nëse është diçka që kthehet (pasuri e marrë padrejtësisht) atëherë duhet t’i kthehet. Mirëpo, nëse me kërkimin e hallallëkut në mënyrën “kam bërë gabim ndaj teje (përmend një gjë të caktuar)” pasojnë probleme më të mëdha (përçarje, ndarje, bojkotime), atëherë flet në mënyrë të përgjithshme, si: “Kam gabuar në raport me ty, ma bëj hallall!” Nëse nuk ta bën hallall dhe është ndonjë person injorant që nuk do të merret me këtë dhe se kot është edhe nëse ia kërkon porse ai nuk ta bën hallall, atëherë disa dijetarë e kanë mendimin se nëse pendohesh sinqerisht, Allahu ta falë atë gjynah, ndërsa nëse ai person është musliman Allahu e shpërblen në botën tjetër për aq sa i ke hyrë në hak (pa i humbur haku). Kryesorja është që nëse ke mundësi t’ia kërkosh hallallëkun atëherë më e sigurta është që ta bësh këtë, “Kërkojani hallallin njëri-tjetrit sa jeni në këtë botë para se të vijë Dita kur nuk bën dobi as dinari e as dërhemi.” (Hadith). Në botën tjetër nuk kthehet me pasuri e drejta e tjetrit, por kthehet me dhënie të veprave të mira atij apo me marrje të mëkateve të tij. Njeriu nuk duhet të hulumtojë në gabimin e tjetrit kur i kërkon hallallëk (duke i thënë se çfarë ke gabuar), por duhet t’ia bëjë hallall ngase për këtë ka shpërblim të madh tek Allahu, më të madh sesa marrja e hakut.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit