Këshilla të dobishme (34)

  • Ibn Es-Semmak (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të vdekurit nuk qajnë për shkak të vdekjes, por qajnë ngaqë pikëllohen për atë që iu iku. Pasha Allahun, atyre iu iku një shtëpi nga e cila nuk i morën gjërat e nevojshme dhe hynë në një shtëpi tjetër si të papërgatitur!” (El-A’kibetu fi Dhikri El-Meuti, 46).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk mendoj që dikush i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e braktis dërgimin e salavateve për të (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” (El-Bab El-Meftuh, 234).

 

  • Kiameti është dy llojesh:
  1. Kiameti i vogël që ndërlidhet me secilin njeri; kjo ndodh kur shpirti ndahet nga trupi.
  2. Kiameti i madh; nëpërmjet të cilit shkatërrohet universi dhe prishet sistemi i kësaj jete.

 

  • Imam Sulejman ibn Hamze El-Makdisij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kurrë nuk e kam fal ndonjë namaz të obligueshëm vet, përveçse dy herë; dhe më është dukur sikur të mos i kem falur kurrë ato!” Kur e tregoi këtë ishte gati nëntëdhjetë vjeçar. (Dhejl Tabekat El-Hanabile, 2/356)

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” (Fatir, 22). Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në këtë ajet Allahu i patëmeta e ngjasoi atë që nuk i përgjigjet të Dërguarit të Tij me ata që janë në varre; zemrat u kanë vdekur dhe u janë varrosur brenda trupave të tyre.” (Igathetu El-Lehfan, 1/22)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pirja e epshit është e ëmbël, mirëpo të mbetet në fyt.” (El-Feuaid, 1/67).

 

  • Aun ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në fillim shoqërohesha me njerëz të pasur, mirëpo askush nuk ishte më i pikëlluar se unë; nëse e shihja dikë me rroba më të bukura se të miat dhe me aromë më të mirë se timen, kjo më pikëllonte. Pastaj fillova të shoqërohesha me njerëz të varfër dhe u rehatova.” (Hiljetu El-Evlija’, 4/242)

 

  • Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) iu tha shokëve të vet: “Nëse me ju do të ulej dikush që ia tregon bisedën tuaj pushtetarit, a do të flisnit diçka që e zemëron atë?” “Jo” – i thanë ata. “Atëherë dijeni se me ju është dikush që bisedën e tuaj e ngrit tek Allahu.” (d.m.th. engjëjt) (Et-Tebsira, 2/237, ibn Xheuzij).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk ka në këtë botë kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia e dijes rreth Allahut, përmendjes së Tij dhe adhurimit ndaj Tij.” (Es-Safedijje, 2/272).

 

  • Erdhi një njeri tek Hudhejfe (radijAllahu anhu) dhe i tha: “Frikohem se mos jam munafik (dyfytyrësh)!” Ai i tha: “A falesh kur je vet dhe a kërkon falje prej Allahut kur mëkaton?” “Po” ia ktheu. –“Atëherë shko se Allahu nuk të ka bërë prej munafikëve!” (Et-Tergib ue Et-Terhib, 1/167).
  • Habib ibn Ebi Thabit (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej moralit të mirë të njeriut është që t’i flasë bashkëbiseduesit duke buzëqeshur.” (Raudatu El-U’kala, 77)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, njeriu e ka një pozitë (të lartë) tek Allahu, mirëpo atë s’mund ta arrijë me veprat e tij. Andaj, Allahu vazhdimisht e sprovon me gjëra që ai i urren, në mënyrë që t’ia mundësojë arritjen e asaj pozite.” (Es-Sahiha, 2599).

 

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur të ndodhin fitnet (trazirat):

– kapu fort për Sunetin,

– përmbaju heshtjes,

– mos hyj në gjëra që nuk të interesojnë,

– atë që e ke problem ta kuptosh ktheje tek Allahu (Kurani) dhe i Dërguari (Suneti),

– frenoje veten dhe thuaj: “Allahu e di më së miri!” (Sijer A’lam En-Nubela’, 20/141).

 

  • Imam ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu iu gjen rrugëdalje miqve të Vet gjatë sprovave që i godasin. Mirëpo, nganjëherë ndodh që disave prej tyre t’u vonohet një gjë e tillë, për t’i kalitur dhe për t’ua shtuar shpërblimin.” (Fet’h El-Barij, 6/483)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej rregullave të përshëndetjes me selam është që ai të jetë me zë të qartë e jo me zë të ulët, saqë ai të cilit i jepet të mos e dëgjojë atë. Pra, muslimani e përshëndetë muslimanin me selam që dëgjohet dhe të qartë.” (Mendhumetu Usuli El-Fikh, 187).

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Njeriu nuk mban mendim të mirë për Allahun, veçse Ai ia jep atë që e dëshiron; kjo është kështu, sepse të gjitha të mirat janë në Dorën e Tij.” (Ez-Zuhd, Ebu Davudi, 121).

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtarët janë tri nivele:
  1. Ata që nxitojnë drejt punëve të mira: këta janë ata që i kryejnë obligimet dhe gjërat e pëlqyeshme (sunetet) dhe i braktisin haramet e gjërat e urryera.
  2. Mesatarët: ata të cilët kufizohen vetëm në kryerjen e obligimeve dhe në largimin nga haramet.
  3. Ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetvetes: ata të cilët përziejnë mes punëve të mira dhe të këqija.”

(Ta’lim Usul El-Iman, 26).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Drejtësia është obligim për këdo dhe në çdo gjendje. Ndërsa, padrejtësia është e ndaluar pa asnjë përjashtim dhe nuk lejohet në asnjë gjendje.” (Minhaxh Es-Sunneh, 1/126).

 

  • Ibn El-Uezir El-Jemanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shkaku i dyshimit dhe kufrit është shikimi në gjërat e paqarta, për të cilat njerëzit nuk kanë dijeni dhe nuk e dinë shpjegimin e tyre.” (El-Auasim ue El-Kauasim, 1/214).

 

  • Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mëkatet, mosbindjet dhe epshet e zhgënjejnë njeriun gjatë dhënies së shpirtit, së bashku me zhgënjimin që ia bën shejtani.” (El-Bidajetu ue En-Nihajetu, 9/179).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sikur të mos ishin sprovat e fatkeqësitë në këtë botë, njeriu do të goditej nga sëmundjet e mendjemadhësisë, mburrjes, padrejtësisë ndaj të tjerëve e ngurtësisë së zemrës, gjë e cila do të bëhej shkak që ai të shkatërrohet në këtë jetë dhe në tjetrën.” (Zad El-Me’ad, 4/179).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit