Këshilla të dobishme 55

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Ka dështuar dhe ka humbur ai njeri të cilit Allahu i Lartësuar nuk i ka vendosur në zemër mëshirë për njerëzit.” Es-Sahiha, 456.
  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) shkruan: “Zemrat nuk mund të bashkohen dhe bota s’mund të përmirësohet, veçse nëpërmjet teuhidit (besimit në njësinë e Zotit). Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:Vallë, a mos i kanë marrë zotat prej dheu, që të ishin në gjendje t’i ngjallnin të vdekurit? Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë të vërtetë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!” (El-Enbija’, 21-22) Për këtë arsye, kur Toka zbrazet nga teuhidi, ndodh Kiameti. Siç përcjell Muslimi nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kiameti do të ndodh atëherë kur në Tokë nuk mbetet askush që thotë: “Allah! Allah!” El-Irshad ila Sahihi El-I’tikad.
  • Imam Es-Sem’anij (Allahu e mëshiroftë) tregon: “Njerëzit e panë në ëndërr imam Ebu Mensur El-Hajjat (Allahu e mëshiroftë) pasi që kishte vdekur e i thanë: “Çfarë bëri Allahu me ty?” Ai iu tha: “Më fali për shkak se ua mësoja fëmijëve të muslimanëve suren El-Fatiha.” Tabekat El-Kurra’.

 

  • “Kush është i bindur në caktimin e Allahut, nuk pikëllohet.” Shu’ab El-Iman, Imam Bejhekiu.
  • Umer ibn AbdulAzizi (Allahu e mëshiroftë) lutej: “O Allah! Më bëj të kënaqur me gjykimin Tënd dhe më jep bereqet në atë që ke caktuar për mua, në mënyrë që të mos e dëshiroj shpejtimin e diçkaje që Ti e ke vonuar dhe vonimin e diçkaje që Ti e ke shpejtuar.” Shu’ab El-Iman, 1/393, imam Bejhekiu.
  • Imam Hamdun ibn Kassar (Allahu e mëshiroftë) u pyet: “Përse fjalët e brezave të parë të muslimanëve janë më të dobishme se fjalët tona?” Ai u përgjigj: “Sepse ata folën për ta bërë krenar e për ta forcuar Islamin, për t’i shpëtuar njerëzit dhe për ta kënaqur Allahun. Kurse ne flasim për ta bërë krenar e për ta forcuar veten, për ta kërkuar jetën e kësaj bote dhe për të bërë vend tek njerëzit.” El-Med’hal ila Ilmi Es-Sunen, 1/42, imam Bejhekiu.
  • Allahu e mëshiroftë njeriun i cili e këshillon veten e vet, i cili e di se prapa tij ka Xhenet ose Zjarr dhe se Allahu ka caktuar vepra për secilin prej tyre.” Er-Rasail En-Nexhdijjeh.
  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Mësojeni Kuranin dhe përmes tij kërkojeni prej Allahut Xhenetin, sepse do të vijnë disa njerëz të cilët e mësojnë atë dhe përmes tij kërkojnë jetën e kësaj bote. Kuranin e mësojnë tre veta:
  • Ai që mburret me të.
  • Ai që ha përmes tij dhe
  • Ai që e lexon për hir të Allahut.” Es-Sahiha, 258.
  • Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Veprat nuk bëhen më të vlefshme e më të mira për shkak të pamjes dhe numrit, por për shkak të asaj që është në zemrën e atij që i kryen ato.” Medarixh Es-Salikin.
  • Imam Albani (Allahu e mëshiroftë) dhe durimi i tij në mësimin e tjerëve

Njëri nga nxënësit e tij tregon: “Gjersa shejhu ishte në Medine, një natë mbeti zgjuar deri në ezanin e sabahut, duke debatuar me disa të rinj rreth çështjeve të fesë. Pas faljes së namazit të sabahut në xhaminë e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), shejhu dëshiroi të nisej drejt Mekes për të kryer umran, mirëpo ne i thamë: “Ti nuk ke fjetur tërë natën!” Ai na e ktheu: “Ndiej forcë dhe gjallëri në vete!” Hipi në veturë dhe udhëtuam së bashku drejt Mekes. Afërsisht, në orën nëntë të mëngjesit e ndali veturën nën hijen e një peme dhe tha: “Do të fle vetëm një çerek ore! Nëse nuk zgjohem, më zgjoni!” Mirëpo ne e kishim plan që të mos e zgjonim, derisa të pushonte mirë. Pasi kaloi një çerek ore, shejhu u zgjua vet, e nisi veturën dhe vazhduam drejt Mekes. E kryem umran dhe shkuam tek shtëpia e dhëndrit të tij, e cila ishte përplot me nxënës të dijes duke e pritur atë. Shejhu u ul dhe filloi të diskutonte me ta deri në orët e vona të natës, pa u lodhur fare.” Mekalat El-Albanij.

  • “Braktisja e shirkut është kusht për vlefshmërinë e adhurimit.” Hashijetu ibn Kasim.
  • Kujdes mos u bëj prej tyre- Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) thotë: “Bartja e gurëve është më e lehtë për munafikun (dyfytyrëshin) sesa leximi i Kuranit.” Shu’ab El-Iman, 2/354, imam Bejhekiu.
  • Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Më së shumti dalin nga feja ata që e kanë Kuranin, mirëpo pa dije dhe besim, apo ata që e kanë besimin, mirëpo pa dije dhe Kuran.” Mexhmu’u El-Fetaua.
  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Tri gjëra shkatërrojnë: lakmia që respektohet, epshi që pasohet dhe mburrja me veten. Ndërsa, tri gjëra shpëtojnë: frika prej Allahut kur je vetëm dhe para të tjerëve, të jesh mesatar kur je i varfër dhe i pasur dhe të jesh i drejtë gjatë zemërimit dhe qetësisë.” Es-Sahiha, 412-416.
  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Në umetin tim do të dalin njerëz të cilët e pinë Kuranin ashtu siç e pinë qumështin.” Sahih El-Xhami’, 3653. El- Munavij (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Domethënë e lexojnë shpejt me gjuhët e tyre, pa medituar rreth kuptimeve e dispozitave të tij. Pra, ai (Kurani) rrëshqet nëpër gjuhët e tyre, ashtu siç rrëshqet qumështi kur e pinë shpejt atë.” Fejd El-Kadir.
  • Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) e përmendi një hadith dhe dikush prej të pranishmëve i tha: “A pranon atë?” Ai ia ktheu: “Kur të më shihni se nuk e pranoj ndonjë hadith të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) edhe pse e konsideroj si të vërtetë, atëherë dëshmoni për mua se jam çmendur!” Hiljetu El-Evlija’, 9/106.
  • Dijetari Salih El-Feuzan (Allahu e ruajttë) thotë: “Sikur ta dije se çka është Xheneti dhe çfarë ka në të, do të jepje çdo gjë të çmueshme që e ke për ta kërkuar atë; dhe prapëseprapë ajo do të ishte pak në krahasim me Xhenetin. Nëse nuk do të mund të nxitoje drejt tij në këmbë, do të nxitoje zvarrazi nga lakmia e madhe.” Sherh El-Kafije Esh-Shafije.
  • Ebu Dherri (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) më porositi që t’i dua njerëzit e varfër dhe të rri afër me ta.” Es-Sahiha, 2166.
  • Ummu Ed-Derda’ (radijAllahu anha) u pyet: “Cila vepër e Ebu Ed-Derdasë (radijAllahu anhu) ishte më e mira?” Ajo tha: “Reflektimi i gjatë.” Ebu Davud, Ez-Zuhd.

Perktheu: hoxhë Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit