Këshilla të dobishme (29)

  • Përcillet se imam Mutarrif ibn Shihhir (Allahu e mëshiroftë) i tha njërit: “O filan! Nëse ke nevojë diçka për mua, mos më thuaj, por shkruaje në një copë letre, pastaj me jep atë; sepse unë e urrej ta shoh nënçmimin e lypjes në fytyrën tënde!” (Sifetu Es-Safue, 2/133)

 

  • Auf ibn En-Nu’man Esh-Shejbanij (radijAllahu anhu) kishte thënë gjersa ende nuk ishte musliman: “Më e dashur tek unë është të vdes nga etja sesa të mos e mbaj premtimin.” (El-Emthal, Ebi Ubejd ibn Sel-lam, 71)

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Ndodh që shfryrja e epshit për një çast të shkurtër, të lë pas vete pikëllim të gjatë.” (Ez-Zuhd, ibn Mubarak, 1/98)

 

  • “Prej gjërave më të mira që i sjellin dobi njeriut gjatë jetës dhe pas vdekjes janë:

– frika ndaj Allahut dhe

– vepra e mirë.” (Raudatu El-U’kala’, 224)

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm për ta kthyer (në jetë) atë (njeriun)!” (Et-Tarik, 8). Ai që është i Fuqishëm për ta kthyer trupin tënd pasi që bëhet pluhur, është i Fuqishëm për ta kthyer mirëqenien, shëndetin dhe lumturinë. Andaj, qetësohu, sepse Allahu është më i mëshirshëm për ty sesa ti për veten tënde!

 

Allahu i Lartësuar thotë: “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve.” (Al-Imran, 140). Jetoni me mendim të mirë për Zotin tuaj dhe prisni e përgatituni për më të bukurën! Patjetër do të vij radha e ditëve tuaja të bukura. Ndoshta ato fillojnë që nesër!

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që zemra të sëmuret e t’i shtohet sëmundja, ndërkohë që njeriu s’di gjë për këtë, ngaqë është i angazhuar me gjëra tjera dhe është larg njohjes së shkaqeve të shëndetit të saj. Madje, ndodh që zemra vdes dhe njeriu nuk e ndien vdekjen e saj.” (Igathetu El-Lehfan, 1/113).

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dembelia është origjina e mossuksesit dhe e dështimit. Dembeli nuk arrin asnjë të mirë, asnjë nderim dhe nuk arrin asgjë as në çështjet e kësaj bote e as në ato të fesë.” (Behxhetu Kulubi El-Ebrar, 34)

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Muslimani nuk e humb fenë, dhe po ashtu nuk e humb jetën e kësaj bote, por bashkon mes dobive të fesë e të dunjasë. Ky është muslimani. E si është çështja nëse ai e humb kohën në gjëra të kota, në lojëra, në ndjekje të telenovelave, filmave, kanaleve televizive, dëgjimit të këngëve, në klube sportive, në ndjekje të ndeshjeve! E çuditshme është se ai nuk mërzitet! Nuk mërzitet nga të ndenjurit zgjuar natën! Nuk mërzitet nga lodhja në këto gjëra, edhe pse ato e dëmtojnë atë. Ndërkohë që lodhet nga adhurimi dhe bindja ndaj Allahut, përveç atij që Ai e ka mëshiruar! (Marr nga faqja zyrtare e shejhut)

 

  • Kur Kurani me prehjen e tij futet në zemër, prej saj dalin dynjaja me mjerimet e saj!

 

  • Nëse e ki shpirtin e dobët, forcoje me Kuran! Nëse e ke shpirtin e fortë, bëje të qëndrueshëm më Kuran! Nëse e ke shpirtin të pikëlluar, ngushëlloje me Kuran! I tërë Kurani është mëshirë!

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kur të jini të pranishëm tek i sëmuri apo i vdekuri, thoni vetëm fjalë të mira, sepse engjëjt thonë: “Amin!” për fjalët që ju i thoni!” (Muslimi).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Bindja është dhurata më e vlefshme e Zotit për njeriun.” (Miftah Dar Es-Se’adeh, 1/155)

 

– Kurani është dritë për zemrën

– Udhëzim për mendjen

– Qetësi dhe ngopje për shpirtin

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Nëse thirrësit islam sot dëshirojnë ta bashkojnë ummetin, të ngjallin vëllazërinë dhe ndihmën e ndërsjellë, atëherë le të fillojnë me përmirësimin e besimit të muslimanëve.” (Medhahir Da’fi El-Akideh, 16)

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dhënia e lëmoshës i ngjason luftës; frikacaku ikën, ndërsa trimi qëndron i patundur.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 14/95)

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë njohuri rreth shumicës së mëkateve, e veçanërisht rreth atyre të zemrës, si: mendjemadhësia, mburrja, dyfaqësia etj. Madje ndodh që njeriu të ketë shumë prej tyre, e të mos e ndiej një gjë të tillë. Kjo ndodh për shkak të largimit nga dija fetare dhe mungesës së largpamësisë.” (Tejsir El-Kerim Er-Rahman, 271)

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Xheneti i Firdeusit dallon nga ai i Adnit në atë se Allahu i Lartësuar i mbolli pemët e tij (Firdeusit) me Dorën e Vet, ashtu siç e krijoi Ademin me Dorën e Vet dhe e shkroi Teuratin me Dorën e Vet.” (Sherh El-Kafijeh Esh-Shafije, 1/184)

 

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “O muslimanë! Pash Allahun, ejani të qajmë për Kuranin, Sunetin dhe pasuesit e tyre! Dhe thoni: “O Allah! Na shpërble në këtë fatkeqësi tonën!”, sepse Islami dhe Suneti përsëri janë bërë të huaj në mesin e njerëzve.” (Tarih El-Islam)

 

  • E tërë surja Jusuf është lavdërim për moralin e Jusufit (alejhis-selam)! Aty përmendet se ai ishte: njeri i ditur, shumë i urtë, bamirës, i sinqertë, durimtar, i frikohej Allahut, etj. Në asnjë ajet të sures nuk lavdërohet bukuria e tij, edhe pse ishte njeriu më i bukur. Çfarë të bën dobi bukuria, nëse veprat nuk i ke të mira?!

 

  • Allahu e përmbyti tërë rruzullin tokësor për shkak të një lutjeje të Nuhut (alejhis-selam) e cila përbëhej prej disa fjalëve të shkurtra: “Ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” (El-Kamer, 10). Ndërsa, në anën tjetër, ia dha tërë rruzullin tokësor nën sundim Sulejmanit (alejhis-selam), po ashtu për shkak të një lutjeje të shkurtë: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35). Pra, nuk kemi nevojë për shumë fjalë që të shohim gjurmën dhe ndikimin, por kemi nevojë vetëm për vërtetësi e sinqeritet!

 

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shkencat më të vlefshme janë ato që të afrojnë tek Allahu i Lartësuar dhe që të ndihmojnë në arritjen e kënaqësisë së Tij.”(Mudavatu En-Nufus, 244)

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zemra është krijuar për ta dashur Allahun e Lartësuar.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 10/134)

 

  • Mjerimi dhe fatkeqësia më e madhe është të ndihesh rehat kur nuk i bindesh Allahut të Lartësuar.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “A t’ju tregoj për një lutje që nëse ndonjëri prej jush e thotë atë, i largohet vështirësia apo belaja e kësaj bote që e ka goditur?” “Gjithsesi”- thanë të pranishmit. Ai tha: “Lutja e Dhun-Nunit (Junusit alejhis-selam): “La ilahe il-la ente, subhaneke, inni kuntu minedh-dhalimin!” (Es-Sahiha, 1744). (O Allah, s’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje! Vërtetë, unë i kam bërë padrejtësi vetes!)

 

  • Ijas ibn Katade (Allahu e mëshiroftë) e pa një qime të bardhë në mjekrën e tij dhe tha: “Po e shoh se vdekja ka filluar të më kërkoj!” (Behxhetu El-Mexhalis, 219)

 

  • Jahja ibn Mu’adh (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Si mund të më shpëtojnë veprat e mia, kur unë herë bëj vepra të mira e herë të këqija! Sa i përket veprave të mia të këqija, në to s’ka asnjë të mirë. Ndërsa veprat e mia të mira janë të përziera me vepra të këqija. Kurse, Ti, o Allah, e pranon vetëm veprën e sinqertë! Andaj, pas kësaj, s’mbetet gjë tjetër, përveç bujarisë Tënde!” (Shu’ab El-Iman, Bejhekiu, 824).

Përktheu hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit