Këshilla të dobishme 43

  • Ibn Xhuezij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari duhet të dijë se Allahu i patëmeta është Sundimtar shumë i Urtë dhe nuk vepron kot. Kjo dije doemos e largon revoltën ndaj caktimit të Tij.” (Sajd El-Hatir, 496)

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shenja më madhështore e besimit është dashuria ndaj të mirës, lakmia në të dhe gëzimi kur e kryen atë.” (Behxhetu Kulubi El-Ebrar, 272)

 

  • I Dërguari (sal-lAllau alejhi ue sel-lem) thotë: “Katër gjëra janë pjesë e lumturisë:
  1. Gruaja e devotshme
  2. Shtëpia e gjerë (e mjaftueshme)
  3. Fqinji i mirë dhe
  4. Mjeti i rehatshëm i udhëtimit

Dhe katër gjëra janë pjesë e jolumturisë:

  1. Fqinji i keq
  2. Gruaja e keqe (jo e devotshme)
  3. Shtëpia e ngushtë dhe
  4. Mjeti i keq i udhëtimit.”

(Es-Sahiha, 282)

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bëhu prej bijve të botës tjetër, e jo prej bijve të kësaj bote, sepse fëmija shkon me nënën e vet!” (El-Feuaid, 395)

 

  • Alij ibn Ebi Talib (radijAllahu anhu) thotë: “Shoku nuk konsiderohet shok i vërtetë derisa ta ruajë shokun e tij kur ai nuk është prezent dhe po ashtu pasi që të vdesë.” (Behxhetu El-Mexhalis, 147)

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Kur e Allahu e nderon njeriun, e angazhon me bindje ndaj Tij.” (Sherh Et-Tahauijje, 11).

 

  • Kur Muhamed ibn Shubrumen e godiste ndonjë bela thoshte: “Re e verës e cila shpejt largohet!” (Uddetu Es-Sabirin, 2/19).

 

  • Pesë nivelet e pranimit të Kuranit
  1. Dëgjimi me vëmendje. Allahu thotë: “Kur të lexohet Kurani, dëgjoni me vëmendje dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” (El-A’raf, 204).

 

  1. Leximi. Allahu thotë: “Ata që u kemi dhënë Librin e lexojnë ashtu siç është shpallur.” (El-Bekara, 121).

 

  1. Nxënia përmendësh. Allahu thotë: “Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre që u është dhënë dija.” (El-Ankebut, 49).

 

  1. Përsiatja (mendimi i thellë rreth tij). Allahu thotë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (SAD, 29)

 

  1. Punimi me të. Allahu thotë: “Ata të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (Kuranin), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.” (Ez-Zumer, 18).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përmendja e Allahut është dritë për njeriun në këtë botë, dritë për të në varr dhe dritë para tij kur kalon sipër Siratit në Ditën e Ringjalljes. Zemrat dhe varret nuk ndriçohen me diçka të ngjashme me përmendjen e Allahut të Lartësuar.” (El-Uabil Es-Sajjib, 113)

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Këmbëngulja në lutjen drejtuar Allahut duke e përsëritur zotërimin e Tij: “O Zoti im!”, është prej shkaqeve më të rëndësishme nëpërmjet të cilave kërkohet përgjigja ndaj lutjes.” (Xhami’u El-Ulum).

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari jeton me përmendje të Allahut, vdes me përmendje të Allahut dhe ringjallet me përmendje të Allahut.” (Letaif El-Me’arif, 365).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pa dyshim që ruajtja e besimit është gjëja më rëndësishme dhe obligimi më madhështor.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 7/9)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ata që mallkojnë nuk do të jenë as ndërmjetësues dhe as dëshmitarë në ditën e Kiametit.” (Muslimi).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Jeta e trupit pa jetë të zemrës është e njëllojtë me jetën e kafshëve; edhe ato dëgjojnë, shohin, hanë, pinë dhe kanë marrëdhënie intime.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 10/104).

 

  • Sprovat e vështirësitë iu zgjatën edhe profetëve, andaj e kemi për detyrë të durojmë. Allahu thotë: “Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekara, 214)

 

  • Shembull i ambicies së lartë

 

Zejd bin Thabiti (radijAllahu anhu) e mësoi hebraishten për gjysmë muaji dhe ishte vetëm dymbëdhjetëvjeçar. Pastaj e mësoi persishten për tetëmbëdhjetë ditë. Po ashtu e mësoi edhe gjuhën etiopase, romake dhe kopte. (El-Bidaje ue En-Nihaje, ibn Kethiri)

 

  • Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Tri gjëra janë prej durimit:
  1. Të mos tregosh për dhimbjen
  2. Të mos tregosh për sprovën dhe
  3. Të mos e lavdërosh veten.”

(Tefsir ibn Kethir, 1/620)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Lutjet e atij që ka rënë në vështirësi janë: “All-llahumme rahmeteke erxhu, fela tekilni ila nesfi tarfete a’jnin, ue aslih li she’ni kul-lehu, la ilahe il-la ente!” (Sahih El-Kelim Et-Tajjib, 120) (O Allah, mëshirën Tënde e shpresoj, andaj mos më lë të mbështetem tek vetja ime as sa përpëlitja e syrit, dhe më përmirëso të gjitha çështjet! S’ka të adhuruar të vërtetë përveç Teje!)

 

  • Ahnef ibn Kajs (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpresat e shumta janë prej mashtrimit të shejtanit.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, 138)

 

  • Ibrahim ibn Ed’hem (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush nuk iu ndihmon njerëzve me pasurinë, ushqimin e pijen e tij, le t’i ndihmojë me fytyrë të hapur dhe me moral të mirë!” (Hiljetu El-Evlija’, 7/389)

 

  • Ibn Muflih (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije se zemrat dobësohen e sëmuren, madje ndodh që edhe vdesin për shkak shkujdesjes e mëkateve.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh, 144)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse bashkëshortja sillet keq me ty, ti mos e shiko sjelljen e saj tani, por shikoje të kaluarën e të ardhmen dhe gjyko me drejtësi.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/73).

 

  • Imam ibn Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që zullumqarit e atij që i shkëput lidhjet farefisnore t’i përshpejtohet dënimi për shkak të krimit të rëndë të tyre, ndërkohë që jobesimtarit e mëkatarit të madh t’i vonohet, për shkak të ndonjë urtësie të thellë.” (Mexhmu’u El-Fetaua, 13/58)

 

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kujtimi i Allahut është dy llojesh:

– me gjuhë, dhe kjo është një gjë e mirë,

– mirëpo më e mirë se kjo është kur njeriu dëshiron të kryejë mëkat, pastaj e kujton Allahun dhe tërhiqet.” (El-Uera’, ibn Ebi Ed-Dunja, 58)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse e sheh se shokët e tu të udhëzojnë e të ndihmojnë drejtë të mirës dhe nëse harron e nuk di, të përkujtojnë e të mësojnë, atëherë mbaje fort shoqërinë me ta. E nëse e sheh se shoku yt është i pakujdesshëm kundrejt teje dhe nuk i intereson a prishet feja jote apo jo, madje ndoshta edhe përpiqet të ta prish fenë, atëherë ruaju prej tij, sepse ai është helm vrasës.” (Sherh Rijad Es-Salihin, 2/365)

 

  • Ebu Sulejman Ed-Daranij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush bën mirë gjatë ditës, ruhet (nga Allahu) gjatë natës. Kush bën mirë gjatë natës, ruhet gjatë ditës. Kush tregohet i sinqertë në braktisjen e epshit, Allahu ia largon atë nga zemra, ngaqë Ai është më Bujar sesa të dënoj një zemër për shkak të një epshi që është lënë për hir të Tij.” (Ez-Zuhd El-Kebir, imam Bejhekiu, 727)

 

  • Hudhejfe ibn Jeman (radijAllahu anhu) thotë: “Allahu çdo gjë e ka krijuar si të vogël, pastaj ajo rritet, përveç fatkeqësisë; Ai e krijoi atë si të madhe, pastaj ajo vjen duke u zvogëluar.” (Behxhetu El-Mexhalis, 250)

 

 

  • Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush nuk mbrohet me mburojën e mbështetjes në Allahun, do të qëllohet nga secili gjuajtës.” (Et-Tedhkira, 22)

 

  • Kurani është mjeti më madhështor në thirrjen e të tjerëve drejt fesë, dhe vargjet e tij janë çelësi më i madh i zemrave. Fjala e Allahut ndikon më shumë se çdo gjë tjetër në shpirtra. Për këtë arsye, armatosu me vargjet e tij, sepse s’ka gjë që ndikon më shumë se to.”

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Nëse e vërteta thuhet jo në vendin e duhur, jo në kohën e duhur dhe jo me metodën e duhur, ajo shkakton çrregullim.” (Ni’metu El-Emn, 34).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ka dallim të madh mes njeriut që është në gjumë ndërkohë që sytë e të tjerëve rrinë zgjuar duke u lutur për të dhe atij që është në gjumë ndërkohë që sytë e të tjerëve rrinë zgjuar duke u lutur kundër tij.” (Tarik El-Hixhratajn, 1/355).

 

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më është përcjell se, kush nuk lakmon në jetën e kësaj bote dhe ruhet nga mëkatet, prej gojës së tij rrjedhin vetëm urtësi.” (Sijer A’lam En-Nubela’, 8/109).

 

  • Një njeri i urtë tha: “Çuditem me atë që pikëllohet nga pakësimi i pasurisë, e nuk pikëllohet nga pakësimi i jetës së vet!” (Dhemm Ed-Dunja, ibn Ebi Ed-Dunja, 114).

 

  • Imam El-Euza’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shoku për shokun është sikur arni për rrobën; nëse ai (arni) nuk është i ngjashëm me të, e shëmton atë.” (Behxhetu El-Mexhalis, 150).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit