Këshilla të dobishme 52

  • Post category:Këshilla
Këshilla të dobishme 52

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im!” (El-Hakka, 25). Imam Es-Si’dij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, kur bindet se do të jetë në mjerimin dhe dënimin e përhershëm e të pakëputur, thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im!” El-Feuakih Esh-Shehijje, 159.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Çdo enë, kur në të hidhet diçka, mbushet me të, përveç zemrës së butë. Sa herë që në të hidhet besimi dhe dija fetare, ajo zgjerohet e bën vend, dhe kjo është prej dëshmive të fuqisë së Zotit të Lartësuar.” Shifa’ El-A’lil, 107.

 

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) u pyet për një mesele të fesë dhe tha: “Nuk e di” Njëri i tha: “Pse thua nuk e di kur është një mesele e lehtë (thjeshtë)?!” Ai u zemërua dhe tha: “Nuk ka në dijen fetare diçka të lehtë. A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut të Madhërishëm: Vërtetë, Ne do të dërgojmë (zbresim) mbi ty (Muhamed) një fjalë (Kuranin) me peshë të rëndë.” (El-Muzzemmil, 5). E tërë feja është me peshë të rëndë, veçanërisht gjërat për të cilat do të pyetesh në Ditën e Kiametit.” I’lam El-Muvekki’in, 4/167.

 

  • Imam AbduRrahman ibn Ebi Lejla (Allahu e mëshiroftë) thotë: “I kam takuar njëqindenjëzet ensarë prej shokëve të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe kur ndonjëri pyetej për ndonjë mesele të fesë, kishte dëshirë që vëllai i tij (sahabiu tjetër) të ishte përgjigjur para tij e ta kursente nga kjo barrë.” I’lam El-Muvekki’in, 29.

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) u pyet për një mesele të fesë, mirëpo heshti. Të pranishmit i thanë: “Allahu të mëshiroftë! A nuk do përgjigjesh?” Ai tha: “Jo, derisa ta di se a është më mirë të heshti apo të përgjigjem!” Bedaiu El-Feuaid, 3/277.

 

  • Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Morali më i mirë i muslimanëve është falja ndaj të tjerëve.” Ez-Zuhd, El-Hennad, 1289.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kush e mëson gjuhën me dhikr (përmendje) të Allahut, ajo i ruhet nga fjalët pavërteta e të kota.” El-Uabil Es-Sajjib, 99.

 

  • Imam Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Allahu e mëshiroftë njeriun i cili nuk mashtrohet nga gjendja e shumicës së njerëzve! O njeri! Do të vdesësh si i vetëm! Në varr do të hysh i vetëm! Do të ringjallesh i vetëm! Dhe do të merresh në llogari i vetëm!” Ez-Zuhd, imam Ahmedi, 1557.

 

  • Imam ibn AbdulBerr (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Jeta e kësaj bote dhe ajo e botës tjetër janë si dy ortake (shemra); nëse e pajton njërën, e ke zemëruar tjetrën.” Behxhetu El-Mexhalis, 237.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dëgjimi i muzikës depërton thellë në zemër dhe e prishë atë. Po ashtu depërton te besimi i njeriut dhe e prishë atë, ashtu siç depërton helmi në trup.” Sherh El-Kafije Esh-Shafije.

 

  • Abdullah ibn Mes’udi (radijAllahu anhu) thotë: “Njerëzit me mëkatet më të shumta në ditën e Kiametit, do të jenë ata që janë thelluar më së shumti në gjëra të kota/të pavërteta.” El-Mugnij an Hamli El-Esfar fi El-Esfar, 1004.

 

  • Ebu El-A’lije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Vërtet, unë shpresoj që njeriu të mos shkatërrohet nëse është mes dy begative: begatisë së falënderimit të Allahut për të mirat që ia ka dhënë dhe begatisë së kërkimit të faljes për mëkatin e bërë.” Sijer A’lam En-Nubela’, 4/210.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kushdo që ka sadopak logjikë e di se prishja e botës dhe shkatërrimi i saj ka filluar nga dhënia përparësi mendjes ndaj shpalljes.” I’lam El-Muvekki’in, 1/70.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mbaji lidhjet me atë që i shkëput ato me ty, bëji mirë atij që të bën keq dhe thuaje të vërtetën edhe nëse është kundër teje.” Sahih El-Xhami’, 3769.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Gjithmonë flit fjalë të mira dhe ushqeji njerëzit!” Sahih El-Xhami’, 4049.

 

  • Allahu i Lartësuar thotë: “Ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij!” El-Enfal, 24). Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) shpjegon: “Domethënë ndërhynë mes besimtarit dhe mëkatit që e tërheq drejt zjarrit të Xhehenemit.” Xhami’u El-Ulum ue El-Hikem, 352.

 

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush shpik në Islam një bidat duke e konsideruar si të mirë, atëherë ai ka pretenduar se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka tradhtuar shpalljen (mesazhin), sepse Allahu thotë:Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maideh, 3). Andaj, ajo që nuk ishte fe atëherë (në kohën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), nuk është fe as sot!” El-Ihkam fi Usuli El-Ahkam, ibn Hazm, 6/225.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ki kujdes nga dy armiq, për shkak të të cilëve janë shkatërruar shumica e njerëzve: Ai që i pengon të tjerët nga rruga e Allahut nëpërmjet dyshimeve dhe fjalëve boshe të zbukuruara për mashtrim dhe ai që është i sprovuar me dashuri ndaj jetës së kësaj bote dhe pozitës së vet.” El-Feuaid, 74.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse Allahu t’i lehtëson shkaqet për të kryer mëkat, ti mos e bëj atë, sepse ndodh që t’i lehtëson ato si sprovë për ty.” Lika’ El-Bab El-Meftuh, 184.

 

  • Imam Muhamed ibn Ka’b El-Kuradhij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur Allahu ia do të mirën njeriut, në të vendos tri cilësi: dijen rreth fesë, asketizmin ndaj jetës së kësaj bote dhe angazhimin me të metat e veta.” Ez-Zuhd, ibn Mubarak, 282.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Përpara thuhej: “Durimi ndaj uljes së shikimit në gjëra të ndaluara është më i lehtë sesa durimi ndaj dhimbjes që vjen pas tij.” Ed-Da’u ue Ed-Deua’, 217.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Lëmosha ka ndikim të çuditshëm në largimin e llojeve të ndryshme të fatkeqësive, edhe nëse jepet nga mëkatari, apo zullumqari, madje edhe nga jobesimtari. Allahu nëpërmjet lëmoshës largon prej tyre lloje të ndryshme të fatkeqësive. Kjo është një gjë e mirënjohur në mesin e njerëzve, qofshin ata elitë apo të rëndomtë; dhe të gjithë banorët e tokës e pohojnë këtë, ngaqë e kanë provuar.” El-Uabil Es-Sajjib, 31)

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Çdo dashuri që nuk është për hir të Allahut, është e kotë. Çdo vepër që nuk bëhet për hir të Allahut, është e kotë. Kjo botë dhe çdo gjë në të është e mallkuar, përveç gjërave që janë për hir të Allahut.” Mexhmu’u El-Fetaua.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kushdo që është hakmarrë për veten, në fund është penduar.” Medarixh Es-Salikin, 2/303.

 

  • Imam El-Euzaij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Dije fetare është ajo që ka ardhur nga shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); çdo gjë tjetër përveç saj nuk është dije (fetare).” Mexhmu’u Resail ibn Rexheb, 3/24.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Le ta dijë femra se, shqetësimet e dhimbjet që e godasin gjatë shtatzënisë, apo lindjes, apo përkujdesjes për fëmijën, të gjitha këto janë ngritje e gradave të saj dhe shlyerje e mëkateve, nëse për to shpreson shpërblim tek Allahu i Lartësuar.” Nurun ala Ed-Derb.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej lutjeve më përmbledhëse është ajo që përmendet në hadithin e Enesit (radijAllahu anhu), ku përcillet se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e shpeshtonte këtë lutje: “O Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe në na ruaj nga dënimi i zjarrit (të Xhehenemit) – Rabbene etine fi dunja haseneten we fil akhirati haseneten we kine adheben ner.” S’ka dyshim se kjo është lutja më përmbledhëse. “O Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë”: kjo përfshinë të gjitha të mirat e kësaj bote, si: grua të devotshme, mjet udhëtimi komod, shtëpi ku gjen qetësi, etj. “të mira në botën tjetër”, kjo i përfshinë të gjitha të mirat e botës tjetër, si: llogarinë e lehtë, pranimin e librit me dorë të djathtë, kalimin e urës së Siratit me lehtësi, pirjen nga Huadi (burimi) i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), hyrjen në Xhenet etj. Pra, kjo është prej lutjeve më përmbledhëse, madje është më përmbledhësja prej të gjithave, ngaqë përfshin çdo gjë të mirë.” Sherh Rijad Es-Salihin, 6/16).

 

  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sa përgatitje e keqe për botën tjetër është padrejtësia ndaj njerëzve.” Sijer A’lam En-Nubela’, 10/41.

 

  • “Njeriu më i mençur është ai që nuk ndërmerr diçka pa menduar në pasojat që vijnë pas.” Raudatu El-Muhibbin, 104.

 

  • Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Pozita më e lartë është e atij që qan shumë gjatë natës (duke u falur, lexuar Kuran, etj.) dhe që buzëqesh shumë gjatë ditës.” Sijer A’lam En-Nubela’, 10/141.

 

  • Mejmun ibn Mehran (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse njeriu shkon te dyert e pushtetarit dhe nuk e pranon brenda, le të drejtohet te shtëpitë (xhamitë) e të Gjithëmëshirshmit, sepse ato janë të hapura; le t’i falë dy rekate dhe le ta lusë Allahun për atë që ka nevojë.” Sijer A’lam En-Nubela’, 5/74)

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kush e bën shprehi ta kundërshtojë fenë me anë të mendjes, në zemrën e tij nuk zë vend besimi.” Der’u Et-Te’arud, 1/187).

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kujt i shfaqet e vërteta, pastaj e refuzon atë dhe nuk e pranon, ai do të ndëshkohet me prishje të zemrës, mendjes dhe mendimeve të veta.” Miftah Dar Es-Se’adeh, 1/160.

 

  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Dija më e vlefshme është dija rreth Allahut dhe dashuria më e lartë është dashuria për hir të Tij.” El-Feuaid, 53.

 

  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur idhujtarët ishin në gjendje të rëndë dhe i luteshin Allahut, Ai iu përgjigjej; e si është çështja me besimtarët?” Xhami’u El-Mesail, 1/71).

 

  • Ndodh që përgojimi të bëhet edhe me zemër; dhe kjo është kur njeriu mban mendim të keq (paragjykime) ndaj muslimanëve.” Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 172.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kur ta shohësh vëllain tënd besimtar në gjendje të rëndë thuaj: “Përgëzohu, sepse çlirimi është afër!” Dhe kur ta shohësh në vështirësi thuaj: “Përgëzohu, sepse lehtësimi është afër!” Sherh Rijad Es-Salihin, 4/116.

 

  • Imam Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Namazi është prehja e besimtarit dhe përgatitja ditore me të cilën bëhet gati për takimin me Allahun e Lartësuar. Për këtë arsye, ai e respekton atë dhe ia kushton vëmendjen më të madhe të mundshme, ngaqë namazi është boshti i fesë dhe gjëja e parë për të cilën do të pyetet njeriu në Ditën e Kiametit.” Mekarim El-Ahlak, 20.

Përktheu: hoxhë Petrit Perçuku.