Këshilla të dobishme 44

  • Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu nuk e shijon ëmbëlsinë e besimit derisa t’i vijnë sprovat prej çdo anë.” (Tarih Bagdad, 1/545).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ne duhet të kujdesemi për përmirësimin e zemrës dhe për largimin e njollave prej saj, sepse nëse ajo është e mirë, i tërë trupi do të jetë i mirë.” (Sherh Takrib Et-Tedmurijje, 20).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharremit.” (Muslimi).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kujt Allahu i ka dhënë grua të devotshme, veçse i ka ndihmuar ta plotësojë gjysmën e fesë, andaj le ta ketë frikë Atë në gjysmën tjetër!” (Sahih Et-Tergib, 1916).

 

  • Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ai që ka mus’haf, duhet të lexojë në të çdo ditë, qoftë edhe disa ajete, në mënyrë që të mos bëhet prej atyre që e braktisin Kuranin.” (El-Adab Esh-Sher’ijjeh).

 

  • Si ta shlyesh përgojimin? Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë): “Nëse shoku yt e di që e ke përgojuar, atëherë shko dhe kërkoji falje! E nëse jo, atëherë përgojimi shlyhet duke kërkuar falje për të dhe duke ia përmendur cilësitë e tij të mira nëpër ato ndeja ku e ke përgojuar, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” (Likau-Babil-Meftuh, 30).

 

  • Umer ibn Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Njeriut nuk i është dhënë diçka më e mirë, pas Islamit, sesa një vëlla i devotshëm besimtar.” (Kutu El-Kulub, 2/178).

 

  • Bekr ibn Abdullah El-Muzenij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtetë ju bëni shumë mëkate, andaj shpeshtojeni kërkimin e faljes prej Allahut, sepse kur njeriu gjen kërkim të faljes mes çdo dy rreshtave (në regjistrin e veprave, në Ditën e Kiametit), e gëzon një gjë e tillë.” (Et-Teube, ibn Ebi Ed-Dunja, 172).

 

  • Shejh AbduRezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) thotë: “Nëpërmjet dijes fetare peshohen gjërat, dihet hallalli prej haramit, dallohen dispozitat fetare, dihet e vërteta prej të kotës dhe udhëzimi prej devijimit. Për këtë arsye, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) çdo ditë pas namazit të sabahut thoshte: “O Allah! Të kërkoj dije të dobishme, risk hallall dhe vepër të mirë!” Ndërsa në një tjetër version të hadithit lexojmë: “Dhe vepër të pranuar“. (Përcjellë nga imam Ahmedi dhe të tjerë). Pra, ai filloi me dijen e dobishme, sepse nëpërmjet saj njeriu dallon mes riskut hallall e haram dhe mes veprës së mirë e të keqe. E nëse njeriu nuk ka dije të dobishme, si do të dallojë mes hallallit e haramit dhe mes të mirës e të keqes?” (al-badr.net).

 

  • Çka është zilia? Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shpjegimi i mirënjohur tek shumë dijetarë për zilinë është: zili do të thotë të dëshirosh largimin e begatisë së Allahut nga njeriu. Domethënë: kur Allahu e begaton dikë me dije, apo pasuri, apo pozitë, apo fëmijë, apo diçka tjetër, ti dëshiron që ajo begati t’i hiqet. Ndërsa, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë se zilia është ta urresh begatinë që Allahu ia ka dhënë dikujt, edhe nëse nuk dëshiron që ajo t’i hiqet. Domethënë: kur ti e urren pse Allahu e ka begatuar dikë, atëherë ia ke zili.” (Lika El-Bab El-Meftuh, 2/165).

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Fjala e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Nuk është besimtar” do të thotë: nuk është besimtar me besim të plotë. “Ai i cili ngopet, ndërkohë që fqinji i tij është i uritur.” Domethënë: ndërkohë që e di gjendjen e fqinjit të vet. Fqinji patjetër duhet ta ngopë fqinjin e vet, edhe nëse ai nuk është musliman; dhe kjo është prej bukurive të shumta të fesë Islame. Ai që e ka këtë veti – nuk i kushton rëndësi gjendjes së fqinjit se a ka për të ngrënë apo jo – atëherë kjo tregon për:

– ngurtësi të zemrës,

– koprraci të madhe,

– besim të dobët,

– paburrëri dhe

– karakter të ulët.” (Sherh Kitab El-Kebair, 603).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha shokut të vet Ebu Bekrit (radijAllahu anhu): “Mos u trishto, se Allahu është me ne!” Andaj, kjo tregon se s’ka trishtim me Allahun.” (Tarik El-Hixhratejn, 557).

 

 

  • Vuhejb ibn Kejsan (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Abdullah ibn Zubejri (radijAllahu anhu) ma dërgoi një letër ku më këshillonte: “Ithtarët e devotshmërisë kanë shenja me të cilat dallohen…

– durimi ndaj fatkeqësive,

– të kënaqurit me caktimin e Allahut,

– falënderimi i Tij për begatitë,

– nënshtrimi ndaj dispozitave të Kuranit.” (Hiljetu El-Evlija’, 1/336).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shpirtrat fisnik kënaqen vetëm me gjërat më të larta, më të vlefshme dhe me përfundimin më të lavdishëm. Ndërsa, shpirtrat e ulët sillen rreth gjërave të ulëta.” (El-Feuaid, 259).

 

  • Ibn Es-Semmak (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Të vdekurit nuk qajnë për shkak të vdekjes, por qajnë ngaqë pikëllohen për atë që iu iku. Pasha Allahun, atyre iu iku një shtëpi nga e cila nuk i morën gjërat e nevojshme dhe hynë në një shtëpi tjetër si të papërgatitur!” (El-A’kibetu fi Dhikri El-Meuti, 46).

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk mendoj që dikush i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e braktis dërgimin e salavateve për të (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” (El-Bab El-Meftuh, 234).

 

  • Kiameti është dy llojesh:
  1. Kiameti i vogël që ndërlidhet me secilin njeri; kjo ndodh kur shpirti ndahet nga trupi.
  2. Kiameti i madh; nëpërmjet të cilit shkatërrohet universi dhe prishet sistemi i kësaj jete.

 

  • Imam Sulejman ibn Hamze El-Makdisij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Kurrë nuk e kam fal ndonjë namaz të obligueshëm vet, përveçse dy herë; dhe më është dukur sikur të mos i kem falur kurrë ato!” Kur e tregoi këtë ishte gati nëntëdhjetë vjeçar. (Dhejl Tabekat El-Hanabile, 2/356)

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” (Fatir, 22). Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Në këtë ajet Allahu i patëmeta e ngjasoi atë që nuk i përgjigjet të Dërguarit të Tij me ata që janë në varre; zemrat u kanë vdekur dhe u janë varrosur brenda trupave të tyre.” (Igathetu El-Lehfan, 1/22).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pirja e epshit është e ëmbël, mirëpo të mbetet në fyt.” (El-Feuaid, 1/67).

 

  • Aun ibn Abdullah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Në fillim shoqërohesha me njerëz të pasur, mirëpo askush nuk ishte më i pikëlluar se unë; nëse e shihja dikë me rroba më të bukura se të miat dhe me aromë më të mirë se timen, kjo më pikëllonte. Pastaj fillova të shoqërohesha me njerëz të varfër dhe u rehatova.” (Hiljetu El-Evlija’, 4/242)

 

  • Sufjan Eth-Theurij (Allahu e mëshiroftë) iu tha shokëve të vet: “Nëse me ju do të ulej dikush që ia tregon bisedën tuaj pushtetarit, a do të flisnit diçka që e zemëron atë?” “Jo” – i thanë ata. “Atëherë dijeni se me ju është dikush që bisedën e tuaj e ngrit tek Allahu.” (d.m.th. engjëjt) (Et-Tebsira, 2/237, ibn Xheuzij).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk ka në këtë botë kënaqësi më të madhe sesa kënaqësia e dijes rreth Allahut, përmendjes së Tij dhe adhurimit ndaj Tij.” (Es-Safedijje, 2/272).

 

  • Erdhi një njeri tek Hudhejfe (radijAllahu anhu) dhe i tha: “Frikohem se mos jam munafik (dyfytyrësh)!” Ai i tha: “A falesh kur je vet dhe a kërkon falje prej Allahut kur mëkaton?” “Po” ia ktheu. –“Atëherë shko se Allahu nuk të ka bërë prej munafikëve!” (Et-Tergib ue Et-Terhib, 1/167).
  • Habib ibn Ebi Thabit (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej moralit të mirë të njeriut është që t’i flasë bashkëbiseduesit duke buzëqeshur.” (Raudatu El-U’kala, 77)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, njeriu e ka një pozitë (të lartë) tek Allahu, mirëpo atë s’mund ta arrijë me veprat e tij. Andaj, Allahu vazhdimisht e sprovon me gjëra që ai i urren, në mënyrë që t’ia mundësojë arritjen e asaj pozite.” (Es-Sahiha, 2599).

 

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur të ndodhin fitnet (trazirat):

– kapu fort për Sunetin,

– përmbaju heshtjes,

– mos hyj në gjëra që nuk të interesojnë,

– atë që e ke problem ta kuptosh ktheje tek Allahu (Kurani) dhe i Dërguari (Suneti),

– frenoje veten dhe thuaj: “Allahu e di më së miri!” (Sijer A’lam En-Nubela’, 20/141).

 

  • Imam ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Allahu iu gjen rrugëdalje miqve të Vet gjatë sprovave që i godasin. Mirëpo, nganjëherë ndodh që disave prej tyre t’u vonohet një gjë e tillë, për t’i kalitur dhe për t’ua shtuar shpërblimin.” (Fet’h El-Barij, 6/483)

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej rregullave të përshëndetjes me selam është që ai të jetë me zë të qartë e jo me zë të ulët, saqë ai të cilit i jepet të mos e dëgjojë atë. Pra, muslimani e përshëndetë muslimanin me selam që dëgjohet dhe të qartë.” (Mendhumetu Usuli El-Fikh, 187).

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Njeriu nuk mban mendim të mirë për Allahun, veçse Ai ia jep atë që e dëshiron; kjo është kështu, sepse të gjitha të mirat janë në Dorën e Tij.” (Ez-Zuhd, Ebu Davudi, 121).

 

  • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtarët janë tri nivele:
  1. Ata që nxitojnë drejt punëve të mira: këta janë ata që i kryejnë obligimet dhe gjërat e pëlqyeshme (sunetet) dhe i braktisin haramet e gjërat e urryera.
  2. Mesatarët: ata të cilët kufizohen vetëm në kryerjen e obligimeve dhe në largimin nga haramet.
  3. Ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetvetes: ata të cilët përziejnë mes punëve të mira dhe të këqija.” (Ta’lim Usul El-Iman, 26).

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Drejtësia është obligim për këdo dhe në çdo gjendje. Ndërsa, padrejtësia është e ndaluar pa asnjë përjashtim dhe nuk lejohet në asnjë gjendje.” (Minhaxh Es-Sunneh, 1/126).

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit