Këshilla të dobishme 51

    • Imam Fudajl ibn I’jadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Para Kiametit do të vijnë njerëz (muslimanë) që hiqen si vëllezër në anën e jashtme, mirëpo janë armiq të njeri-tjetrit në anën e brendshme.” Sijer Es-Selef.

     

    • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shejtani dëshiron që nëpërmjet vesveseve (cytjeve) të tij ta pengojë zemrën të përfitojë nga Kurani. Andaj, Allahu e urdhëroi njeriun që para se të fillojë leximin e Kuranit, të mbrohet me Të (Allahun) nga shejtani.” Kitab El-Iman, 269.

     

    • Allahu i Lartësuar thotë: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur, 31). Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nuk ka rrugë tjetër drejt shpëtimit, veçse me pendim. Pendim do të thotë që me zemrën dhe gjymtyrët e tua të braktisësh gjërat që i urren Allahu dhe pastaj me zemër e me gjymtyrë të kthehesh drejt gjërave që Ai i do. Ky ajet po na tregon se secili besimtar ka nevojë të pendohet, sepse Allahu iu drejtua të gjithë besimtarëve. Po ashtu, në këtë ajet ka inkurajim që pendimi të bëhet sinqerisht për Allahun, siç lexojmë te pjesa: “kthehuni tek Allahu të penduar“; domethënë pendohuni për hir të Fytyrës së Zotit, e jo për ndonjë përfitim të kësaj bote, si: për të shpëtuar nga dëmet e saj, apo sa për sy e faqe, e qëllime tjera të këqija si këto.” Tefsir Es-Si’dij, 1/566.

     

    • Dijetari Mukbil El-Uadi’ij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ne (muslimanëve) më së shumti na ka dëmtuar mosdija për fenë tonë.”

     

    • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e dëshiron shpëtimin, le të mos i ndahet robërisë ndaj Allahut, vazhdimisht le të kërkojë ndihmë prej Tij dhe le t’i përgjërohet Atij që ta forcojë në Islam.” Sijer A’lam En-Nubela’, 3/329.

     

    • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përvoja dëshmon se gati nuk gjen besimtar që e jep zekatin dhe lëmoshën aty ku duhet, veçse Allahu i hedh risk të shumtë, i zbret bereqet dhe ia lehtësohen shkaqet e arritjes së riskut.” Er-Rijad En-Nadira, Mexhmu’u Muel-lefatihi, 22/77.

     

    • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Sa e sa njerëz i shohim duke vrapuar me nxitim pas dynjasë nga frika se mos u ikën! Ndërsa, në anën tjetër, i shohim sesi nuk vijnë në xhami për t’i falur pesë kohët e namazit, që janë boshti i fesë! Sa e sa njerëz i shohim që bredhin rrugëve dhe rrinë ulur nëpër dyqane për orë të tëra, madje ndodh që edhe e durojnë vapën dhe të ftohtin e madh; tërë këtë e bëjnë duke kërkuar dynjanë, mirëpo i shohim se si nuk mund të durojnë disa minuta të caktuara në xhami për ta falur namazin apo për të lexuar Kuran! Sa të rinj muslimanë i shohim duke nxituar drejt fushave të futbollit dhe japin para për të blerë biletat e hyrjes, pastaj mblidhen me mijëra. Madje, ndodh që e kalojnë tërë ditën e rrinë zgjuar gjatë natës në këmbë, duke shikuar me vëmendje, zëri iu ngjiret duke bërtitur, ndërkohë që shikojnë ekipet se cili do të fitojë! Të gjitha këto vështirësi i përballojnë në rrugë të shejtanit, mirëpo kur thirren në namaz me “hajje ‘ales-salah, hajj ‘alel-felah” (ejani në namaz, ejani në shpëtim) hiqen si të verbër e të shurdhër dhe e kthejnë shpinën, sikur myezini i thërret drejt burgut, apo sikur është duke i ofenduar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” ata nuk përkuleshin.” (El-Murselat, 48). Po ashtu thotë: “…dhe ata do të thirren që të përulen në sexhde (në ditën e Kiametit), por nuk do të munden! Të ulura do të jenë shikimet e tyre dhe do t’i mbulojë poshtërimi, sepse kanë qenë të ftuar të përuleshin në sexhde, sa qenë shëndoshë (në këtë botë, dhe nuk kanë pranuar).” (El-Kalem, 42-43). O muslimanë! Kjo është gjendja e shumicës sonë sot! Vrapojmë pas dunjasë dhe ikim nga jeta tjetër! Nuk po marrim mësim nga ata që ishin para nesh! Nuk po marrim mësim nga ata që janë përreth nesh! Nuk po ndikohemi nga këshillat! Nuk po kemi dobi nga përkujtimi! Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! E lusim Allahun që me mirësinë e Tij të na mundësojë të pendohemi dhe t’i zgjojë zemrat tona nga pakujdesia! Vërtetë, Ai dëgjon gjithçka dhe i përgjigjet lutjeve!” El-Hutab El-Minberijje, 313-314.

     

    • AbulAziz ibn Ebi Ruvad (Allahu e mëshiroftë) thotë: “I kam takuar brezat e parë të muslimanëve sesi përpiqeshin shumë në kryerjen e veprave të mira, por pastaj i kaplonte brenga se a do t’ju pranohen nga Allahu apo jo?” Letaif El-Me’arif, 209.

     

    • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Adhurimi më i mirë është ai që përputhet me udhëzimin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe me atë të shokëve të tij.” Mexhmu’u El-Fetaua, 24/321.

     

    • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Luteni Allahun t’ju forcojë në fe derisa të vdisni, mbrohuni me Të nga ndryshimi i zemrave dhe nga kthimi në mëkat pas bindjes ndaj Allahut!” Letaif El-Me’arif, 393).

     

    • I Adhuruari ynë (Allahu) është i Gjallë dhe nuk vdes kurrë, është Dëshmues dhe nuk mungon. Pa marrë parasysh a vijnë sezonet e mirësive apo largohen, adhurimi ndaj Tij përfundon atëherë kur përfundon edhe jeta. Në Kuran lexojmë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” (El-Hixhr, 99). Dr. Salih Es-Sindij, Allahu e ruajttë.

     

    • Shekik El-Belhij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Shenjat e pendimit janë: të qashë për mëkatet e kaluara, të frikohesh se mos i bën përsëri ato mëkate, të largohesh nga shokët e këqij dhe të mos iu ndahesh shokëve të mirë.” Nuz’hetu El-Fudala’, 711.

     

    • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndalu dhe mendo rreth fjalës së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Vet sesa nëna për fëmijën e saj”. Ku mund të krahasohet mëshira e nënës me mëshirën e Allahut, e cila ka përfshirë çdo gjë?!” Medarixh Es-Salikin, 1/230.

     

    • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nga pakujdesia lind mëkati i vogël, pastaj nga mëkati i vogël lind i madhi, pastaj nga i madhi lindin lloje të ndryshme të bidateve, të kufrit, e gjëra tjera.” Tafsir Es-S’idij, 45.

     

    • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mësojini të tjerët, lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni (afroni); dhe mos i irritoni (të tjerët nga feja), dhe kur ndonjëri prej jush të zemërohet, le të heshtë!” Es-Sahiha.

     

    • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Nëse në zemrën e njeriut është bashkuar dashuria ndaj Kuranit dhe ndaj muzikës, atëherë njëra e ka përzënë tjetrën.” Medarixh Es-Salikin, 430.

     

    • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: “E pakta nga jeta e kësaj bote të mjafton, ndërsa e shumta e saj nuk të mjafton.” U’ddetu Es-Sabirin.

     

    • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Besimtari është i kufizuar me atë që ka ardhur në fe; feja nuk është sipas dëshirave. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur e Vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në” (El-Mu’minun, 71). Sherh Rijad Es-Salihin, 6/596).

     

    • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Frikohem se çështja do të rëndohet edhe më tej dhe njerëzit do të harrojnë gjykimin e Islamit për muzikën (se është e ndaluar), saqë nëse ndonjëri çohet dhe e sqaron këtë, të tjerët do ta qortojnë atë dhe do ta etiketojnë me ekstremizëm.” Tahrim Alat Et-Tarb, 16.

     

    • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kuptimi i sahabëve për Kuranin është baza kryesore tek e cila duhet të mbështetemi.” Shifa’ El-A’lil, 259-260.

     

    • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush nuk vepron në tokë me Librin e Allahut dhe me Sunetin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ai ka shkaktuar trazira në të.” Mexhmu’u El-Fetaua, 28/470.

     

    • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu duhet t’i kuptojë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit ashtu siç janë, pastaj kuptimi i tij duhet të shkojë pas tyre.” El-Kaul El-Mufid, 2/347.

     

    • Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pozita më fisnike e njeriut është kur i atribuohet robërisë ndaj Allahut, pasimit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe dashurisë ndaj tij.” Et-Teudih ue El-Bejan, 62.

     

    • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Shkaku që e zgjeron zemrën është drita (nuri) që Allahu e hedh në të. Së këtejmi, kur kjo dritë hyn në zemër, ajo zgjerohet, varësisht nga fuqia e dritës dhe dobësia e saj. E nëse humbet kjo dritë, zemra errësohet dhe ngushtohet.” Shifa’ El-Alil, 107.

     

    • Imam ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Besimtari e di se është vazhdimisht nën mbikëqyrjen e Allahut. Veprat e mira që i bën i sheh si të pakta, ndërsa frikësohet nga mëkatet edhe nëse janë të vogla.” Fet’h El-Barij, 11/105.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit