Këshilla të dobishme 45

  • Ibn El-Uezir El-Jemanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shkaku i dyshimit dhe kufrit është shikimi në gjërat e paqarta, për të cilat njerëzit nuk kanë dijeni dhe nuk e dinë shpjegimin e tyre.” (El-Auasim ue El-Kauasim, 1/214).

 

  • Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Mëkatet, mosbindjet dhe epshet e zhgënjejnë njeriun gjatë dhënies së shpirtit, së bashku me zhgënjimin që ia bën shejtani.” (El-Bidajetu ue En-Nihajetu, 9/179).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Sikur të mos ishin sprovat e fatkeqësitë në këtë botë, njeriu do të goditej nga sëmundjet e mendjemadhësisë, mburrjes, padrejtësisë ndaj të tjerëve e ngurtësisë së zemrës, gjë e cila do të bëhej shkak që ai të shkatërrohet në këtë jetë dhe në tjetrën.” (Zad El-Me’ad, 4/179).

 

  • Imam Alij ibn El-Medinij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “U përshëndeta me Ahmed ibn Hanbelin (Allahu e mëshiroftë) dhe i thash: “Më porosit me diç?” Ai më tha: “ Furnizimi yt le të jetë devotshmëria dhe botën tjetër vendose para syve!” Menakib El-Imam Ahmed, 273.

 

  • Ibn Xheuzij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimi i njeriut shpërfaqet gjatë sprovimit; ai lutet shumë dhe prapë nuk sheh gjurmë të përgjigjes. Mirëpo, nuk i humb shpresat, edhe nëse shkaqet për një gjë të tillë janë të forta.” Sajd El-Hatir, 168.

 

  • Bashkëshortja e imam Se’id ibn Musejjibit (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Në kohën tonë, burrave nuk u flisnim ndryshe, veçse ashtu siç ju sot u flisni pushtetarëve tuaj!” Hiljetu El-Evlija’, 5/198.

 

  • Umer ibn El-Hattab (radijAllahu anhu) thotë: “Prej gjërave që e bëjnë të çiltër dashurinë e vëllait tënd besimtar për ty janë:

– t’i japësh selam i pari kur ta takosh,

– ta thërrasësh me emrat që i do më së shumti,

– t’i bësh vend nëpër ndeja.” Behxhetu El-Mexhalis, 143.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush mundet të ketë një vepër të mirë të fshehtë (që nuk dinë njerëzit për të), le ta bëjë!” Es-Sahiha, 5/398.

 

  • Imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë) i thanë gjatë kohës së fitnes: “A nuk po e sheh sesi e kota ka triumfuar ndaj të vërtetës?” Ai tha: “Assesi! Përderisa zemrat janë të qëndrueshme, e vërteta është fitimtare.” El-Med’hal, 1/300.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Për zemrat e shëndosha asgjë nuk është më i dashur sesa Allahu.” Mexhmu’u El-Fetaua, 7/537.

 

  • Erdhi një njeri tek Uehb ibn Munebbih (Allahu e mëshiroftë) dhe i tha: “Më mëso diçka, që Allahu të më sjellë dobi me të!” Ai i tha: “Kujtoje shpesh vdekjen dhe shkurtoji shpresat!” El-Bidajetu ue En-Nihajetu, 9/313.

 

  • “Ai (Allahu) drejton çdo gjë.” (Junus, 3). Një ajet që nëse hyn në zemrën tende, e qetëson atë!

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Vërtetë, disa njerëz janë çelësa të së mirës dhe mbyllës të së keqes. Ndërsa, disa njerëz janë çelësa të së keqes dhe mbyllës të së mirës. Andaj, lum për atë që Allahu ia ka dhënë çelësat e së mirës në duar dhe mjerë për atë që Ai ia ka dhënë çelësat e së keqes në duar!” Sahih ibn Maxheh, 195.

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse begative të kësaj bote nuk i bashkëngjitet falënderimi ndaj Allahut, ato janë sprovë për njeriun. Ashtu siç thotë Ebu Hazimi: “Çdo begati që nuk të afron tek Allahu është sprovë për ty.” Xhami’u El-Ulum, 2/82.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Prej shenjave të grupeve të devijuara është se ato i urrejnë brezat e parë të muslimanëve dhe metodologjinë e tyre, si dhe paralajmërojnë kundër saj.” El-Exhuibetu El-Mufide, 136.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Edhe pse fëmija nuk është i ngarkuar me obligime fetare, kujdestari i tij është i tillë. Andaj, atij nuk i lejohet t’i mundësojë diçka të ndaluar, sepse fëmijës i bëhet gjë e zakonshme dhe i vjen vështirë ndarja prej saj.” Tuhfetu El-Meudud.

 

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Tri gjëra i jepen edhe të mirit edhe të keqit: 1. Amaneti, 2. Besa, 3. Mbajtja e lidhjeve farefisnore.” Sijer A’lam En-Nubela’, 5/75.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasioni ndaj pamjeve të ndaluara është prej sprovave më të mëdha.” Kai’detun fi El-Mehabbeh, 88.

 

  • Dijetari Mukbil El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vëllai besimtar në këtë kohë është i barabartë me botën dhe çdo gjë që gjendet në të.” Es’iletu Esh-Shebab.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ata që i binden Allahut janë të qëndrueshëm dhe të qetë. Edhe nëse ndonjëri prej tyre është i varfër, Allahu i jep rehati të shpirtit dhe kënaqësi.” Tefsir Sureti El-Maideh, 2/90.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Njeriu është vërtet mosmirënjohës ndaj Zotit të vet.” (El-A’dijat, 6). Domethënë: “I numëron fatkeqësitë dhe i harron begatitë.” Esh-Shukru, ibn Ebi Ed-Dunja, 63.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al-I’mran, 159). “Ata të cilët janë të kënaqur me caktimin e Tij; të cilët i dorëzohen gjykimit të Tij ndaj tyre, pavarësisht se a ju pëlqen apo jo.” Tefsir Et-Taberij.

 

  • Umeri (radijAllahu anhu) këshillonte: “Mësojuani grave tuaja suren En-Nur!” Musannef AbduRrezzak, 1133.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Prej gjërave që e bëjnë të domosdoshme faljen e mëkateve janë: përhapja e selamit dhe fjalët e mira.” Es-Sahiha, 1035.

 

  • Dijetari Hamud Et-Tuvejxherij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk sheh musliman të cilit Allahu ia ka ndriçuar zemrën me dritën e dijes fetare dhe të besimit, veçse ai sot i ngjanë atij që e mban gacën në grusht.” Gurbetu El-Islam, 1/112.

 

  • Ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Të huajt janë dy llojesh:

– ata të cilët e përmirësojnë veten kur njerëzit e tjerë prishen,

– ata të cilët e përmirësojnë atë që e kanë prishur njerëzit. Dhe ky është niveli më i lartë e më i mirë.” Keshfu El-Kurbeh, 320.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Medh’hebi i Ehlu Sunetit është i moçëm e i njohur, para se Allahu ta krijonte Ebu Hanifen, Malikun, Shafiun e Ahmedin. Ai është medh’hebi i sahabëve (shokëve të Profetit), të cilët e morën atë nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).” Minhaxh Es-Sunneh, 2/482.

 

  • Shumejt ibn Axhlan (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e vë vdekjen para syve, nuk merakoset për vështirësitë e kësaj bote apo për rehatit e saj.” Sifetu Es-Safue, 3/342.

 

  • Dijetari Salih Alu Esh-Shejh (Allahu e ruajttë) thotë: “Është mirë që njeriu i cili ka nevojë për rukje (yshtje) të mësojë si t’i bëjë rukja vetes dhe t’i mësojë dhikret, ajetet dhe lutjet e njohura për këtë. Mos ta vendosë veten në atë pozitë që vazhdimisht të ketë nevojë për njerëzit, ndërkohë që ai me vete e ka Fatihanë, dy suret mbrojtëse El-Felek dhe En-Nas, ajetul-kursijjin, dhikret e lutjet profetike. Këto dhe të tjerat, me lejen e Allahut të Lartësuar, e mbrojnë njeriun dhe i largojnë prej tij shejtanët e gjërat e dëmshme.” Er-Ruka ue Ahkamuha.

 

  • Imam Ez-Zuhrij (Allahu e mëshiroftë) e agjëroi ditën e Ashurasë edhe pse ishte udhëtar. Njerëzit e pyetën: “Përse po agjëron, kurse gjatë Ramazanit e prish agjërimin kur je udhëtar?!” Ai tha: “Ditët e Ramazanit mund të zëvendësohen, kurse Ashureja ikën!” Sijer A’lam En-Nubela’, 5/342.

 

  • Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) e agjëronte ditën e Ashurasë edhe nëse ishte duke udhëtuar nga frika se mos i ikën.” Musannef ibn Ebi Shejbe.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ndihmohuni për suksesin e planeve tuaja duke i fshehur ato, sepse njerëzit ia kanë smirë çdokujt që i është dhënë ndonjë begati!” Sahih El-Xhami’, 943.

 

  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Allahu është shumë i Urtë dhe Gjithëdijshëm; udhëzimin ia jep vetëm atij që e meriton atë.” Sherh Fet’h El-Mexhid.

 

  • Musa alejhisselam edhe pse foshnjë në djep dhe shumë i dobët, nuk u fundos në det. Ndërsa, Faraoni me gjithë fuqinë që e kishte, vdiq në të. Nëse Allahu është me ty, kush mund të të dëmtoj? E nëse Ai është kundër teje, kush mund të të sjell dobi?

 

  • Ebu Se’id El-Harraz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e do Allahun e Madhërishëm, i do edhe fjalët e Tij (Kuranin) dhe nuk ngopet nga leximi i tyre.” Mexhmu’u Rasail ibn Rexheb, 3/329.

 

  • Sehl Et-Tusterij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej shenjave të dashurisë ndaj Allahut është dashuria ndaj fjalëve të Tij (Kuranit).” Mexhmu’u Rasail ibn Rexheb, 3/324.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi dhe mungesë të frutave, që të zinin mend.” (El-A’raf, 130). “Allahu i sprovoi më këto, ngaqë vështirësitë i zbusin zemrat dhe i shtyjnë njerëzit që të kthehen me pendesë tek Allahu.” Tefsir El-Kurtubij, 7/263.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Në ditën e Kiametit Allahu i Lartësuar do t’i thotë njeriut që është duke u dënuar me dënimin më të ulët: “Sikur të kishe çdo gjë që gjendet në Tokë, a do ta flijoje (për të shpëtuar prej dënimit)?” “Po” – thotë ai. Allahu i thotë: “Kam kërkuar prej teje diçka më të leh1`të se kjo, duke qenë ti në kurrizin e Ademit: të mos më shoqërosh asgjë, mirëpo ti nuk pranove gjë tjetër, veçse të më vësh shok.”

 

  • Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sëmundja më e keqe e cila e prek zemrën është epshi.” Ez-Zuhd, imam Ahmedi.

 

  • Robërit e epsheve kurrë nuk mund të jenë të lirë.” (Muhammed El-Beshir El-Ibrahimij, El-Athar, 4/308).

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Çdo popull (ummet) e kishte sprovën e vet, ndërsa sprova e ummetit tim është pasuria.” Es-Sahiha, 592.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ai që është hipur mbi kafshë i jep selam atij që është duke ecur në këmbë; ai që është duke ecur i jep selam atij që është ulur. Ndërsa, nëse dy veta janë duke ecur, cili prej tyre jep selam i pari është më mirë.” Es-Sahiha, 1146.

 

Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Në ditën e Kiametit njerëzit do të ringjallen

– më lakuriq se kurrë,

– më të uritur se kurrë,

– më të etur se kurrë dhe

– më të lodhur se kurrë.

Andaj,

– kush e vesh dikë për hir të Allahut, Ai atij i jep rroba;

– kush e ushqen dikë për hir të Allahut, Ai atë e ushqen,

– kush i jep ujë dikujt për hir të Allahut, Ai atij i jep ujë,

– kush ka vepruar për hir të Allahut, Ai e bën atë që të mos ketë nevojë për askënd dhe

– kush fal për hir të Tij, Ai atë e fal.” Istina’u El-Ma’ruf, ibn Ebi Ed-Dunja, 70.

 

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit