Këshilla të dobishme 42

  • Allahu e përmbyti tërë rruzullin tokësor për shkak të një lutjeje të Nuhut (alejhis-selam) e cila përbëhej prej disa fjalëve të shkurtra: “Ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” (El-Kamer, 10). Ndërsa, në anën tjetër, ia dha tërë rruzullin tokësor nën sundim Sulejmanit (alejhis-selam), po ashtu për shkak të një lutjeje të shkurtë: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35). Pra, nuk kemi nevojë për shumë fjalë që të shohim gjurmën dhe ndikimin, por kemi nevojë vetëm për vërtetësi e sinqeritet!

 

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shkencat më të vlefshme janë ato që të afrojnë tek Allahu i Lartësuar dhe që të ndihmojnë në arritjen e kënaqësisë së Tij.”(Mudavatu En-Nufus, 244)

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zemra është krijuar për ta dashur Allahun e Lartësuar.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 10/134)

 

  • Mjerimi dhe fatkeqësia më e madhe është të ndihesh rehat kur nuk i bindesh Allahut të Lartësuar.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “A t’ju tregoj për një lutje që nëse ndonjëri prej jush e thotë atë, i largohet vështirësia apo belaja e kësaj bote që e ka goditur?” “Gjithsesi”- thanë të pranishmit. Ai tha: “Lutja e Dhun-Nunit (Junusit alejhis-selam): “La ilahe il-la ente, subhaneke, inni kuntu minedh-dhalimin!” (Es-Sahiha, 1744). (O Allah, s’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje! Vërtetë, unë i kam bërë padrejtësi vetes!)

 

  • Ijas ibn Katade (Allahu e mëshiroftë) e pa një qime të bardhë në mjekrën e tij dhe tha: “Po e shoh se vdekja ka filluar të më kërkoj!” (Behxhetu El-Mexhalis, 219)

 

  • Jahja ibn Mu’adh (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “Si mund të më shpëtojnë veprat e mia, kur unë herë bëj vepra të mira e herë të këqija! Sa i përket veprave të mia të këqija, në to s’ka asnjë të mirë. Ndërsa veprat e mia të mira janë të përziera me vepra të këqija. Kurse, Ti, o Allah, e pranon vetëm veprën e sinqertë! Andaj, pas kësaj, s’mbetet gjë tjetër, përveç bujarisë Tënde!” (Shu’ab El-Iman, Bejhekiu, 824)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari, i cili beson vërtetë në zjarr të Xhehenemit, sikur të ishte duke e parë, nuk shkon rrugës që e shpie drejt tij.” (Igathetu El-Lehfan, 2/133)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush kapet fort për këtë fe të vërtetë, do të jetë ngadhënjimtar dhe i lartë. Ndërsa, kush e kërkon krenarinë e fuqinë diku tjetër, ai vetëm se e ka kërkuar poshtërimin.” (Sherh El-Uasitijje)

 

  • Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që moralet e mira të përfitohen nga shoqërimi me njerëzit e mirë, sepse natyra e njeriut është hajn që e vjedh të mirën dhe të keqen.” (Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 153).

 

  • Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) thoshte: “Unë i dua tri gjëra, ndërkohë që njerëzit i urrejnë ato:
  1. Varfërinë
  2. Vdekjen
  3. Sëmundjen

– Varfërinë e dua si shenjë modestie ndaj Zotit tim

– Vdekjen e dua ngaqë jam përmalluar për takimin me Të

– Sëmundjen e dua ngaqë mi fshin mëkatet.” (Sijer A’lam En-Nubela’).

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Adhurimi ndaj Allahut dhe kërkimi i ndihmës prej Tij janë rrugë që të shpien drejt lumturisë së përhershme dhe që të shpëtojnë nga të gjitha të këqijat.” (Tejsir El-Kerim Er-Rahman, 28).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) lutej: “O Allah! Më mbroj nga e keqja e asaj që kam vepruar dhe nga e keqja e asaj që ende nuk e kam vepruar!” (Muslimi).

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Fjala e Allahut: “Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për kënaqësitë (e kësaj bote)!” (Et-Tekathur, 8) tregon se njerëzit do të pyeten në Ditën e Kiametit për begatitë e kësaj bote dhe se a e kanë falënderuar Allahu ashtu siç kërkohet apo jo?” (Mexhmu’u Er-Rasail, 4/401)

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ruajini betimet tuaja!” (El-Maideh, 89)

“Ruajtja e betimeve e përmendur në këtë ajet i ka tri kuptime të sakta:

  1. Mos i shpeshtoni betimet
  2. Kur të betoheni, mos e thyeni betimin
  3. Nëse betoheni dhe e thyeni betimin, mos e lini shlyerjen e tij.” (Imam Uthejmini).

 

  • Nëse e braktisë namazin, atëherë dije se lumturia, rehatia dhe bereqeti e kanë braktisur jetën tënde!

 

  • Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim!” (Ez-Zumer, 13)

– Kujtoja zemrës tënde këtë ajet, kur ajo dobësohet përballë epshit!

– Kujtoja vetes këtë ajet kur ajo të thërret drejt mëkatit!

– Përsërite në vete kur të vijnë mendime të këqija!

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Prej gjërave që pengojnë nga meditimi i Kuranit është edhe muzika. Muzika e huton zemrën, e pengon nga kuptimi e meditimi i Kuranit dhe nga veprimi me atë që gjendet në të. Së këtejmi, Kurani dhe muzika asnjëherë nuk bëhen bashkë në një zemër, për shkak të kundërshtimit që e kanë mes vete. Kurani ndalon nga pasimi i dëshirave dhe e urdhëron dëlirësinë e largimin nga epshet, ndërsa muzika e urdhëron të kundërtën e këtyre, i hijeshon ato dhe i josh shpirtrat drejt epsheve. Kështu, ajo i nxit e i nxjerr në shesh epshet e groposura të shpirtit dhe e lëviz atë drejt çdo të shëmtuare.” (Igathetu El-Lehfan, 1/248)

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Vërtetë, lutja të mbron nga ajo që të ka goditur dhe nga ajo që ende nuk të ka goditur, andaj, o robër të Allahut, shpeshtojini lutjet drejtuar Atij!” (El-Feuakih Esh-Shehijje, 35)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Çdo fatkeqësi që nuk e godet fenë është e lehtë dhe realisht është begati për njeriun. Fatkeqësia e vërtetë është ajo që e godet fenë e njeriut.” (Medarixh Es-Salikin, 2/322)

 

  • Uthman ibn Affan (radijAllahu anhu) thotë: “Kur përfundonte varrosja e ndonjë të vdekuri, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndalej tek varri i tij dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllanë tuaj dhe lutuni që Allahu ta forcoj atë, sepse ai tani po merret në pyetje!” (Ebu Davud, 3221)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shirku, rrena, dyfaqësia janë një pemë në zemër, ku frutat e saj në këtë botë janë: frika, brenga, pikëllimi, ngushtimi i gjoksit dhe errësira e zemrës. Ndërsa, frutat e saj në botën tjetër janë: Zekkumi (pema e Xhehenemit) dhe dënimi i përhershëm.” (El-Feuaid, 164)

 

  • Bilal ibn Sa’d (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që njeriu të jetë i lumtur, mirëpo është duke u mashtruar, e ai se ndien këtë. Ai ha, pi dhe qesh, ndërkohë që në librin e Allahut është i shkruar se do të jetë lëndë ndezëse e zjarrit të Xhehenemit.” (Zeuaidu Ez-Zuhd, Abullah ibn Ahmed, 2320)

 

  • Umer ibn Hattabi (radijAllahu anhu) thotë: “Jetën tonë më të mirë e kemi gjetur nëpërmjet durimit!” (Buhariu, 8/99)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush jep lëmoshë gjysmë hurme nga fitimi hallall – dhe Allahu e pranon vetëm hallallin – Allahu e merr atë me Dorën e Tij të djathtë, pastaj kujdeset për të dhe e rrit atë për dhënësin e saj, ashtu siç ndonjëri prej jush kujdeset dhe e rrit mëzin e vet, derisa ajo (lëmosha) të bëhet sa mali.” (Buhariu dhe Muslimi).

 

  • Bekr ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “O njeri! Nëse dëshiron të dish vlerën e asaj me të cilën të ka begatuar Allahu, atëherë vetëm mbylli sytë për një çast!” (Uddetu Es-Sabirin, 240)

 

  • Loja me fetuatë e dijetarëve

Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa të shumtë janë ata që e bëjnë këtë! Shkon tek një dijetar për ta pyetur, mirëpo, nëse përgjigjja e tij nuk përputhet me atë që e lakmon thotë: “Do të shkoj tek tjetri!” (El-Lika’ Esh-Shehrij, 2)

 

  • Një njeri i tha Hasen El-Basriut (Allahu e mëshiroftë): “Me kë ta martoj vajzën time?” Ai i tha: “Me atë që i frikohet Allahut; sepse nëse ai e do atë, e nderon. E nëse e urren, nuk i bën padrejtësi!” (Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 102)

 

  • Njëri nga brezat e parë të muslimanëve i shkroi një vëllait të tij besimtar: “Nëse Allahu është me ty, prej kujt frikohesh? Nëse Ai është kundër teje, tek kush do t’i varësh shpresat?” (Xhami’u El-Ulum, 1/471)

 

  • Ummu Ed-Derda’ (radijAllahu anha) tregon: “Një natë prej netësh, Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) e kaloi duke u falur. Ai qante dhe lutej: “O Allah! Ti më dhe formë të bukur, andaj më jep edhe moral të bukur!” Kështu vazhdoi derisa hyri koha e sabahut. Unë i thash: “O Ebu Ed-Derda’, përse tërë lutja jote sonte ishte vetëm për moralin e mirë?!” Ai ma ktheu: “Oj Ummu Ed-Derda’! Vërtetë robi musliman vazhdon ta përmirësojë moralin e tij, derisa morali i tij i mirë e fut në Xhenet; dhe ai vazhdon ta prishë moralin e tij derisa morali i tij i keq e fut në zjarr.” (Ez-Zuhd, imam Ahmedi, 264)

 

  • Ebu Hazim (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e do një vëlla besimtar për hir të Allahut, atëherë pakësoji ndërhyrjet në jetën e tij të kësaj bote!” (Hiljetu El-Evlija’, 3/281)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “T’i ndihmoj një vëllai tim besimtar në ndonjë nevojë të tij është më dashur për mua sesa të bëjë itikaf në këtë xhami – xhaminë e tij në Medine – një muaj.” (Es-Sahiha, 906)

 

  • “Nëse e vëren se Allahu të privon nga gjërat e kësaj bote dhe t’i shpeshton vështirësitë, atëherë dije se ti ke vlerë të madhe tek Ai.”

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur besimi zë vend në zemër, e nxit njeriun të bëjë vepra të mira. Mirëpo, ndodh që vetëm vepra e jashtme të mos e nxis atë drejt përmirësimit të zemrës së tij. Andaj, ne duhet të kujdesemi për zemrat tona dhe për veprat e zemrave, besimet e drejtimet e tyre; ne duhet t’i përmirësojmë e t’i pastrojmë ato nga njollat e shirkut, të bidateve, të urrejtjes ndaj të tjerëve, zilisë, pastaj urrejtjes ndaj asaj që Allahu ia zbriti të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), urrejtjes së sahabëve (radijAllahu anhum), si dhe gjëra tjera të kësaj natyre, prej të cilave zemra duhet të pastrohet.” (Tefsiru xhuz’i Amme, 154)

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit