- Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përmendja e Allahut është dritë për njeriun në këtë botë, dritë për të në varr dhe dritë para tij kur kalon sipër Siratit në Ditën e Ringjalljes. Zemrat dhe varret nuk ndriçohen me diçka të ngjashme me përmendjen e Allahut të Lartësuar.” (El-Uabil Es-Sajjib, 113)
- Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Këmbëngulja në lutjen drejtuar Allahut duke e përsëritur zotërimin e Tij: “O Zoti im!”, është prej shkaqeve më të rëndësishme nëpërmjet të cilave kërkohet përgjigja ndaj lutjes.” (Xhami’u El-Ulum).
- Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari jeton me përmendje të Allahut, vdes me përmendje të Allahut dhe ringjallet me përmendje të Allahut.” (Letaif El-Me’arif, 365).
- Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pa dyshim që ruajtja e besimit është gjëja më rëndësishme dhe obligimi më madhështor.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 7/9)
- I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ata që mallkojnë nuk do të jenë as ndërmjetësues dhe as dëshmitarë në ditën e Kiametit.” (Muslimi)
- Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Jeta e trupit pa jetë të zemrës është e njëllojtë me jetën e kafshëve; edhe ato dëgjojnë, shohin, hanë, pinë dhe kanë marrëdhënie intime.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 10/104).
- Sprovat e vështirësitë iu zgjatën edhe profetëve, andaj e kemi për detyrë të durojmë. Allahu thotë: “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekara, 214)
- Shembull i ambicies së lartë
Zejd bin Thabiti (radijAllahu anhu) e mësoi hebraishten për gjysmë muaji dhe ishte vetëm dymbëdhjetëvjeçar. Pastaj e mësoi persishten për tetëmbëdhjetë ditë. Po ashtu e mësoi edhe gjuhën etiopase, romake dhe kopte. (El-Bidaje ue En-Nihaje, ibn Kethiri)
- Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Tri gjëra janë prej durimit:
- Të mos tregosh për dhimbjen
- Të mos tregosh për sprovën dhe
- Të mos e lavdërosh veten.”
(Tefsir ibn Kethir, 1/620)
- I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Lutjet e atij që ka rënë në vështirësi janë: “All-llahumme rahmeteke erxhu, fela tekilni ila nesfi tarfete a’jnin, ue aslih li she’ni kul-lehu, la ilahe il-la ente!” (Sahih El-Kelim Et-Tajjib, 120) (O Allah, mëshirën Tënde e shpresoj, andaj mos më lë të mbështetem tek vetja ime as sa përpëlitja e syrit, dhe më përmirëso të gjitha çështjet! S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje!)
- Ahnef ibn Kajs (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpresat e shumta janë prej mashtrimit të shejtanit.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, 138)
- Ibrahim ibn Ed’hem (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush nuk iu ndihmon njerëzve me pasurinë, ushqimin e pijen e tij, le t’i ndihmojë me fytyrë të hapur dhe me moral të mirë!” (Hiljetu El-Evlija’, 7/389)
- Ibn Muflih (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se zemrat dobësohen e sëmuren, madje ndodh që edhe vdesin për shkak shkujdesjes e mëkateve.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, 144)
- Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse bashkëshortja sillet keq me ty, ti mos e shiko sjelljen e saj tani, por shikoje të kaluarën e të ardhmen dhe gjyko me drejtësi.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/73).
- Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që zullumqarit e atij që i shkëput lidhjet farefisnore t’i përshpejtohet dënimi për shkak të krimit të rëndë të tyre, ndërkohë që jobesimtarit e mëkatarit të madh t’i vonohet, për shkak të ndonjë urtësie të thellë.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 13/58)
- Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kujtimi i Allahut është dy llojesh:
– me gjuhë, dhe kjo është një gjë e mirë,
– mirëpo më e mirë se kjo është kur njeriu dëshiron të kryejë mëkat, pastaj e kujton Allahun dhe tërhiqet.” (El-Uera’, ibn Ebi Ed-Dunja, 58)
- Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e sheh se shokët e tu të udhëzojnë e të ndihmojnë drejtë të mirës dhe nëse harron e nuk di, të përkujtojnë e të mësojnë, atëherë mbaje fort shoqërinë me ta. E nëse e sheh se shoku yt është i pakujdesshëm kundrejt teje dhe nuk i intereson a prishet feja jote apo jo, madje ndoshta edhe përpiqet të ta prish fenë, atëherë ruaju prej tij, sepse ai është helm vrasës.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/365)
- Ebu Sulejman Ed-Daranij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush bën mirë gjatë ditës, ruhet (nga Allahu) gjatë natës. Kush bën mirë gjatë natës, ruhet gjatë ditës. Kush tregohet i sinqertë në braktisjen e epshit, Allahu ia largon atë nga zemra, ngaqë Ai është më Bujar sesa të dënoj një zemër për shkak të një epshi që është lënë për hir të Tij.” (Ez-Zuhd El-Kebir, imam Bejhekiu, 727)
- Hudhejfe ibn Jeman (radijAllahu anhu) thotë: “Allahu çdo gjë e ka krijuar si të vogël, pastaj ajo rritet, përveç fatkeqësisë; Ai e krijoi atë si të madhe, pastaj ajo vjen duke u zvogëluar.” (Behxhetu El-Mexhalis, 250)
- Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush nuk mbrohet me mburojën e mbështetjes në Allahun, do të qëllohet nga secili gjuajtës.” (Et-Tedhkira, 22).
Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.